Në Kosovë dy kore nga Kroacia

Kultura April 07, 2018 - 15:26

Të enjten mbrëma qyteti i Pejës priti dy kore që erdhën për herë të parë në Kosovë. Bëhet fjalë për korin HPD "Slavulj", nga Petrinja dhe Korin Akademik të Burrave, të Fakultetit Elektroteknik dhe Kompjuterik - FER, të Universitetit të Zagrebit, të cilat udhëhiqen nga kompozitori dhe dirigjenti i njohur kroat Josip Degl' Ivellio. Në këtë koncert u paraqit edhe kori "Siparantum" dhe kori i shkollës së mesme të muzikës "Halit Kaspolli" nga Peja, të cilat udhëhiqen nga dirigjenti Memli Kelmendi. Ky koncert u mbajt në kinemanë "Jusuf Gërvalla" të Pejës.

Ndërsa sonte (7 prill) kori HPD "Slavulj" dhe "FER" do të mbajnë koncert në famullinë "Zoja e këshillit të mirë", në qytetin e Klinës, për të vazhduar të dielën me 8 prill në kishën katolike "Shën Ndou" në Prishtinë. Ky koncerti i fundit mbahet në kuadër të festivalit internacional të muzikës "DAM".

Dirigjenti Josip Degl' Ivellio paraqitet për herë të dytë në festivalin DAM, vitin e kaluar ka dirigjuar me korin "Siparantum", që njëherazi ishte debutimi i parë i këtij kori. Të gjitha koncertet fillojnë në ora 20:00.

Organizator i këtyre koncerteve është kori "Siparantum Choir", nga qyteti i Pejës, kjo si rrjedhojë e bashkëpunimit në mes të dirigjentit Memli Kelmendi dhe dirigjentit Josip Degl' Ivellio nga Kroacia.

Kori "Slavulj" nga Petrinja është themeluar në vitin 1864 dhe është kori më i vjetër që ka ekzistuar gjatë 154 viteve në Republikën e Kroacisë. Është një nga iniciatorët bashkë-organizatorët dhe organizatori i pesë festivaleve të para të koreve kroate, të cilat u mbajtën në Petrinje nga viti 1968 deri në vitin 1972. Është gjithashtu bashkë-organizator i festivaleve të vogla vokale kroate, të cilat u mbajtën në Petrinje në vitin 2008, 2012 dhe 2014. Kori performon në Petrinje, Sisak, Moslavina dhe në vende dhe qytete të tjera në Republikën e Kroacisë dhe jashtë saj.

Kori Akademik i Burrave të Fakultetit Elektroteknik dhe Kompjuterik të Univerzitetit të Zagrebit u themelua më 11 janar 2016, me iniciativën e maestro Josip Degl' Ivellio dhe dekanit prof. dr. sc. Mislav Grgië. Në repertorin e tij, kori thekson literaturën klasike korale, kryesisht nga kompozitorët kroatë. Për më tepër, repertori i korit përfshin edhe kompozime të repertorit klasik nga renesanca në muzikën bashkëkohore, si dhe kompozimet klapa të polifonisë bashkëkohore popullore. Si anëtarë të korit janë të pranishëm edhe ish-studentë dhe pjesë e stafit të fakultetit, si dhe miq të tjerë të interesuar dhe mbështetës të ansamblit.

A.S.