Botëkuptimet e Martin Camajt për poezinë

Kultura April 16, 2018 - 12:24

Studiuesi i Buzukut dhe librit të parë të shqipes së shkruar, gjatë gjithë jetës aktive intelektuale dhe krijuese, poezinë e pati pasion dhe e kultivoi me dashuri. Nëpërmjet artit poetik, shprehu ndjesitë e brendshme, ku, spikaten lidhjet e shkëputura shpirtërore me vendlindjen.

Camaj është poet shtegtar, që kaloi nëpër qytete, në kërkim të mitit poetik apo qetësisë së humbun. Nëpër biblioteka e libra, qëmtoi nëpër misteret e artit, pa u shkëputur asnjëherë nga kujtimet e hershme djaloshare. Nga një  distancë e largët- fizike e shpirtëror- ato kujtime i shkreptijnë si vezullima ndriçuese. Ia dëftojnë rrugën poetike, në kohën kur ai  andërron, dhe kështu krijon kurorën e imagjinatës së dëlirë poetike, në të cilën spikatet humusi shqiptar, me tiparet e dallueshme të ambientit shqiptar.

Koha dhe kujtesa, si aspekte poetike, te poezia e tij shfaqen në trajta e variante të ndryshme. Të thadruara në zemrën e poetit që e humbi qetësinë kur e braktisi atdheun, ato shpalosen, ashtu siç i shpalosen kujtimet e kohës së largët: butësisht, prajshëm, me ndjenjën e frikës në mos po lihet gjë në harresë. Ai me ngulmë do me kujtue, dhe, këtë e dëfton në përsiatjet që bën për poezinë, veçmas në dy tekstet:  “Jo gjithë jeta qenka burim poezie” dhe ”Shënime të përgjithshme mbi ’Varg librash letrare”.

Botëkuptimet e Camajt për poezinë janë një vlerë shtesë e artit të tij, ku ai shpalos idetë për artin, me çka hapi horizonte për të kuptuar edhe universin e tij poetik. Në tekstin me titull “Jo gjithë jeta qenka burim poezie”, poeti shfaq mendime domethënëse dhe të pjekura për artin e fjalës, dhe marrëdhëniet e poezisë së tij me temat që trajton e imazhet që evokon. Ky tekst, mund të vlerësohet çelës për ta kuptuar dhe interpretuar poezinë e tij, sidomos në rrafshin semantik dhe artistik. Camaj, në këtë tekst, i nënvizon shenjat sinjfikative që hapin shtigje për ta kuptuar poetikën dhe ideologemën kulturore e letrare.

Në tekstin në fjalë, Camaj dëfton çfarë raporte ka ai me poezinë, me shkrimin dhe temat që trajton, sikundër edhe me misteret e artit.  Duke e lexuar këtë tekst, ne shohim sesi Camaj e shkruan platformën e poezisë së tij: "Poezia ime rrjedh nga ato rrethana jete që unë due t’i kujtoj! Që, për shembull një:

Kam lindë në një vis të egër “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”, kaq i thyeshëm asht ky vend.”

Camaj nëpërmjet këtij teksti shënon dhe nënvizon toposin tematik të poezisë së tij, që është humusi i tij kulturor (Arshi Pipa). Po ashtu, ai e shpalos edhe aspektin ontologjik të poezisë së tij, që lidhet me kujtimet e tij. Ndërsa shenjë tipologjike të artit të tij e nënvizon harmoninë si koncept estetik.

Poezia e tij kalon nëpër filtra: është imazh, mendim, dhe bëhet gjuhë e bukurshkrim. Gjuha si materie shfaqet si shenjë identiteti dhe kulturë artistike. E figura shënjohet si mendim dhe ide. Dhe, nga rrebeshi i kujtimeve për kohën e largët, në vendin e largët, ai krijon një art të harmonishëm, kategori kjo estetike që simbolizon të bukurën e të përkryerën. Gjitha këto shtresa, ndërveprojnë mrekullueshëm përbrenda sistemit të tij poetik që është autentik, dhe ku referencialiteti e subjektiviteti shkrihen për mrekulli.

Ndërsa te eseu tjetër ”Shënime të përgjithshme mbi ’Varg librash letrare”, Camaj jep një panoramë shkoqitëse dhe më qartësuese rreth poezisë së tij, veçmas statusit të saj semantikë e ontologjik. Ai shprehet i vetëdijshëm se forma ka ndërrue vazhdimisht në krijimtarinë e tij. Në të njëjtën kohë, ai pohon se “ka ndërrue edhe gjuha, sepse e ka ndjekë zhvillimin e saj edhe se gjuhën e ka si zanat. Pjesë kryesore  e formës sidomos në poezi ashtë gjuha vetë; ajo ashtë jo vetëm ngjyra e veprës letrare, por edhe përmbajtja” shkruan Camaj. 

Duke u ndërlidhur me temat dhe motivet tipologjike të poezisë së tij, ai pohon se “Shqipnia e veriut dhe Italia e banueme prej arbenshëvet janë si sfonde ku zhvillohen ngjarjet që paraqes në veprat e mia, bile vetëm ngjyra e atyne vendeve sepse në fantazinë time ashtë shndërrue gjithçka...me thanë “shndërrue” ashtë tepër , por sidoqoftë unë nuk jam “realist” letrar si donë me qenë ndjekësit e realizmit socialist”.

Në këtë ese, Camaj nënvizon preokupimet e artit të tij; temat e mëdha e të përhershme të letërsisë, që janë: njeriu e natyra.“Përshtypjet e mia përqendrohen në tragjiken e vetjeve ku del në shesh dashunia e urrejtja.”

Poeti nuk le pa e shpjeguar edhe një aspekt të ndjeshëm të krijimtarisë së tij: raportin e artit të tij me biografinë. Dhe, për këtë, Camaj pohon: “Një ndër problemet ma me rëndësi në krijimin tim ka qenë si t’i thjeshtësoj ngjarjet e ndjesitë e mia. Njehja e tyre në mënyrë realiste, sa me qenë tue shkrue biografinë për mue nuk ashtë art. Nuk kam qenë kurë aq i pakrypë me qitë ndjesitë e ngjarjet e jetës sime të idhëta e të gëzueshme troç, pa i shndërrue dhe stërhollue sa mos me i njohë vetë.

Këto dy ese të Camajt për artin poetik, dëftojnë se bota subjektive e imagjinatave e tij, është një botë që ndërvepron me të tjerët. Është një botë që evokon mungesat. Një botë plot gjallëri, që flet, dhe e kërkon me gjakim Itakën e munguar. Ndonëse shenjat tipologjike të poezisë së tij, janë sinjfikative: ai në poezi e shpalos vetën, është Camaj ai që  kërkon që të mos kërkohen elementet autobiografike në krijimet e tij. Këtë e pohon kështu: “secili që e bën këtë hyn në pyll pa sëpatë, sepse unë-thotë poeti- kam qëllimue gjithnjë me gjet përfytyrime e formula që përfshijnë ndjenja e ndjesi të shumta, të miat e të tjerëve. Këtë nënkupton edhe titulli “Njeriu me vete e me tjerë.” 

(Fragment nga një shkrim më i gjatë)