“Agnus Dei” fitoi çmimin e 100-të me radhë

Kultura March 15, 2018 - 10:34

Filmi kosovar “Agnus Dei” me skenar dhe regji të Agim Sopit, është shpallur si “Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë (Mejor Largometraje de Ficcion) në “El Festival de Largos y Cortos de Santiago,”, i cili ka përfunduar të martën me mbrëmjen solemne të ndarjes së çmimeve në Republikën e Kilit. Filmi kosovar “Agnus Dei” ka fituar edhe çmimin e “Fotografisë më të mirë” (Mejor Fotografia) i cili shkon për drejtorin e fotografisë, Menduh Nushi.

Me këto dy çmime të fituara në këtë festival filmi “Agnus Dei” mbledh në bagazhin e vet plot 100 çmime të fituar nëpër festivale të ndryshme.

Festivali pesëditor i cili ka bërë emër në Santiago të Kilit, ka arritur të tuboj më shumë se 10.000 shikues dhe më shumë se 200 kineast të ftuar nga rajoni e bota. Në natën finale, juria ndërkombëtare e përbërë nga shtatë natarë ka vlerësuar 42 filma të përzgjedhur në programin zyrtar dhe ka ndarë  këto çmime: “Për Filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër”, çmimin e ka fituar filmi “E ‘Ancentor’s Day” i Nataliya Stoltidis nga Rusia,  “Për filmin më të mirë dokumentar” çmimin e ka fituar “Diez Historias en Abril” i regjisorit Fabricio Teran Velez nga Ekuadori, “Për filmin më të mirë eksperimental”, çmimin e ka fituar filmi “Alchemy” i regjisorit Brandon Polanco nga Shtetet e Bashkuara, kurse çmimin “Për filmin më të mire të metrazhit të gjatë” siç thamë, e ka fituar filmi “Agnus Dei” i regjisorit Agim Sopit nga Kosova.

Në kategoritë individuale, çmimin e skenarit më të mirë e ka fituar Marco Stefano për filmin “Diario Olvidado” nga Kili, aktori më i mirë është shpallur Ian Kevin Scott për filmin “Alchemy” nga SHBA, aktorja më e mirë Violeta Orgaz për filmin “Llegar”, regjisori më i mirë Hong Heng Fai për filmin “Crash”, kurse drejtori më i mirë i fotografisë Menduh Nushi për filmin ‘Agnus Dei’.

Në mungesë të autorëve nga Kosova, në emër të Komitetit Artistik të Festivalit, çmimet për filmin kosovar i ka pranuar Maryoris Acosta Perez. Vlen të përmendet se në mesin e emrave të njohur të kineastve kilean, pjesë e Komitetit Artistik të Festivalit Santiago de Chile, është edhe regjisori Sebastian Lelio fitues i Çmimit Oscar “Për filmin më të mire të huaj 2018” që ishte filmi i tij “A Fantastic Woman”.