Tre artistë kosovarë në festivalin e tunxhit në Tiranë

Kultura April 18, 2018 - 10:02

Për të tretin vit me radhë Tirana do të jetë nikoqire e festivalit të instrumentistëve të tunxhit, që pritet të mbahet në kryeqytetin shqiptar mes datave 23 dhe 28 prill.

Ilir Kodhima, drejtor artistik i festivalit “International Albanian Brass Festival”, ka treguar për gazetën “Zëri” se artistët e ftuar këtë edicion vijnë nga shumë vende të botës si: Rusia, Izraeli, Australia, USA, Rumania, Italia si dhe Kosova. Ai bëri të ditur se sivjet në këtë festival do të interpretojnë rreth 80 artistë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky Festival ka ardhur si pasojë e mangësisë së vëmendjes apo përkushtimit të instancave përkatëse për gjatë 27 viteve të fundit në vend.  Çdo vit në festivalin tonë kanë ardhur emra të njohur të muzikës klasike,  por kësaj here është ndryshe, pasi kemi të ftuar edhe artistë që luajnë në rryma të ndryshme muzikore si: Jazz, Funky, Pop dhe madje edhe tradicionale shqiptare. Në këtë mënyre e kemi afruar festivalin me një masë më të gjere artistesh apo publiku”, tregoi Kodhima.

Pjesë e këtij festivali janë konferencat që do të mbahen në sallën “Çesk Zadeja” në orën 10:00 – 11:30 nga artistët e huaj.

“Mësimet do të jenë falas për të gjithë të interesuarit, pasi ne si organizatorë do të jemi mikpritës edhe për artistët apo për të gjithë të interesuarit nga Kosova, Maqedonia edhe më gjerë. Një orë mësimi me këta artistë në vendet ku ata jetojnë shkon deri ne 750$ ora e mësimit, gjë që tregon nivelin e tyre të lartë artistik”, bëri të ditur drejtori artistik i këtij festivali. 

“International Albanian Brass Festival” sivjet mirëpret edhe dy muzikantë kosovarë. Siç tregoi Kodhima, pjesë e programit janë kompozitori Artan Hasani, trombistja Nora Garbeshi si dhe pianistja Vigjilencë Islami.

“Ky edicion do të sjelle një vepër Premierë për Trombë dhe Piano ‘One day in Nature’ e kompozuar nga kompozitori Artan Hasani dhe që do të luhet nga trombistja Nora Garbeshi dhe pianistja Vigjilencë Islami. Kjo vepër i është dedikuar pikërisht dy artisteve të reja, të cilat do t’i kemi të ftuara speciale në festival. Sigurisht që vepra do të mbetet në arkivin e Universiteteve tona si një vlerë e shtuar për Bibliotekat përkatëse dhe në veçanti për artin shqiptar”, theksoi Kodhima.

Koncertet e këtij festivali do të mbahen në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve si dhe një mbrëmje e veçantë do të organizohet te Liqeni i Tiranës.

“Gjatë mbrëmjeve artistët e ftuar do të mbajnë koncerte të larmishme pranë sallës ‘Black Box’, të Universitetit të Arteve, më datë  24, 25 dhe 26 prill, ndërsa kulminacioni i festivalit do të jetë me datë 28 prill, pranë Liqenit Artificial të Tiranës e që do të ndiqet nga numër i madh i publikut. Të gjitha mbrëmjet muzikore kanë veçantinë e tyre pasi jemi munduar që t’i nxisim artistët të bashkëpunojnë sa më shumë midis njëri -tjetrit dhe në këtë mënyrë të marrim frytet në të ardhmen”, bëri të ditur ai.

Për udhëheqësit e festivalit sfidë e madhe ishte edhe këtë vit ana financiare.

“Sfida jonë më e madhe është ana financiare dhe sigurisht ne si organizatorë kemi marrë përsipër  dhe riskun nga ana e buxhetit. Pjesa tjetër mbështetet tek pasioni, profesionalizmi dhe përkushtimi, i cili nuk na ka munguar përderisa kemi arritur deri në këtë nivel artistik botëror. Kemi më shumë se një vit që punojmë për këtë edicion të tretë dhe sigurisht që do jetë një javë mjaft e ngarkuar, por gjithashtu edhe interesante. Pjesëmarrësit dhe publiku do të shijojnë muzikën dhe do të kenë një qasje krejt ndryshe, e cila do të skalitet thellë në memorien e tyre”, theksoi ai.

Sipas Ilir Kodhimës, ky festival ka një ndikim direkt në jetën artistike të vendit.

Artistët më të mëdhenj shqiptarë kanë ardhur si rrjedhojë e këtyre instrumenteve dhe veçanërisht në përudhen e Rilindjes. Kjo traditë u dokumentua me krijimin e Bandës së Padre Tomes në Shkodër, më 1878 e më pas me krijimin e bandave të tjera frymore në të gjithë Shqipërinë e me gjerë. Ky festival ka një ndikim direkt në jetën artistike në vend, pasi artistët vendas do të shkëmbejnë kontakte apo eksperiencë dhe sigurisht gjithçka do të reflektojë në institucionet ku ata punojnë dhe në mënyrë të ndërsjellët tek publiku apo tek studentët e rinj”, përfundoi ai.

“International Albanian Brass Festival” sivjet po përkrahet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Universiteti i Arteve, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë së Tiranës si dhe nga përkrahës të tjerë. Zëri