"Dushkaja", romani më i ri i Buxhovit

Kultura April 12, 2018 - 14:08

"Dushkaja" është romani më i ri i krijuesit dhe historianit tonë të frytshëm Jusuf Buxhovi, të cilin e botoi Shtëpia Botuese "Faik Konica", në Prishtinë" dhe "Jalifat Publishing", Houston.

Pas romaneve“Dosja e hapur”dhe“Dosja B”, të cilat merren me dukuritë dhe ngjarjet politike në Kosovën e pasluftës, Jusuf Buxhovi po të njëjtin preokupim e vazhdon edhe në romanin më të ri “Dushkaja".
Kritiku letrar, Ramadan Musliu, vlerëson se Romani më i ri, i autorit Buxhovi, që doli këto ditë nga shtypi, për dallim nga dy romanet e përmendura, bën një qasje ndryshe te realitetit, përvojave të hidhura, gjendjeve iracionale, krimit të luftës si dhe pasojave të tij, në të vërtetë bën një autopsi të brendshme të këtyre përvojave, duke e vënë krimin në një rrafsh refleksioni. E gjithë drama e realitetit, ku krimi bëhet alfa dhe omega e jetës në një hapësirë çfarë është Dushkaja, gjen pasqyrimin në ndërdijen e piktorit, i cili përmes një dialogimi më Zërin, alteregon e tij, shpalos fatin e njeriut në zgripc të ekzistencës, të cilit i mungon e tashmja po se po, por edhe më shumë se e tashmja atij i mungon e ardhmja.
Musliu thotë se forma eseizuese e rrëfimit kushtëzon gjithsesi edhe formën e receptimit sa që mund të thuhet se është një tekst për një lexues të kultivuar.