Prizreni i bën konak Ministrisë së Kulturës

Kultura April 06, 2018 - 10:27

Së shpejti qyteti i Prizrenit do të bëhet shtëpi e dytë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo pasi që Kuvendi Komunal i Prizrenit ka miratuar kërkesën e MKRS-së për të marrë në shfrytëzim dy objekte komunale, ku pritet të vendoset një pjesë e stafit të ministrit Kujtim Gashi. Në Prizren është paraparë të shkojnë Kabineti i Ministrit Gashi, që edhe vjen nga ky qytet, si dhe Departamenti i Kulturës dhe ai i Trashëgimisë Kulturore, shkruan sot gazeta "Zëri".

Lajmin për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar Artan Abrashi, kryetari i Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili bëri të ditur se objekti i Internatit si dhe objekti i ish Rektoratit të Universitetit të Prizrenit i janë dhënë për shfrytëzim MKRS-së, për një afat kohor prej 15 vitesh.

“Komuna e Prizrenit ka pranuar kërkesën nga MKRS-ja për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale me qëllim të bartjes së pjesshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prizren. Në mbledhjen e mbajtur me datën 15 mars 2018, Kuvendi Komunal ka shqyrtuar dhe miratuar me shumicë votash kërkesën për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për raste të veçanta sipas Ligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale. Përmes këtij vendimi të Kuvendit u miratua propozimi i Kryetarit të Komunës së Prizrenit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, në sipërfaqe prej 977 m², i cili është i locuar në ngastrën kadastrale nr. 4559-0 ZK Prizren, nga sipërfaqja e përgjithshme prej 4895 m2 (Internati). Po ashtu në shfrytëzim i jepet edhe objekti me sipërfaqe prej 146 m², pronë e Komunës së Prizrenit, i locuar në ngastrat kadastrale nr.3198/1 dhe nr.3198/a2, ZK-Prizren, (objekti i ish Rektoratit të Universitetit të Prizrenit). Objektet e lartcekura pronë komunale, i jepen në shfrytëzim afatshkurtër pa kompensim, për vendosjen e pjesshme të  Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatje prej 15 viteve, me mundësi vazhdimi. Pas vlerësimit pozitiv të ligjshmërisë së aktit nga MAPL, vendimi ka hyrë në fuqi dhe pas nënshkrimit të kontratës i takon Ministrisë në fjalë ndërmarrja e hapave për zhvendosje”, ka thënë Abrashi.

Edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se tashmë kanë filluar përgatitet për zhvendosje. Samir Hoxha, këshilltar i ministrit Gashi, tha se shumë shpejt do të organizohet edhe ceremonia e zhvendosjes.

“Zhvendosja e MKRS-së në Prizren mbetet përkushtim i yni si kabinet. Në përputhje me përkushtimin tonë si ministri për të bërë decentralizimin e ofrimit të shërbimeve nëpër të gjitha regjionet e Republikës, tani më jemi në fazën finale të përgatitjeve për të filluar hapin e parë të zhvendosjes së një pjesë të stafit të MKRS-së në qytetin e Prizrenit. Siç edhe mund ta dini MKRS ka adresuar dy herë shkresa në drejtim të Komunës së Prizrenit për shfrytëzimin e dy ndërtesave, të cilat do shërbenin për vendosjen e një pjese të stafit të MKRS-së. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Komunale të Prizrenit është marrë vendim që MKRS-së t'i jepen në shfrytëzim dy ndërtesat, ajo e ish Rektoratit të Universitetit të Prizrenit si dhe ndërtesa e ish Xhandarmërisë. Marrë për bazë këtë fakt, konsideroj se tani më janë plotësuar disa prej kushteve themelore procedurale dhe infrastrukturore për të filluar procesin e zhvendosjes së një pjese të MKRS-së në Prizren. Andaj së shpejti do ta njoftojmë opinion publik në lidhje me ceremoninë, e cila do të organizohet me rastin e zhvendosjes së një pjese të stafit  të MKRS-së në qytetin e Prizrenit”, tregoi Hoxha.

Qeveria e Kosovës pati miratuar kërkesën për bartjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren më 3 tetor të vitit 2017. Për gazetën “Zëri” ministri Kujtim Gashi pati thënë se bartja e do të kryhet në dy faza. Sipas tij kjo bartje nuk do të shkaktojë probleme brenda stafit, pasi që dy departamente që planifikohen të barten nuk kanë numër të madh të punëtorëve dhe udhëtimi do të organizohet.

“Fillimisht do të bartet Kabineti i Ministrit, në fazën e parë dhe pastaj parashihet që në fazën e dytë të bartet Departamenti i Kulturës dhe ai i Trashëgimisë Kulturore”, ka theksuar Gashi.

Ndryshe, zhvendosja e një pjese të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren paraqet një praktikë të re ngaqë deri më tani Qeveria e Kosovës ka qenë e përqendruar me të gjitha ministritë vetëm në Prishtinë. Pati edhe zëra që këtë vendim e konsideruan si politik por edhe simbolik. Zëri