'Eja ta shohësh vetminë' në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Kultura April 07, 2018 - 15:28

Këtë muaj, Galeria Kombëtare e Kosovës, hapë dyert për një ekspozitë personale. Bëhet fjalë për ekspozitën “Eja ta shohësh vetminë”, të artistit Lorik Sylejmani. Kjo ekspozitë do të hapet më 11 prill në orën 19:00 në GKK dhe do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri më 11 maj.

Në katalogun e kësaj ekspozite Arta Agani, drejtoreshë e GKK-së, shkruan se gjëja e parë që duhet marrë në konsideratë, që në mënyrë korrekte ta përjetojmë veprën e tij, është fakti se Sylejmani, duke na rikujtuar të kaluarën, e nominon vetminë si vetinë kryesore të njerëzimit sot, aq të rëndësishme sa të jetë thelbi i kësaj ekspozite.

Lorik Sylejmani u lind në Prishtinë në vitin 1972. Diplomoi në fakultetin e Arteve Dega e Dizajnit Grafik në vitin 1995. Studimet pasdiplomike i përfundoi në vitin 1998, në temën “Prezantimi vizual dhe tipografik i dy artistëve nga Nju Jorku: Laurie Anderson dhe Lou Reed”. Nga viti 2008 ligjëron lëndët “Histori e Dizajnit” dhe “Brending”.