Çdo ditë e imja fillon me muzikë

Kultura March 12, 2018 - 09:57
Balerina Aulonë Nuhiu flet për këngët e preferuara

Kësaj radhe në rubrikën javore “Rrëfej përmes muzikës“, prezantojmë Aulonë Nuhiun, balerinën nga Trupa Kombëtare e Baletit. Si një artiste e vallëzimit, padyshim që muzika ka pasur rol të rëndësishëm në jetën e saj. Përmes lëvizjeve skenike Nuhiu ka arritur të njohë detajisht veprat e kompozitorëve të mëdhenj.

 “Muzika është pjesë e pandashme e jetës time, qysh prej e vogël, çdo ditë e imja ka filluar me muzikë. Në përgjithësi më pëlqejnë të gjitha zhanret e muzikës, por e dalloj muzikën klasike, ndoshta pse lidhet shumë me profesionin time si balerinë, por edhe gjatë kohës që nuk jam në sallë të baletit, në ushtrime dhe prova, dëgjoj edhe lloje të tjera të muzikës“, thotë Nuhiu.

Për shkak të profesionit të saj, Aulona është e lidhur me muzikën klasike, por listës së saj me dhjetë këngët e preferuara nuk i mungojnë edhe zhanret e tjera.

Rovena Dilo - Ante i tokës time

E veçoj këtë këngë, sepse kur kam qenë e vogël, e kam dëgjuar gjatë gjithë kohës edhe e kam kënduar çdo ditë. Edhe ëndërroja ta këndoja në të njëjtën mënyrë sikur Rovena.

Nexhmije Pagarusha - Baresha

Është një këngë shumë e bukur e një këngëtareje shumë të madhe. E dalloj, sepse e kemi pasë edhe pjesë të shfaqjes “Dasma“, që ka qenë njëra ndër shfaqjet më të suksesshme e Baletit Kombëtare të Kosovës, ndaj edhe gjithmonë e kemi kërcyer atë pjesë me shumë kënaqësi.

Mariza- Chuva

Është një këngë shumë e bukur dhe sa herë e dëgjoj në mendje bëj koreografi të ndryshme si zakonisht. Të gjithë balerinët e bëjnë këtë gjë. E disa nga këngët e kësaj këngëtareje i kemi edhe në një shfaqje moderne “Dashuria që vret¨ dhe gjithmonë i kam vallëzuar me shumë kënaqësi.

Maria Mena - Habits

Është një këngë që më kujton udhëtimin në Itali. Edhe ende, sa herë që e dëgjoj, më kujtohen ato ditë shumë të bukura që kam kaluar atje. Zakonisht këngët e ndryshme më kujtojnë udhëtime të shumta nëpër vende të ndryshme,

Yasemin Levy - Perdono

Është një nga këngëtaret që i adhuroj. Edhe kjo është kënga që e veçoj edhe që e dëgjoj gjithmonë në mbrëmje kur kthehem në shtëpi e lodhur prej provave.

Tarman - Yemin Ettim

Nuk është se dëgjoj shumë këngë turqisht, por kjo është kënga që më pëlqen, sepse gjithmonë ma kujton Stambollin, njërin prej vendeve të preferuara, të cilin edhe e vizitoj shumë shpesh.

Maluma - Corason

Më pëlqen shumë të vallëzoj salsa e gjithashtu më pëlqen edhe gjuha spanjolle shumë, e kjo është njëra prej këngëve që më pëlqen të vallëzoj me të.

 

The Weeknd – I feel It Coming

Edhe pse ka disa vite që është kjo këngë, unë ende e dëgjoj me kënaqësi, sepse më jep një energji të mirë.

Bujar Qamili dhe Rosela Gjylbegu - Po të jemi bashkë ne të dy

Kemi shumë këngë të vjetra, të bukura, por unë e dalloj këtë këngë në këtë version. Më pëlqen shumë.

Chpopin - Spring Waltz

Po e përmbylli me muzikë klasike, sepse kjo më shoqëron gjatë gjithë kohës. Është muzika e Chopin - Spring Waltz. Një muzikë shumë relaksuese që zakonisht e dëgjoj para gjumit, për një gjumë të mirë.

Image