Mirëpritet rihapja e kinemasë së vjetër në Prishtinë

Kultura April 13, 2018 - 11:06

Kinemaja e ish-Shtëpisë së Armatës, e cila në kohën e ish-Jugosllavisë njihej si “Salla e Armatës Popullore Jugosllave” do të hap së shpejti dyert për vizitorë. Kësisoj Prishtinës do t’i kthehet një hapësirë kulturore që është në kujtimet e një gjenerate më të vjetër, e që do t’i shërbejë komunitetit artistik, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky rifunksionalizim pritet të bëhet si rezultat i një marrëveshje mes kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, e cila pritet të konkretizohet së shpejti.
Aktori i mirënjohur dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, thotë për gazetën “Zëri” se për shkak të rëndësisë që dikur kishte kjo kinema në jetën kulturore, rifunksionalizimi i saj është një ide e mirë. Ai kujton se përmes kësaj kinemaje gjenerata e tij u njoftua me botën e filmit.

“Ajo kinema ka qenë e rëndësishme për qytetin. Unë e kujtoj me përplot emocione. Si fëmijë e të rijnë kemi pasur mundësi t’i shohim e t’i shijojmë filmat e parë në atë kinema. Kur mendoj për atë kinema kam shumë kujtime dhe emocione që më lidhin me kohën kur kam ardhur në Prishtinë. Mendoj që nëse realizohet rifunksionalizimi i saj, siç po premtojnë, është një plan dhe një ide shumë e mirë. Pajtohem plotësisht me këtë ide. Më kujtohet se përveç si kinema, aty ka ndodh të jepet edhe ndonjë shfaqje apo koncert i vogël”, kujton Mikullovci.

Edhe Besa Luzha, profesoreshë e muzikës dhe aktiviste e shoqërisë civile, thotë për gazetën “Zëri” se rifunksionalizimi i kësaj kinemaje është i rëndësishëm, por ajo shpreson që kjo hapësirë do të jetë e përdorshme edhe për aktivitete të tjera kulturore, meqë në kryeqytet hapësirat e tilla janë të kufizuara.

“Është një vendim shumë i mirë dhe e kemi pritur qe disa kohë. Ne shpresojmë se si sallë është e përshtatshëm edhe për aktivitetet e tjera, dhe jo vetëm për kinema, sepse kinema tashmë edhe kemi mjaftueshëm, por që kjo sallë të përdoret edhe për koncerte më te vogla, teatër, shfaqje të ndryshme etj”, thotë Luzha.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se kjo sallë që ka kapacitet prej 300 ulëseve, përveç shfaqjes së filmave, do të përdoret edhe për aktivitetete të tjera.

“Prishtina po bëhet edhe me një kinema alternative të qytetit. Salla prej 300 ulëseve do të përdoret po ashtu edhe për aktivitete tjera kulturore, si koncerte dhe shfaqje. Detajet përfundimtare të marrëveshjes tashmë janë pajtuar mes MAP dhe Komunës së Prishtinës, ka mbetur të nënshkruhet marrëveshja mes Kryetarit Ahmeti dhe Ministrit Yagcilar, që do të ndodhë brenda këtyre ditëve”, ka bërë të ditur Rugova.

Në anën tjetër edhe Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës, ka deklaruar se së shpejti do të publikohen detaje nga kjo marrëveshje dhe se kjo kinema ka rëndësi të veçantë kulturore për Prishtinën.

“Prishtina bëhet edhe me një sallë alternative! Para disa vitesh filluam një iniciativë me Alush Gashin për kthimin e kinemasë së ish APJ në hapësirë kulturore të Prishtinës (kinema dhe skenë alternative). Atëkohë ishte në menaxhim të UNMIK dhe hasëm në shumë vështirësi. Pas kalimit në menaxhim të Qeverisë, me Yll Rugovën kemi arritur të finalizojmë marrëveshjen për kalim të sallës në menaxhim të Prishtinës. Javëve në vijim do të njoftojmë për shfrytëzimin e kësaj hapësire në bashkëpunim me ideatorët e kthimit të kësaj hapësire në kinema/hapësirë alternative të kulturës në kryeqytet. Si fëmijë, kam shkuar shpesh në këtë kinema. Edhe pse nuk është e njëjtë, patjetër se ka rëndësi të veçantë kulturore për Prishtinën”, ka shkruar Ahmeti.

Kinemaja e ish-Shtëpisë së Armatës, që njihej me emrin “JNA” u mbyll në vitet e 90’ta. Në kohën kur kjo kinema funksiononte në Prishtinë kryeqyteti kishte njëkohësisht edhe dy kinema të tjera. Bëhet fjalë për kinematë “Rinia 1 dhe 2” dhe kinemanë “Vëllaznimi”. Aktualisht Prishtina ka gjashtë salla kinemaje ku bëjnë pjesë kinemaja “ABC”, në qendër të qytetit, me një sallë dhe kinemaja e rrjetit “Cineplexx”, e cila ka gjashtë salla dhe gjendet në periferi të qytetit, në një nga qendrat tregtare. Zëri