“Lasciatemi Cantare” si kujtim i diçkaje të ndaluar

Kultura April 09, 2018 - 12:33

Instrumentisten e Filarmonisë së Kosovës, Enkelejda Zajmin, është flauti ai që e lidh fort ngushtë për muzikën, por kësaj here ajo nuk vjen në “Zëri” për të folur saktësisht për flautin. Në rubrikën javore “Rrëfej përmes muzikës”, Zajmi na tregon më shumë detaje për lidhjen e saj me muzikën. Këtë e bën duke folur për dhjetë këngë që zënë vend të veçantë në zemrën dhe kujtesën e saj dhe që i cilëson si më të preferuarat. Lista e saj shkon përtej klasikes, duke prekur edhe muzikën e mirëfilltë shqipe, por edhe hitet botërore.

Zajmi ka studiuar në Akademinë e Arteve të Tiranës, në grupin e profesorit Gjovalin Shestani. Ajo punoi rreth 10 vjet në Teatrin e Operës dhe të Baletit në kryeqytetin shqiptar, kurse prej vitesh jeton në Prishtinë.

Mu aty te shtatë zymbylat

Fitnete Rexha, një nga profilet më të spikatura të këngës popullore të Shqipërisë së Mesme, më kujton ato kohë të vështira që me zërin e saj unik jepte gjithë dashurinë dhe këndonte me të njëjtin akt profesionist sipër katundeve të varfra e qyteza minatorësh e deri te podiumet e ftohta të politikës. Në ato kohe të izolimit të Shqipërisë dhe kufirit të pakalueshëm, Fitnetja me zërin e saj dëgjohej në të gjitha trevat shqiptare, sidomos në Kosovë dhe bënte që në mënyrë imagjinare të thyhej ky kufi artificial dhe të bëhej një bashkim kombëtar shpirtëror.

Nën një portokalle

Kjo kënge, e kënduar nga këngëtarja e mirënjohur vlonjate, po që u bë po aq kuksiane, Kleopatra Skarco më kujton fëmijërinë time të lumtur, pasi shumë herë mblidheshim në shtëpinë tonë, në darka e dreka familjare, e mamaja ime ishte si qershia mbi tortë, sepse e këndonte shumë bukur këtë këngë, nga se është nga Vlora me origjinë.  Por babai im nga Peja, donte që të këndonte edhe një nga vendlindja e tij, kështu që hiti tjetër familjar që pasonte ishte “Kallma cigaren”, kënduar nga Luan Hajra.

Orfeu dhe Euridiche - Ch. E. Gluckut

Çastet e inspirimit, zbulimi i bukurisë së tingujve të flautit, thellimi i dashurisë time ndaj këtij instrumenti dhe ngritja e motivimit që të futem në thellësitë e pafundme te mundësive të shprehjes, të ylberit të ndjenjave e të qenieve njerëzore, kjo opera e kompozitorit të famshëm Gluck, më sjell gjithmonë ndërmend sa herë që e dëgjoj.

E Lucevan Le Stelle

“E Lucevan Le Stelle” nga opera “Tosca”, e kompozitorit të famshëm italian të periudhës Verissimo, G. Pucini, kënduar mjeshtërisht mes të tjerëve dhe nga Luciano Pavaroti, është një nga kryeveprat që më drithëron sa herë e dëgjoj dhe kjo është eksperienca ime e parë me teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, një eksperiencë që më ka ndihmuar në formimin tim artistik.

Mary Had A Little Lamb

Dua vazhdimisht ta dëgjoj sepse më japin një ndjesi të mrekullueshme momentet dhe çastet e bukura me fëmijët e mij të mrekullueshëm, që ndonëse janë tashmë të rritur, gjithmonë për mua mbeten fëmijë të vegjël.

Lasciatemi Cantare – Toto Cutugno

Kjo kënge është këngë e adoleshencës, kur ndikim kishte muzika italiane me të  cilën kërcenim e argëtoheshim në shoqëri dhe mundoheshim t’i riprodhonim duke luajtur me instrument, ndonëse ishte një herezi nën regjimin e kaluar dhe një akt i dënueshëm i propagandës sa huaj. Për mua, sa herë e dëgjoj, më sjell përjetimet e diçkaje të ndaluar, por të bukur, e dëshirës për dinjitet, dëshirën dhe të drejtën për të realizuar ëndrrat dhe talentin si një individ i zakonshëm, por që do të jetoj një jetë normale dhe dinjitoze, pjesë e ëndrrës për të qenë pjesë e Evropës, që ende mbetet një ëndërr e parealizuar.

Image

Sonatat e Bachut për Flaut

Janë pjesët me te preferuara të miat që kurrë nuk lodhem se dëgjuari e duke u shëtitur në të gjitha etapat e jetës sime.

Lets Twist Again Chubby Checker

Me përkujton humbjen e rinisë së disa gjeneratave në Shqipëri gjatë kohës së izolimit të madh dhe mbetjes jashtë trendeve muzikore dhe kulturore të Perëndimit dhe Amerikës.

Dance Me To The End Of Love - Leonrad Cohen

Më mbushë me emocione. Më përkujton sa e shkurtër dhe e vlefshme është kjo jetë që e kemi dhe shpesh e shpenzojmë në grindje banale të parëndësishme, ku në të vërtetë gjëja më e rëndësishme duhet të jetë dashuria. Të kalojmë jetën duke “vallëzuar”.

Schindlers List – John Williams

Kolona zanore e mrekullueshme, njëkohësisht është shumë kontradiktore, sepse në një anë e ke kënaqësinë e madhe të dëgjimit që të çon peshë ndjenjat dhe në anën tjetër të kujtohet realiteti i dhimbshëm në kohën e Gjermanisë naziste dhe gjenocidi ndaj hebrenjve, kur një biznesmen gjerman rrezikon jetën e vet dhe familjes se tij duke shpëtuar qindra hebrenj nga vdekja e sigurt. E në të njëjtën periudhe kohore në Shqipëri ndodhte një mrekulli e ngjashme që si i vetmi vend në Evropë nuk e dorëzon asnjë hebre autoriteteve pushtuesve gjermane, kështu duke shpëtuar me qindra jete.

Liebermann Flute Concerto

Kulminacioni i ndërlikushmërisë dhe variacioneve të tingujve mbitonal të flautit, i kombinuar me të gjitha instrumentet e tjera muzikore, i arritur nga kompozitori kontemporan Liebermann që e realizova këto ditë me Filarmoninë e Kosovës dhe bashkëpunimi me dirigjentin Gregory Charette, më dhanë kënaqësinë dhe emocione të paskajshme.