Dardania ndodhet brenda një lufte tjetër

Kultura March 10, 2018 - 08:02

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë Bit Gecajn, i lindur në Mitrovicë, i njohur si poet, publicist dhe botues. Ka studiuar filozofinë dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht jeton dhe punon në Zvicër. 

Cilën pyetje më shpesh ia bëni vetës?

Nuk i bëj pyetje vetes. Jo për tjetër, por kam frikë se mund të jem subjektiv. Dhe subjektivizmat dihet se ku na çojnë! Gjithsesi, nëse ndonjëherë i kam bërë pyetje vetes, ose do t'i bëj, ajo do të ishte: Pse nuk kam lexuar më shumë?!

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Nëse më pyesni për një udhëtim, atë shpirtëror, ju them se është i gjatë, madje shkon larg, shumë më larg, dhe jo veç prapa kohës sonë! Ndërsa kjo pjesa tjetër, teknike, fillon nga shtëpia, me kafenë e zakonshme të mëngjesit dhe punët e tjera të përditshmërisë, që lidhen me ekzistencën, profesionin, etj., pa harruar edhe takimet e mundshme me miq, ku nuk mungon biseda për ndonjë libër të ri, ose për politikën, si shkencë, të cilën ne shqiptarët e kemi goxha të rëndë!

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj? 

Hëm, kujtesa ime është goxha e rënduar me libra, që rrinë dukshëm dhe mrekullisht në vitrinën time. Po e filloj me “Njëqind vjet vetmi“, të Markesit, për mua një kryevepër e letërsisë botërore, nga një autor gjenial, një shkrimtar e rrëfimtar plot fantazi, e me një potencë figurative monumentale. Përtej kësaj, kur e kam lexuar, titulli i këtij libri “Njëqind vjet vetmi“, pa hyrë në brendinë e tij, kam menduar për autorin, gjetjen e këtij titulli domethënës, për kohën që është shtrirë brenda asaj gjoja harrese, të mbushur me plot kujtesë, që me të drejtë thuhet e mendohet, se libri të krijon përshtypjen se bota zanafillën brenda saj e ka! Veç tjerash, të lexuarit e librave të tillë, e ndonjë tjetër si ky, janë një qortim ose vërejtje, se në asnjë kohë, një shkrimtar nuk mund të ketë privilegjin për të heshtur gjatë.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Shqiptarët nuk kanë pse të kenë krize morale e as identitare. Ata nuk janë racë që banojnë diku në vend të paemër. Nuk janë pa histori, pa letërsi e gjuhë, pa kulturë të përgjithshme, pa tradita, pa letërsi, art. Pra i kanë të gjitha atributet, që së pari e bëjnë qenien humane e njerëzore, pastaj Atdheun me emër dhe kombin me identitet!   Realiteti nëpër të cilin po kalon shoqëria shqiptare është i rendë, veçmas në rrafshin social, zhvillimor dhe ekonomik, të cilët dihet se janë shkaktarët e krizave të tjera shoqërore. Dardania ka kaluar një luftë të rëndë, dhe është brenda një lufte tjetër po aq të rëndë e armiqësore kundrejt saj, që ka të bëjë kryesisht me identitetin e saj kulturor, po dhe atë politik. Kjo luftë synon të krijon identitet tjetër, për e rreth nesh, kudo në arenën ndërkombëtare, por ka edhe synime të tjera që kanë të bëjnë me sigurimin e hapësirave të ndikimit përbrenda shoqërisë shqiptare, për çështje të caktuara dhe për defunksionalizimin e shoqërisë sonë. Ndikimi në këtë rrafsh është aq i madh, sa paradoksalisht janë shfaqur emisarë, gjoja fetarë, të cilët kontestojnë heroin tonë nacional Gjergj Kastriotin Skënderbeu. Pastaj të tjerë që thonë se Nena Terezë nuk ishte tjetër veçse një grua e përdalë. Se tokë e shenjtë për shqiptarët na qenka ajo e “Shamit” dhe jo Dardania, etj. Të dhënat shkencore flasin se shqiptarët kanë pasur shkolla edhe para ekzistimit të Universitetit të Durrësit, në shekullin e XIV, dhe civilizimi i tyre është i lashtë sa vetë njerëzimi, në gadishullin ilirik. Andaj këto kriza janë momentale, por shoqërisë shqiptare i mbetet të punojë shumë për të rikthyer shkëlqimin që është yni.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj? 

Kultura në aspektin e përgjithshëm është një spektër i gjerë, por unë po mundohem të prek diçka nga ajo dhe po përpiqem të bëj një krahasim, ose evidencim, që flet për zhvillimin e kulturës sonë, në raport me botën. Nëse flasim për artet pamore, për pikturën, fotografinë, por edhe kinematografinë, kujtoj se tek ne ka zhvillime. Sigurisht që janë minimaliste dhe nuk vërehen, sepse jemi larg popujve të tjerë. Por, ka edhe faktorë të tjerë, p.sh. zhvillimi ekonomik dhe ndikimet politike, të cilat ndikojnë thellë që një pjesë e zhvillimeve tek ne të mos vërehen e as promovohen. Kujtojmë këtu mospranimin e Dardanisë në Unesko, që na përjashton dhe na lë të çalë edhe në sfera të tjera.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Nuk po shkoj më larg, po ndalem te shekulli XX, i cili ishte ndër shekujt më barbarë për njerëzimin. Pra dominimi i arsyes ka munguar plotësisht. Uroj që shekulli XXI të duket krejt ndryshe, edhe pse tendencat e zhvillimet e para të këtyre viteve nuk janë shumë pozitive. Gjithandej luftohet, për dominim dhe për shumëçka tjetër, që nuk mund të quhet normale. Tash në horizont po shfaqet prodhimi i Intelegjencës Artificiale, për të cilën po thuhet se do të na shpjerë para në zhvillimet e përgjithshme, dhe do të jetë ndihmesë e madhe për njeriun. Por, ka zëra skeptikësh, që nuk përjashtojnë që kjo lloj intelegjence edhe mund të keqpërdoret dhe se pasojat mund të jenë më të mëdha se përfitimet. Por, unë besoj e shpresoj, që në këtë shekull nuk do të dominojë logjika e shekullit XX.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar? 

Më kanë bërë përshtypje të vecantë: Piktura “Zambakët e ujit” i Claude Monet, poezia ,,Gjuha shqype,, e Gjergj Fishtës, kënga “Baresha,, e Rexho Mulliqit, dhe filmi ”Patrioti” me Mel Gibson.