Kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta

Kultura April 14, 2018 - 10:09

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë krijuesen dhe studiuesen nga Gjakova, Migena Arllatin. Ka lindi në Elbasan, në një familje me tradita qytetare dhe arsimdashëse. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin Filologjik, dega gjuhë - letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan (2001). Ka përfunduar studimet e Magjistraturës për Gjuhësi në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë (2012). Aktualisht punon si profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë në Gjakovë. Është redaktore dhe recensente e 37 vëllimeve me poezi e prozë të autorëve shqiptarë e tre të huaj.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Shumë shpesh pyes veten: Pse jemi këta që jemi, pse kemi ardhur në jetë pikërisht në këtë vend, në këtë kohësi? Janë pyetje të cilave iu përsiatem aq shpesh, megjithatë përgjigjen e gjej tek një proverb i vjetër, i cili thotë: “Edhe rruga e gjatë prej mijëra kilometrash fillon me hapat e parë!” Ky proverb, jo rrallë herë më vjen në mendje pasi në të vërtetë, jeta ime do të zhvendosej kilometra e kilometra larg vendit të origjinës, por pa u shkëputur asnjëherë nga origjina e pastër shqiptare. E lindur në qytetin e Elbasanit, në qytetin e Kristoforidhit e Xhuvanit, të Normales së Isuf Myzyrit, me dhe pa vetëdije do të bartja gjithmonë në vetvete dëshirën për të qenë një tjetër “gur” në murin e Kalasë së madhe elbasanase. Qyteti im i lindjes, i njohur për traditat e lashta mijëvjeçare, është vendi ku shkrihen aq natyrshëm gegnishtja e toskërishtja, ku përthyhen me njëra - tjetrën konfesione të ndryshme fetare, ku vlerat e qytetarisë dhe civilizimit kanë qenë gjithnjë për t’u lakmuar. Unë jam e vetëdijshme për rolin e vendlindjes tek secili person, ndaj i ëmoj elbasanllinjtë e mi, sepse janë njerëz që e duan artin, e duan të bukurën, e duan jetën. Nuk është çudi t’ju them që gurin e parë në themelet e këtij qyteti e ka vënë një krijues, ka qenë krijues ai që thuri kalldrëmin e parë, ka qenë krijues ai që mbolli blirin e parë, ai që çeli shkollën Normale, pra Elbasani është qytet i krijuesve nga të gjitha sferat, dhe kjo e ka afirmuar këtë qytet në shekuj.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Pavarësisht itinerareve dhe ecejakeve të ndryshme, për të cilat më detyron aktiviteti, për mua destinacioni kryesor është familja, pra shtëpia ime në Gjakovë dhe vendpunimi im i përditshëm, gjimnazi “Hajdar Dushi”. Fati më solli të jetoj në Kosovë në vitin 1996, kur ky vend kishte filluar të hynte në periudhën më të vështirë. Përjetova bashkë me vendasit periudhën më tragjike, atë të ’99 - ës dhe të pasluftës. Në vitin 2000 do të kyëesha në gazetari, një profesion sfidues, në kohëra vërtetë sfiduese. Por zemra më rrihte tek arsimi, profesioni për të cilin kisha studiuar dhe investuar vite të tëra nga rinia ime, ndaj u pozicionova në lëmin e arsimit, duke lartësuar pandalshëm rolin dhe rëndësinë e gjuhës së pastër shqipe. Jam shumë e lumtur që mund t’i vij në ndihmë edukimit, mësimit dhe orientimit të brezave të rinj. Njerëzit si unë, krahas suksesit në karrierë, dinë të sfidojnë veten edhe për një familje të lumtur.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Me sa duket unë përjetoj një lidhje të pashmangshme me botën e pafund të librit dhe krijimtarisë letrare, që besoj se e ka zanafillën që tek vendosja e emrit tim, Migena, që është emri i personazhes kryesore të librit të John Golsuorthit “Lulet e mollës”. Ky libër qe “best seller” në Shqipërinë e viteve ‘70. Mendoj se që në momentin e pagëzimit me emrin e një personazheje libri, fati im sikur do të ishte i destinuar të ishte përjetësisht i lidhur me botën e librave.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

“Kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta!”, thoshte Niçe. Një popull pa artin dhe artistët e tij do të ishte asgjë, ndaj unë si shkrimtare e studiuese, me një sërë ëmimesh të marra në letërsi e gazetari, me prezantime të shumta në shkencën e gjuhësisë në rangun e konferencave brenda dhe jashtë shtetit etj., ndjehem shumë e mikluar nga fati që qoftë edhe në disa qeliza të vockla të miat, kam ndjesinë e të bërit art. Për mua, vetë akti i artbërjes do të thotë ngritje nga niveli i monotonisë dhe ikje nga asgjëja, e cila shpesh herë pushton jetët tona me rëndomtësinë e saj. Realiteti shqiptar është një realitet shumë i vështirë dhe duhet të posedosh një akullthyes gjigant për të thyer akullin e së rëndomtës, ose për të hedhur tej antivlerën që për fat të keq po fiton gjithnjë e më shumë terren. Megjithatë mendoj se talenti është gjenetik, i lindur, është pjesë e artistit që shpërthen në momente të veçanta në gjendje muze, dhe muza është hyjnore, sepse vjen nga lart. Poeti është thjesht dora që e shkruan porosinë hyjnore të ardhur në formë frymëzimi. Individi artist i gjendur përballë krizave morale pikërisht këtu duhet ta gjejë shpëtimin, tek fuqia e artit të tij, sado papërfillshëm të shihet apo trajtohet nga të tjerët.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Në arealin tonë, jo rrallë herë vërej se të mençurit ngurrojnë të tregojnë veten duke menduar se dinë pakgjë, nga ana tjetër budallenjtë ngarendin të ekspozohen duke menduar se dinë gjithçka. Personalisht mendoj se arroganca është kurth i rrezikshëm në dëm të suksesit. Nuk ka gjë më të keqe për njeriun se sa fodullëku dhe mendjemadhësia. Të jesh i thjeshtë dhe i afërt me të tjerët, është shprehje e kulturës dhe e dinjitetit të një njeriu të civilizuar. Personalisht, mendoj se kulturë nuk bëhet vetëm mbi një skenë, vetëm duke shkruar ose vetëm duke kënduar. Kulturë është edhe komunikimi me të tjerët, edhe të menduarit dhe të perceptuarit e fenomeneve, edhe vetë mënyra e ndërtimit të jetës. Mirësia, thjeshtësia në komunikim dhe në ndërtimin e brendshëm të një personaliteti nuk mund të burojë asesi nga një njeri shpirtngushtë dhe me botë të varfër.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Në moshën dhe nivelin që jam, mund ta shoh të djeshmen time si ngjitur në një kodrinë, nga ku atje tej vërehet qartë ultësira. Në retrospektivën time, teorikisht mund të zhbëj e të ribëj shumë gjëra, të cilat sot mund t’i rishikoj në prizmin e përmirësimit, por me siguri të plotë them se asnjëherë nuk kam shkelur në dërrasë të kalbur. Këshilla e vetme, të cilën edhe sot e kësaj dite ia rikujtoj vetvetes është: Gjithmonë kujdesu për bazamentin ku ke vendosur shkallët e tua; dhe asnjëherë mos harro se shkalla ku ke hipur sot, qëndron e mbështetur në shkallën ku ishe dje!

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Më pëlqen të lexoj novelat e shkrimtarit dhe gazetarit Italo Calvino, nga i cili do të veëoja thënien: “Letërsia është Toka e Premtuar, në të cilën gjuha bëhet me të vërtetë ajo çka duhet të jetë!”. Ndërsa piktorët dhe poetët janë të shumtë./ZËRI.