Kosova po prezantohet denjësisht në Paris

Kultura March 19, 2018 - 12:27

Në Paris të Francës po vijon edicioni i 38-të i panairi i librit “Livre Paris” ku bashkë me shkrimtarë, botues, kritikë e lexues nga gjithë bota po prezantohet dhe Kosova me stendën e saj “1-L86”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Stendën e Kosovës në panairin e Parisit e ka vizituar edhe ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi. Përmes rrjetit social Facebook ai ka shpërndarë disa fotografi ku shihet në takim me disa botues kosovarë dhe dashamirë të librit.

“Pata kënaqësinë që ta vizitoj sot stendën Buzuku të Kosovës në ‘Salon du Livre Paris’ dhe ta përgëzoj shtëpinë botuese ‘Buzuku’ për punën e bërë”, ka shkruar ndër të tjera ambasadori Gashi.

Për vizitën e tij në këtë panair Gashin e ka falenderuar botuesi Abdullah Zeneli, duke thënë se libri duhet të jetë një nga prioritetet e diplomacisë shtetërore.

“Ju falemnderit Zoti Qëndrim Gashi, ambasador i Kosovës në Francë që nderuat me praninë tuaj stendën e Kosovës në Livre Paris! Edhe libri duhet të jetë një nga prioritetet e diplomacisë shtetërore, sidimos në Livre Paris! Kosova nuk është përjashtim por pjesë e zhvillimeve letrare, koherente me një fjalë! Kosova ka ekskluzivitetin e botimit të Goncourt 2014, 2015, 2016 dhe 2017, po edhe të Nobelit 2014, Modiano, 2008, J. M. G. Le Clézio etj. Në këtë panair erdhën nga Kosova edhe Nobeli i parë 1901, pothuajse i harruar, Sully Prudhomme, i 4-ti 1904, Frédéric Mistral po edhe autorë të tjerë shqiptarë e të huaj (brazilianja Laura Erber!)... Kënaqësi e veçantë prania e autorëve Çun Lajçi, Valentina Saraçini, Ismail Syla, Haxhi Kraki... Përurime dinjitoze në hapësirat madhështore të Livre Paris”, shkruan Zeneli.

Në kuadër të stendës së Kosovës në Paris po prezantohen rreth 150 tituj, mes tyre edhe disa tituj të rinj.

Panairi i librit në Paris është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropë. Në një sipërfaqe prej 55,000 metra katror, në Parkun e Ekspozitave në Porte de Versailles, çdo vit në pranverë, mirëpret rreth 1.200 botues dhe 2.000 autorë nga 37 vende dhe ofron 500 takime me shkrimtarë. Vizitorët e panairit mund të zbulojnë të gjitha shtëpitë botuese franceze dhe ndërkombëtare, me rreth 500 stenda dhe sportelet e përbashkëta tregtare. Zëri