Jeta në tehun e dilemës

Kultura April 17, 2018 - 12:31

Agron Gërguri

Hamleti tashmë është i vdekur, por edhe në varr po  e thërrasin zëra  për t`ia  forcuar besimin në atë çka ai dyshonte,  për t`ia shtuar dilemën, apo ndoshta për ta zgjuar edhe njëherë nga varri që të provoi  një rrugë tjetër, nga ajo të cilën e kishte shkelur dikur, e që në sinkron me zërat të sistemojë dilemat e tij: hakmarrjen  dhe dashurinë. Kjo është përafërsisht tema,  të  cilën e trajton monodrama ”Ëndrrat e Hamletit”, e  shkruar nga Nina Mazur, sipas motiveve të tragjedisë ”Hamleti princ i Danimarkës” e Wiliam Shekspirit,  në Interpretim  dhe regji të Mentor Zymberajt, që u dha si premierë në teatrin “Dodona”

 Zymberaj është  aktor i cili shpesh na flet nga streha e vetmimit, të cilën e ka si shprehje monodrama,  si një laborator i vetmisë, në trajtim  të  vetvetes.  Këtë herë ai  na ballafaqon me dilemën e Hamletit,  i cili  e bëri  jetën  në tehun e dilemës. Ishte i lindur të bëhet mbret, por assesi  nuk arriti të ngjitet aty ku e kishte dedikimin trashëgimtar.

Hamleti i Mentorit nis rrëfimin nga një vrimë e zezë, e varrit, aty ku gjerat fitojnë me besueshmëri në karakter. Varri, vdekja, si dëshmi përfundimtare(lexo vendimtare) në kërkim të së vërtetës, e cila po dergjet dhe vazhdon të na gënjej, duke e rikuptimësuar  dilemën e Hamletit “Të jesh apo mos të jesh”.. i veçantë apo i njëjtë me tjerët. Thënie  e cila mund të përkthehet  “t`iu besosh veshëve apo zemrës, syrit apo mendjes”.

  Hamletin  e thërrasin  zërat, që të shëmbëllejë  jetën  e sotme, ku gjallojnë ende gënjeshtra, hakmarrja, tradhtia, ndërsa dashuria, jo rrallë është  e ambalazhuar me ambicie të sëmura pushtet-thirrëse, në hendekun e së  cilës  ra dikur  Hamleti, në përpjekje për ta nxjerr në ajrosje të vërtetën e ndërtuar në dilemën emblematike “Të jesh apo mos të jesh...” që në kontekstin e  shfaqjes sikur i drejtohet kohës që po e jetojmë me pyetjen: A gënjen e  vërteta, apo mos  gënjeshtra po na e thotë të vërtetën! Dhe kur jemi në këtë vorbull dilematike, cilën rrugë duhet ndjekur: rrugën e dashurisë apo hakmarrjes?

Loja, aktrimi, shtirja si gjuhë e teatrit kalërojnë nëpër korridoret e mendjes së Hamletit dhe kthjellojnë të vërtetën se Kaludi kishte vrarë babanë, por kjo prapë se prapë nuk e shpëton princin nga fati tragjik. Pra Hamleti as në ëndrrën  e jetës së përtejme,  se ndreq dot jetën e kaluar. Edhe pse  e  zbulon të vërtetën e dyshuar, Hamleti nuk e vret dot  nënën dhe ungjin, për t'u ulur në fron si trashëgimtar legjitim... Sapo ta kap gjumi i qetësisë së varrit,  i vije në ëndërr e bukura e trishtë,  Ofelia, të cilën e la duke u djegur  në prushin e dashurisë dhe ajo u shua në lumin e dëshirave të pabëra jetë, duke u vetëvrarë  në dëshpërim. Zëri i saj thërret qortueshëm ndërgjegjen e Hamletit. Ai nuk ndihet rehat as në varr, pendohet pse nuk e morri rrugën e dashurisë, por u bë regjisor i  ambicies së tij dyshuese për ta pushtuar të vërtetën (lexo fronin mbretëror) duke e zbuluar vrasjen e babait.

   As interpretimi me elegancë të theksuar estetike i Mentor Zymberajt, nganjëherë në shpërputhje me çrregullimin e brendshme të Hamletit, i cila manifestohet deri  në kufi të një depresiviteti (lexo çmendie) të kontrolluar,  e as Nina Mazur me  riformulimin e  dilemës nuk arrijnë të shpëtojnë dot fatin tragjik të Hamletit, duke e shtrydhur atë edhe në varr, për  t`ia nxjerrin tamlin e dashurisë së pajetuar. Por Hamleti edhe në botën e Hadit mbetet po ai, sepse është kokëfortë, i pandryshueshëm.

 Monodrama e  Zymberajt është ndërtuar menjë gjuhë të pastër skenike, ku harmonia e fjalës me veprimin janë në funksion të rrëfimit, i cili rrjedhë brenda një hapësire miniaturiale të përcaktuar matematikisht nga skenografi Zen Ballazhi, e ku dritat e mjeshtrit Skender Latifi bëhen emocion dhe përkufizim i hapësirës vepruese të personazhit. Deklamimet e Zymberajt janë: qortime, lutje, mendim, arsye, emocion, veprimet fizike, mimika, ndërsa lëvizjet e  duarve thërrasin  për reflektim. Të gjitha këto veprime të nuancuara, prodhojnë ndjenja apo ndërtojnë relacione komunikimi artistik me spektatorin. Duke rrjedhur dejve të dilemës e cila pastaj derdhet përmes dialogut të brendshëm deri te spektatori, me të cilin e shqyrton dyshimin, për t`na e zgjuar Hamletin në ne, na cyt në pikëpyetjet e jetës, duke e funksionalizuar kështu dilemën në  kod artistik të mesazhit të shfaqjes, i cili na thotë se sa  vështirë është të qëndrosh (lexo jetosh) në tehun e dilemës.

        Dhe për t`na e argumentuar këtë  Hamleti i Mentorit zgjohet nga varri, dy herë. Njëherë për ta provuar, a bëri mirë që nuk e vrau ungjin dhe nënën që ta rrëmbej fronin i cili i takonte, dhe herën e dytë zgjohet me ndërgjegjen e vrarë, pse nuk e ndoqi rrugën e dashurisë, të cilën e shtroi Ofelia me bukurinë, brishtësinë dhe pafajësinë e saj. O Zot, sa trashëgimi të mirë do kishte njerëzimi sikur dashuria e Ofelisë dhe Hamletit të preknin kurorën. Kjo dyjësi bëhet kurora e dilemës hamletiane “Të jesh apo mos të jesh...” ...si gjithë njerëzit tjerë.

  Por jo, Hamleti nuk diti, nuk mundi, apo ndoshta nuk deshi të pushojë në preherin e dashurisë,  sepse ishte i infektuar me virusin e ambicies së sëmurë për pushtet dhe hakmarrjen si qëllim!? Nuk e pati durimin e duhur që ta lë ungjin të kalbet në fronin e tij, nga djersët e mundimit për  mëkatnimin e tij thuaja incestioz.

Hamleti  i Zymberaj sikur na thotë, jemi këtu e kështu si jemi, dashuria nuk kalon aty ku ka luftë për pushtet, andaj frikohemi deri  përtej frike, për zhbërjen e nukleusit të  njerëzores. Mentori na e thotë gjithë këtë rrëfim skenik me ecje elegante, hapa që ndërrojnë ritëm dhe bëhen emocion,  me shikim, e klithma drithëruese, shqetësime e shqyrtime në secilin veprim foljor apo fizik, permanent në lëvizje me kuptim, e cila motivohej me tinguj muzikor të Andin Randobravës.

 Nuk e kisha pa Mentor Zymberajn me këtë përmbajtje interpretimi filigran si një estet i vërtetë skenik, që nga shfaqja “Një përkujtim kafe theater” e Haqif Mulliqit, me partnerë Ismet Azemin, me të cilin Mentori skenikisht takohet sa herë del prej strehës së monodramës, të cilën e ka ndërkombëtarizuar si vlerë teatrore.

Autori është dramaturg dhe regjisor.