“A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?”

Kultura March 14, 2018 - 10:11

Për pjesën e mbetur të muajit mars, hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës janë rezervuar për një ekspozitë të veçantë. Bëhet fjalë për ekspozitën “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?” të artistit Agron Blakçori, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kjo ekspozitë hapet këtë të enjte në Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke filluar nga ora 19:00, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 1 prill.

“A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?” ka filluar me një imazh të një peizazhi urban, një fotografi e cila është shkrepur nga artisti afër shtëpisë së tij në Podujevë të Kosovës. Fotografia është prekëse; ajo paraqet një “intervenim” të rëndomtë të mbeturinave të njerëzve dhe natyrës. Një strukturë delikate dhe e brishtë e ndërtuar nga plastika dhe degë të thata, duke kaluar nëpër hapësirë, duke krijuar një ndjenjë të perspektivës. Prapa, në plan të tretë, shtëpi të reja të cilat sapo janë ndërtuar nga një ekonomi artificiale, paraqiten të ndara dhe të mbrojtura nga një muri brenda hapësirës kolektive të mbyllur.

I pyetur nga gazeta “Zëri”, artisti Blakçori tregon se ekspozita titullin e ka marrë pikërisht nga ajo fotografi e realizuar, ku shihet ambienti i papastër në qytetin e tij. Tutje ai thekson se arti është mënyra e tij për të reaguar ndaj dukurive negative, si kjo e papastërtisë së ambientit.

“’A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?’ është titulli i një vepre arti. Kjo vepër arti është fotografi që e kam bërë afër shtëpisë sime. Siç e dini ne jetojmë ende në një ambient të ndotur e me shumë mbeturina, por një ditë, teksa kaloja andej, vendosa ta shoh ndryshe këtë pamje, ta imagjinoja jo si mbeturina. Ky është reagimi im për ambientin ku jetojmë. Të gjitha veprat e mia janë reagim ndaj dukurive negative”, tregon Blakçori.

Ekspozita “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?” përfshinë disa mediume arti. Aty zënë vend fotografitë, video, vizatimet e skulpturat.

“Në këtë ekspozitë shumica e punimeve janë instilacione. Ekspozita përmban dy fotografi, një video, disa vizatime dhe disa skulptura. Janë gjashtë hapësira (dhoma) dhe punimet janë të lidhura me njëra-tjetrën, kështu që nuk mundet të definohet saktë numri i punimeve”, sqaron Blakçori.

Kurse kur pyetet se nëse ka ndonjë punim që për të si autor është më i veçantë, artisti nuk mund t’i dallojë. “Secili punim i paraqitur në këtë ekspozitë ka një fillim shumë më herët, dhe secili paraqet një preokupim personal të veçantë. Nuk mund ta veçoj ndonjë’, thotë Blakçori.

I diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, me master në skulpturë, kryesisht punët e Blakçorit janë të inspiruar nga objektet dhe situatat në rrugë, përballja në të cilin artisti i jep kuptim asaj e cila ka mbetur e fshehur nga njerëzit e tjerë, të cilët e kanë injoruar. Agron Blakçori është po ashtu fitues i edicionit të pare të Artistëve të rijnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në vitin 2016. Sipas tij, shpërblimi me këtë çmim është motivues dhe të hap shumë mundësi të reja për ekspozimin e punimeve.

Megjithatë, si artist atë e preokupon mungesa e hapësirave ekspozuese në vendin tonë. Ai përmend mungesën e galerive të artit nëpër komuna dhe vështirësitë që artistët kanë për të depërtuar.

“Ne kemi artistë të talentuar por me mundësi të vogla për ta treguar veten. Mungesa e hapësirave për ekspozim është problem. Në shumicën e Komunave të Kosovës nuk ka as Galeri të Artit dhe kjo është një handikap për artistët pamor”, thekson Blakçori                                                               

Agron Blakçori pas vetës ka edhe tri ekspozita të tjera personale, pra ekspozita “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?” është ekspozita e tij e katërt. Ai gjithashtu ka marre pjesë edhe në disa ekspozita kolektive. Zëri