Veshja zymiane si artefakt kulturor

Kultura March 07, 2018 - 12:08

Arsim Canolli

Para disa kohe doli libri “Veshjet në Zym të Hasit” i autorit Frrok Kristaj, i botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve nga Zymi i Hasit.

"Veshjet në Zym të Hasit" (2017) vjen si një studim tipologjik, i ngjeshur me përshkrime të hollësishme të veshjes zymiane, me fokus te funksioni dhe simbolet. Pos tjerash, libri mëton të ofrojë një pamje të vazhdimësisë tipologjike të veshjes zymiane dhe ndryshimeve aktuale mbi këtë variant. Libri përshkruan variantet e veshjeve, veshatoret, veglat e punës dhe materialet, pjesët e veshjeve, format e rregullimit të kokës, dallimet e veshjeve sipas besimeve, dhe një sërë aspektesh tjera të veshjes zymiane. Duhet cekur se në këtë libër i kushtohet vëmendje veshjes së femrave zymiane, si thekson autori, që numëron mbi 10 variante, secila duke shprehur gjendje emocionale, status shoqëror, etj.

Pa dyshim se pikëpamja e autorit mbi veshjen si artefakt kulturor, qasja dhe metodat studimore, mënyrat e krahasimit dhe interpretimit, mund të jenë një grishje e mirë për diskutim dhe shqyrtim të mëtutjeshëm. Dhe sidomos në prani të një diskutimi të gjerë antropologjik mbi autenticitetin, identifikimin, vazhdimësitë, ndryshimet në kontekst të veshjes si 'artefakt kulturor'. Prandaj, qoftë në këtë kontekst, qoftë në kontekst specifik të tipologjisë së veshjes, libri përndjell lexim e shqyrtim, që mund të jetë vetëm i frytshëm.

Libri është mjaftueshëm i ilustruar me fotografi të veshjeve zymiane në kohëra të ndryshme gjatë 70 viteve të fundit. Megjithatë, shquhen edhe fotografitë e koleksionit të veshjeve të koleksionistes dhe valltares Lajde Kajtazi Kolgjeraj, nga ansambli “Katarina Josipi”, në Zym, e cila njihet si një ndër koleksionistet më të kujdesshme të veshjes zymiane.

Pos kësaj, libri lexohet si prozë e rrjedhshme me plot emërtime, shpeshherë të harruara, të pjesëve të veshjeve, të cilat i shtojnë freski fjalorit kostumografik sot.

Si i tillë, libri është një referencë e nevojshme e kandit të antropologjisë në bibliotekën shqipe.