Hana si simbol i forcës së gruas

Kultura April 06, 2018 - 10:34

Lokja Hanë është katragjyshja e Die Morinës nga ana e nënës dhe katragjyshja e Zgjim Zybës nga ana e babait. Këta dy artistë u bën bashkë për të prezantuar në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës historinë e paraardhëses së tyre në ekspozitën “Sikur Hana”.

Një instalacion me gjashtë fotografi dhe një audioincizim, ku mbesa tashmë 84 vjeçare e Hanës rrëfen historinë e saj, tregon se çfarë gruaje ishte Hana. Aty janë vendosur edhe një palë këpucë që i përkasin fillimit të shekullit 20, kështu për të dëshmuar që gruaja ka qenë shtyllë e familjes.

“Që të shkruhet një histori nuk mjafton që ajo të ndodhë. Gjurmët që le dhe interpretimi i narracionit janë tejet të rëndësishme për ta bërë vetë historinë. Kjo ekspozitë i bën të dukshme atributet e gruas që asnjëherë nuk i kemi shkruar e as thënë me zë”, është përshkrimi që antropologia Zanita Halimi i ka bërë kësaj ekspozite. Ky përshkrim është vendosur në xhamat e Lapidariumit si ftesë për të eksploruar këtë ekspozitë.

Fjalët e kësaj gruaje dëshmojnë për historinë e një gruaje tjetër, veprimtaria e së cilës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e saj. Siç shprehet antropologia Zanita Halimi, përmes historisë së Lokes Hanë kuptojmë që ka edhe plot histori të grave të tjera që janë shquar për guximin, dijen, largpamësinë, thellësinë e mendimit për të zgjidhur situata të vështira jo vetëm të familjes por edhe me gjerë.

Pra përmes kësaj ekspozite synohet të tregohet historia e Hanës, gruas që guxoi të merrej me tregti dhe shitblerje edhe pse në kohën kur ajo jetoi roli i gruas në shoqëri ishte krejt tjetër. Ekpozita “Sikur Hana” përmes kësaj lokeje mëton të paraqes rolin dhe peshën e grave në jetën shoqërore të një vendi. Historia e gruas që kalëronte Kalin e Shalës në fshatrat e Suharekës vite e vite më parë impresionoi publikun.

Skënder Boshtrakaj, drejtori i Muzeut të Kosovës në hapje të ekspozitës tha se kjo është më shumë se një ekspozitë e kthim mbrapa në histori. Sipas tij, është një rrëfim personal dhe përfaqësues që e nxjerr në pah loken Hanë dhe histori të shumë lokeve të tjera që kanë dhënë kontribut në jetën e tyre dhe jetën e të tjerëve edhe në rrethana të vështira.

“Ky është një rast i mirë që ta kthejmë vëmendjen tek disa histori të mbuluara nga harresa ndonjëherë edhe me injorancë dhe pse jo ta kthejmë vëmendjen tek gruaja. Unë nuk pritoj ta them se kjo dekadë e Pavarësisë së Kosovës e ka emrin Femër sepse kjo dekadë shënohet me suksesin e emrave të femrave”, u shpreh Boshtrakaj.

Ekspozita “Sikur Hana” është e digjitalizuar dhe do të jetë pjesë e ekspozitës së përhershme të Muzeut të Kosovës. A.S