Ka nisur “Java e Bibliotekës”

Kultura April 11, 2018 - 12:09

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka filluar edicioni i sivjetshëm “Java e Bibliotekës në Kosovë”, që përgjatë këtij edicioni të 16-të do të këtë për temë arsimimin dhe trajnimin bibliotekar.

Në ceremoninë zyrtare të hapjes së “Javës së Bibliotekës” mori pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe shumë autoritete kulturore të vendit.

Në ceremoninë e hapjes u tha se biblioteka luan rol fondamental në kulturën e një vendi, prandaj edhe duhet të ketë kujdesin e institucioneve të shtetit.

“Tema a Javës së Bibliotekës në Kosovë që do të mbahet gjatë datave 10-14 prill, sivjet është ‘Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar’ dhe është zgjedhur kjo temë, sepse kemi nevojë të flasim se si jemi sjellë në betejën tonë për mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë letrare e kulturore të Kosovës. Duhet të shohim se si duhet të ruhet e mbrohet koleksioni i Bibliotekës Kombëtare”, tha ndër të tjera Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pejtër Bogdani”.

Tutje Gajraku theksoi se Kosova ka nevojë për bibliotekarë dhe arkivistë të shkulluar në këtë drejtim. Ai theksoi nevojën që në kuadër të Universitetit të Prishtinës të themelohet një degë, ku mund të shkollohen bibliotekarët.

“Kosova ka nevojë për bibliotekarë e arkivistë që dinë të mbledhin, organizojnë dhe të ruajnë trashëgimin kulturore të Kosovës. Trashëgimi që zbulon të kaluarën e Kosovës dhe të ardhmen e saj.  Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e vendosur midis kampusit të Universitetit të Prishtinës, ka nevojë për bibliotekarë që mund të ju ndihmojnë studentëve, hulumtuesve dhe studiuesve. Që të jetë kjo e mundur Universiteti i Prishtinës duhet të hap degën e fushës së bibliotekarisë dhe shkencave të informacionit dhe të tërheqë e shkollojë kandidatë cilësor për këtë profesion”, tha Gajraku.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se për bibliotekat në Kosovë nuk është bërë mjaftueshëm.

“Qeveria e Kosovës vjen pak si e turpëruar sot për faktin se jo mjaftueshëm është bërë për bibliotekën, librin dhe aktivitetet që na bëjnë nder”, tha Haradinaj.  

Kryeministri përmendi vakumin 10 vjeçar të paraluftës, shkatërrimet e luftës, por edhe kohërat emergjente, duke theksuar faktin se edhe në atë kohë nuk kemi qenë vetëm.

 "Më kujtohet, që herët, ambasada e Amerikës, me një donacion të botimeve, dedikuar qytetarëve dhe studentëve. E kam përcjell atë kohë dhe më pat bërë përshtypje", tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Amerikën, popullin e saj dhe Ambasadën për këtë kujdes të vazhdueshëm.

Duke folur për infrastrukturën e bibliotekave Haradinaj tha se ka pengesa të shumta funksionale, por në një periudhë të shkurt kohore edhe kësaj do t'i qasemi.

"Duke ditur se kemi penda të çmuara që i çmon edhe bota, atëherë, kishim mundur që në këto momente të tilla, t'i shënojmë së bashku, t’i kemi edhe disa prej penave më të çmuara shqiptare dhe duke i kujtuar edhe ata që s'janë me ne", tha kryeministri Haradinaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi e vlerësoi këtë organizim tradicional, i cili me sukses ka trajtuar tema të ndryshme duke sensibilizuar publikun për rëndësinë e bibliotekarisë dhe të librit në fushën e dijes dhe të kulturës.

“Ky aktivitet që zhvillohet vijimisht tashmë e 16 vite, ka arritur të zhvillojë e trajtojë tema dhe problematika të ndryshme nga fusha e biliotekarisë, bibliografisë dhe fushës së informacionit duke mbledhur po ashtu edhe studiues, krijues, kritikë e hartues të politikave kulturore me qëllim të hedhjes dritë të arritjeve, sukseseve që kanë qenë evidente, por edhe të reflektimit mbi problematikat, sfidat dhe ngecjet mbi këtë fushë, për t’i projektuar më mirë, zgjidhjet dhe perspektivat e avancimit të kësaj fushe me rëndësi kritike për kulturën dhe dijen në Republikën e Kosovës”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.

Ministri, po ashtu, përmendi edhe sfidat me të cilat ballafaqohet bibliotekaria në Kosovë si dhe objekti i Bibliotekës Kombëtare.

“Përkundër arritjeve, natyrisht se vizioni ynë s’mund të quhet i përmbushur kur jemi të vetëdijshëm për sfida jo të pakta që aktualisht përballet rrjeti bibliotekar në vend, me theks të veçantë Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Ditë më parë, nga menaxhmenti i BKK’së, u njoftuam se përkundër investimeve që janë bërë në hapësirat e këtij objekti ku jemi sot, përsëri, koleksionet dhe materialet bibliotekare, por edhe tërë hapësira e objektit, rrezikohen nga përmbytjet dhe ujërat atmosferike dhe ato të zeza që depërtojnë në objekt nga mosfunksionimi i infrastrukturës. Siç i kam bërë të qartë Drejtorit dhe stafit të BKK-së, përkrahjen në zgjidhjen e problemeve bazë të këtij Institucioni me rëndësi kombëtare, do ta japim duke nisur nga problemet konkrete”, ka thënë ministri.

Gjatë  hapjes së “Javës së Bibliotekës” foli edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, i cili i quajti bibliotekat si gurthemel i komunitetit. Po ashtu ai theksoi se ato i shërbejnë qytetarëve e studentëve

“Bibliotekat i ndihmojnë studentët që ta përditësojnë dijen e tyre për këtë arsye ne e kemi mbështetur bibliotekat në Kosovë që nga fillimi, në vitin 2003”, tha ai. Ndër të tjera Delawie tha se ka nevojë për më shumë investime në resurset e bibliotekave në Kosovë.

Në kuadër të “Javëve të Bibliotekës së Kosovës” në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u hap edhe ekspozita “Skënderbeu në letërsi” në kuadër të “Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

Gjatë hapjes së “Javës së Bibliotekës në Kosovë” u dekoruan Ibrahim Kuçi për (mbi 9900) ekzemplarët të cilat ia ka dhuruar bibliotekës, Edona Rexhepi për përdorimin e materialeve të bibliotekës dhe Shqipe Ajeti e Teuta Muja për raportimin e ngjarjeve të Bibliotekës “Pjetër Bogdani”.

“Java e Bibliotekës” realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Ambasadën e Amerikës në Kosovë, aktivitet ky tashmë tradicional, dhe që është përfshirë në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor që realizohet mes ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.