'Ura me tri harqe' e Kadaresë vihet në skenë në Francë

Kultura March 10, 2018 - 11:59

Për gjashtë ditë me radhë, nga data 13 e deri më 18 mars, “Théâtre le Colombiers”, në Francë, do të mirëpresë një tekst shqiptar.

Adaptuar nga romani i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, “Ura me tri harqe” dhe përkthyer nga Jusuf Vrioni, do të jepet në Francë shfaqja “Le Pont”.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre paraqiten aktorët Arben Bajraktaraj, Rexhep Mitrovica dhe Cinzia Menga. Tre personazhe që së bashku marrin pjesë në një mit për të bashkuar historiken, legjendaren dhe universalen. Një urë është gati të ndërtohet, por gjithmonë sabotohet puna e saj dhe fshati futet në keqkuptim, në fascionim dhe frikë. Një botë e burrave që janë të obsesionuar me vdekjen, shfaqja është një përrallë moderne ku interesat politike lidhen me Ballkanin.

Regjia e shfaqjes është realizuar nga Simon Pitaqaj, ndërsa për muzikën është përkujdesur kompozitori dhe muzikanti nga Kosova, Liburn Jupolli.

Premiera e shfaqjes vjen me 13 mars në “Theatre “Le Colombier” – 20 rue Marie – Anne Colombier, 93170 Bagnolet. Romani “Ura me tri harqe” është konsideruar si një reagim shqiptar ndaj fituesit serb të Çmimit Nobel – “Na Drini ëuprija” të Ivo Andriqit. Shfaqja “Le Pont” është dhënë premierë në vitin 2015-të.

Tekstet e shkrimtarit Ismail Kadare vazhdimisht përshtaten për t'u përdorur në mediume të tjera të artit, përfshirë këtu teatrin dhe filmin. Disa nga romanet e tij që janë jetësuar nga aktorët, janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, e të tjerë.

 

Romani “Ura me tri harqe” është botuar për herë të parë më 1978, në Tiranë. Me këtë vepër autori u kthehet zanafillave mitike të historisë së Shqipërisë për t'i dhënë jetë njërit prej motiveve më të mahnitshme të legjendave ballkanike dhe shqiptare, murimit.

Rikujtojmë se Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit “Nobel” për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale. Vepra e tij është përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja.