Dita Botërore e Poezisë i dedikohet Basri Çapriqit

Kultura March 21, 2018 - 10:29

Datën e sotme, 21 mars, UNESCO-ja e ka deklaruar Ditë të Poezisë, me qëllim që me këtë datë të kujtohet dhe të promovohet leximi, shkrimi, botimi, si dhe mësimi rreth poezisë në mbarë botën. Sipas organizatës UNESCO, për Ditën e Poezisë duhet dhënë njohje të reja dhe lëvizje shtytëse kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, ku bukuria e poezisë të promovohet dhe të tregojë se çfarë mund të shprehë dhe çfarë mund të kontribuojë kjo fushë e letërsisë, shkruan sot gazeta "Zeri".

Sivjet në Prishtinë, kjo ditë i dedikohet poetit Basri Çapriqi, i cili vdiq në janar të këtij viti. Studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, ku Çapriqi ishte ligjërues, në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre, organizojnë aktivitetin kulturor të pagëzuar "Mesdita poetike". Ky aktivitet do t’i kushtohet poetit, studiuesit dhe profesorit Basri Çapriqi, i cili në muajin janar të këtij viti iku në amshim. Me këtë rast, duke e nderuar jetën dhe veprën e poetit, do të lexohen pjesë nga krijimtaria e tij letrare, si dhe poezi përkushtimi për të. Gjithashtu, studentët do t’i lexojnë krijimet e tyre. Takimi letrar do të mbahet më 21 mars 2018, në orën 12.00, në ambientet e Fakultetit të Filologjisë.

Një aktivitet për nder të Ditës së Poezisë do të mbahet edhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Aty me fillim nga ora 11:00 do të promovohet një libër i shkrimtarit të ndjerë për fëmijë, Gani Xhafolli, i përgatitur nga Reshat Sahitaj e Asllan Qyqalla.

Në anën tjetër, klubi letrar “De Rada”, në qytetin e Ferizajt, organizon një orë poetike, ku 33 poetët konkurrues do t'i lexojnë poezitë e tyre dhe në fund do të shpallen fituesit. Kjo orë poetike mbahet në Qendrën e Kulturës në Ferizaj, me fillim nga ora 16:00.

Kjo ditë do të shënohet edhe në Gostivar të Maqedonisë. Atje galeria “KULT” organizon leximin letrar “KULT Poetica”, ku do të marrin pjesë shumë shkrimtarë. Ngjarja mbahet me fillim nga ora 19:00, në galerinë “KULT”.

Sipas shkrimtares Ilire Zajmi, është e rëndësishme që kjo ditë të shënohet, por për gazetën “Zëri” ajo thekson se do të duhej që aktivitet për Ditën e Poezisë të organizoheshin edhe nga institucionet e ndryshme kulturore, e jo siç ndodhë rëndom, në baza vullnetare.

“Dita Botërore e Poezisë, është një mundësi e mirë për të kujtuar hyjneshën e fjalës. Vet qëllimi i shënimit të kësaj dite, është  konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe  vendosjen e urave lidhëse  mes poezisë dhe formave të tjera të artit. Por gjithashtu të  mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ata dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin në shoqëri. Kjo  ditë feste e poezisë ish dashur të bëhej  përmes aktiviteteve kulturore  nga shoqatat e shkrimtarëve,  shtëpive  botuese, komuna, muzeu, biblioteka etj., edhe në Kosovë,  por, kur i është  dhënë rëndësi kulturës në vendin e kapluar nga injoranca? Si përherë organizohen  aktivitete të organizuara  kryesisht në baza vullnetare, dhe këto nisma janë për t'u vlerësuar.  Poezia është art elitar,  dhe  poezi cilësore  nuk ka shumë. Kjo dhe për vetë specifikën e poezisë,  por edhe për faktin se  mungon vëmendja për këtë zhanër dhe nuk çmohen poetët sa duhet.  Prandaj ka  nevojë për ndryshim, për t’i dhënë poezisë vendin që, me të drejtë, i takon, jo vetëm më 21 mars”, përfundon Zajmi.

Edhe sipas shkrimtarit Ndue Ukaj poezia do të duhej të ishte më prezente dhe poetët më aktivë në jetën shoqërore.

“Dita Botërorë e Poezisë duhet të shërbejë si moment për të reflektuar lidhur me mbretëreshën e arteve, për rëndësinë që ka ajo në formimin e një shoqërie, me mjetet e saja të veçanta, që janë bukuria e gjuhës dhe e stilit. Dihet, letërsia ndikon jashtëzakonisht shumë në formimin e ideve tona për jetën, prandaj edhe duhet ta trajtojmë me shumë kujdes.  Që nga antikiteti i hershëm e gjer me sot, është thënë dhe përsëritur se, poezia është një nga format më të larta të aktivitetit intelektual, siç thoshte T. S. Elioti, dhe si e tillë, ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në emancipimin e shoqërisë.

Edhe në kulturën dhe në identitetin shqiptar, poezia ka ndikuar jashtëzakonisht shumë. Në secilën stinë. Madje, në periudha të ndryshme, ka qenë prijatare e ideve kulturore, kombëtare e politike, siç ishte periudha e Rilindjes Kombëtare. Në zagushinë tonë mbytëse dhe në atmosferën e rëndë shoqërore, do të duhej që poezia të ishte më aktive, poetët më ngulmues, madje edhe duke u përzier në punët e shtetit e të kombit, meqë shoqëria ka nevojë për ta, dhe, për të vërtetat që i plason letërsia në një formë të veçantë.

Shënimi i kësaj dite duhet të shërbejë për të afirmuar këtë art, për ta bërë sa më të afër me lexuesit e gjitha shtresave, gjithnjë duke e kthyer vëmendjen te rëndësia ontologjike dhe raporti specifik që ajo krijon me njeriun”, thekson ai.

Dita Botërore e Poezisë, para kësaj date është festuar në muajin tetor, kryesisht më 15 tetor pasi është ditëlindja e poetit roman Virgjilit. Kjo traditë vazhdon ende të festohet në disa shtete, si në Britani, aty ku kjo ditë festohet më 5 tetor. Kombet e Bashkuara e mbështesin diversitetin gjuhësor nëpërmjet shprehjes poetike që u ofron gjuhëve mundësinë për t'u dëgjuar. Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, kishte dhënë mesazh, se në këtë datë nderohen burrat dhe gratë që imagjinojnë, veprojnë dhe instrument të vetëm kanë fjalën e lirë. “Poezia është ajo që u jep fjalë gjërave për të cilat një emër është i pamundur të gjendet. Duke i dhënë emër si bukurisë së padepërtueshme që na rrethon, mjerimi dhe dhimbjet e botës, poezia kontribuon në zgjerimin e humanitetit tonë të përbashkët, duke ndihmuar në rritjen e solidaritetit dhe ndërgjegjësimit të njeriut”, ishte mesazhi i Irina Bokova.

Gjithashtu, organizata “PEN International” që është një shoqatë e shkrimtarëve nga e tërë bota, e themeluar në Londër në vitin 1921 që ka për qëllim nxitjen e miqësisë dhe bashkëpunimin midis shkrimtarëve kudo, e shfrytëzon këtë ditë për të nxjerrë në pah burgimin, vrasjet dhe abuzimin ndaj poetëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve në mbarë botën. Zëri