Krijimtarisë i kam dhënë rëndësi më shumë se studimit

Kultura April 07, 2018 - 13:35

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë krijuesin e ri nga Drenica, Azem Deliun. Azem Deliu u lind në vitin 1996 në Skënderaj. Romani i tij i parë, ‘’Puthësi i paligjshëm" pati mjaft sukses në shqip dhe tani po botohet në anglisht. Romanin e dytë Deliu është duke e shkruar në Rezidencën e Artistëve në Poznan të Polonisë. Kritika e ka pritur mjaft mirë letërsinë e tij dhe e ka krahasuar me emra si Dostojevski e Kadare. Pjesë nga krijimtaria e tij janë botuar në anglisht, serbisht e polonisht.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Pse jemi? Besoj është një nga pyetjet më të vjetra dhe më të sinqerta, në mos më e sinqerta, që njerëzimi e ka bërë. Në këtë pikë nuk kam pse tregohem origjinal, edhe unë e bëj shpesh këtë pyetje. Ndoshta është pyetja më e shpeshtë që bëj, por asnjë prej përgjigjeve që jap nuk janë të shpeshta. Sepse çdoherë përgjigjem ndryshe. Nga një vizion i jashtëm, do të krijohej përshtypja e një njeriu të pasinqertë që ndërron përgjigjet. Por në këtë rast, nuk është ashtu. Pasi është më e saktë të thuhet që janë përgjigjet ato që e ndërrojnë njeriun, kur vendosen në situatë tjetër, dhe jo njeriu përgjigjen.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?


Prej kur kam filluar studimet e ndaj javën mes Prishtinës dhe fshatit tim në Skënderaj. Nga kjo kushtëzohet përgjigja ime: Udhëtimi më i zakonshëm në Prishtinë është drejt kafenesë, ku kam zgjedhur të shkruaj tash e pesë vjet. Jo drejt fakultetit, siç do të ishte e rëndomta e një studenti. Besoj se në këtë kafene shkoj shumë më shpesh sesa në fakultet, dhe kjo tregon diçka. Ndoshta që i kam dhënë krijimtarisë rëndësi më të madhe se studimit.
Në fshat është shumë më e thjeshtë. Bëj një shëtitje, që zakonisht është deri te dyqani më i afërt dhe blej diçka, që pothuajse gjithmonë është pije e jo ushqim, për t’u kthyer në dhomën time të punës, në shtëpi. E dua shumë këtë rutinë dhe, paradoksalisht, ndonëse është rutinë, më ngjan mjaft interesante.
 

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Një pyetje jashtëzakonisht e bukur, e shumë e vështirë gjithashtu. Ndoshta është ligji i pyetjeve të bukura që janë, njëkohësisht, kaq të vështira. Këtë herë do të përgjigjem me ‘’Shënime nga nëntoka’’, të Fjodor Dostojevskit, por, siç e shpjegova më lart, mos prisni përgjigje të njëjtë nëse do të më intervistoni pas ca muajsh prapë. Kjo gjë mund të ndërrojë edhe brenda ditës (megjithëse më rrallë), e natyrisht brenda javës e muajit. Sot, ky është libri më i dukshëm në vitrinën e kujtesës sime.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?


E përshkruajmë shpesh si diçka që i përket kohës sonë. Nuk jam i sigurt se është kështu. Më ngjan më e natyrshme të thuhet se, krizat e tilla e kanë përcjellë njeriun pothuajse gjithmonë. Sidomos, njeriun modern (me këtë nënkuptoj njeriun pas shekullit XIX, kur filloi epoka e shpikjeve të mëdha). E nëse është kështu, atëherë ky është normaliteti i jetës sonë. Që do të thotë se nuk ka kurrfarë krize, jemi në normalitet. E kjo pastaj përbën identitetin tonë, që do të thotë, pak a shumë, se të mos pasurit e një identiteti të qartë është identiteti ynë i vërtetë. Nuk është paradoks. Shpesh ajo që e përjetojmë si krizë, nuk është fare e tillë.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?


Po kalon sot në një udhëkryq që nuk do të jetë i lehtë. E kam këtë përshtypje si njeri që, nëse nuk ka marrë pjesë në kulturë, të paktën e ka përcjellë atë. Por siç e thashë, udhëkryqet kultura i ka pasur të natyrshme gjatë rrugëtimit të saj nëpër histori. Nëse nuk do të kisha frikën se po banalizohem, ndoshta do të mund t’i referohesha pyetjes paraprake për të thënë se këto udhëkryqe janë gjithashtu pjesë e identitetit të kulturës.
Por ne vazhdojmë të mendojmë se jemi në krizë, e mbase kjo është e mirë. Kam parashikimin se ky mendim, edhe në qoftë iluzion, do të prodhojë vepra të mira, që krijohen për t’i rezistuar kësaj krize. Pra do të përfitojmë edhe nga iluzionet, me kusht që të ruajmë një mospajtim të thellë me to.
 

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?


- E kam të vështirë të përgjigjem për njerëzimin, ndaj po përgjigjem për Kosovën, mini-njerëzimin tonë. Dje ishte keq, dhe ju e dini këtë gjë më mirë sesa ne. Sot është më mirë se dje, por nuk është mirë. Nesër, sipas kësaj logjike, do të jetë më mirë se sot. Por, prapë ‘’e mira’’ ime, s’i përmbush pritshmëritë e brezit që vjen pas meje. Siç ‘’e mira’’ e brezit të Kosovës së okupuar, s’i përmbush pritshmëritë e brezit tim sot.
 

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?
 

Piktura - The Artist’s Mother, Sleeping – Egon Schiele, këngë ‘’Përralla’’ – 403, poezinë nuk dua ta specifikoj, sepse do të kem gjithmonë një peng të mbetur, ndërsa filmi ‘’Shutter Island’’ – Martin Scorcese.

Image