Anulohet premiera e shfaqjes 'Hamleti simbas Horacit'

Kultura April 16, 2018 - 12:21

Teatri Kombëtar i Kosovës ka anuluar të hënën premierën e shfaqjes “Hamleti simbas Horacit” si dhe reprizat e parapara për 17.19 dhe 25 prill. Menaxhmenti i Teatrit ka bërë të ditur se shfaqja është anuluar për shkak të një lëndimi që ka pasur aktori kryesor Shkëlqim Islami, shkruan zeri.info.

Të nderuar artdashës dhe publik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me keqardhje ju njoftojmë se për shkak të lëndimit të aktorit në rol kryesor, premiera "Hamleti simbas Horacit" e planifikuar të mbahet me 16 Prill (e hënë) si dhe reprizat me 17.19 dhe 25 do të anulohen. Duke shpresuar në shërimin sa më të shpejtë të aktorit dhe rikthimit të tij në skenë, kjo shfaqje pritet të vijë përpara publikut gjatë muajit maj”, thuhet në njoftimin e TKK-së.

Regjinë e shfaqjes “Hamleti simbas Horacit” e ka bërë Ilirjan Himaj kurse teksti është i shkrimtarit Ag Apolloni. Në kastin e kësaj shfaqjeje bëjnë pjesë aktorët: Shkëlqim Islami, Labinot Lajçi, Agron Shala, Kreshnik Malushaj, Valina Muçolli dhe Beslidhje Bytyqi.

Shfaqja “Hamleti simbas Horacit” pritej të ishte premiera e dytë e Teatrit Kombëtar të Kosovës për sivjet. Zëri