Ujërat e zeza ndërprenë punën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Kultura April 11, 2018 - 12:13

Që nga dita e martë repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës është ndërprerë dhe aty nuk po jepet asnjë shfaqje. Krejt kjo si pasojë e ujërave të zeza që kanë shpërthyer në objektin e këtij institucioni, shkruan zeri.info.

“Ju njoftojmë së repertori i TKK-së ndërpritet përkohësisht për një afat të pacaktuar prej datës 10 prill 2018, për shkak të ujërave të zeza të shkaktuara në objektin e Teatrit (deri në dezinfektimin e hapësirës së TKK-së).

Për çdo eventualitet ju njoftojmë”, thuhet në një njoftim në rrjetin social Facebook, nga drejtuesit e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

 Para pak ditësh edhe vetë ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, doli dhe inspektoi këtë objekt si edhe atë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ministri Gashi pas inspektimit është shprehur se gjendja e tyre është shumë e keqe dhe shumë shpejt ministria do të ndërmerr të gjitha hapat në koordinim edhe me institucionet dhe organet kompetente, për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, në mënyrë që të evitohen dëmet.

“Me rastin e vërshimet të ujit dhe dëmtimin e kanalizimit në objektin e Teatrit isha të shoh nga afër çka ka ndodh aty. Unë ju bëj thirrje institucioneve dhe kompanisë së ujësjellësit të marrin seriozisht punën. Aty është edhe ora e rrymës dhe kemi mundësi që të krijohet problem më i madh”, pati thënë ministri.

Deri sa ky problem të sanohet Teatri Kombëtar i Kosovës do t’i ketë dyert e mbyllura për vizitorë. Zëri