Filmi për Adem Jasharin zgjon debat të madh

Kultura March 07, 2018 - 12:02

Në këtë mars, kur po shënohet 20-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktit heroik të familjes Jashari, po diskutohet më shumë se kurrë mungesa e një vepre kinematografike që tregon se çfarë ka ndodhur në Prekaz, në marsin e vitit 1998, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kanë kaluar 20 vite dhe shumë filma të realizuar në Kosovë janë frymëzuar nga lufta e fundit, por ende kinematografisë kosovare i mungon filmi i metrazhit të gjatë për familjen Jashari. Në anën tjetër, nëpërmjet mediumeve tjera, siç janë librat, ekspozitat e fotografitë, kjo ngjarje është dokumentuar dhe prezantuar disa herë.

Rreth katër vite më parë, regjisori Luan Kryeziu, u zotua se do të jetësojë përmes një filmi të gjatë artistik figurën e komandantit Adem Jashari. Në vitin 2014 Kryeziu dhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, u takuan edhe me përfaqësues të familjes Jashari. Regjisori Kryeziu pati deklaruar se ka marrë edhe pëlqimin e familjes Jashari për këtë film.

Por ditët e fundit, një deklaratë e regjisorit Kryeziu, ku thotë se interesim për ta luajtur rolin e Adem Jasharit ka shprehur edhe aktori  i njohur Rade Šerbedëija, por është refuzuar për shkak të nacionalitetit, ka nxitur reagime të shumta, pro dhe kundër. Në debate të ndryshme, kryesisht në rrjetet sociale, kishte prej atyre që e vlerësonin aktorin Šerbedëija për vlerat e tij artistike dhe thoshin se nuk do të duhej refuzuar, kurse të tjerët mendonin se më e përshtatshme do të ishte që roli i Adem Jasharit t’i jepej një aktori shqiptar. 

Përveç kundërshtimeve që bazohen në përkatësinë etnike të aktorit, ka pasur edhe argumente të tilla, siç është diferenca në moshë e aktorit me moshën që kishte Adem Jashari kur vdiq, bazuar në faktin se Adem Jashari u vra kur ishte 43 vjeç, kurse sot aktori  Šerbedëija ka 73 vjet. Kështu e ka komentuar rastin edhe regjisori Kastriot Saqipi.

“Rade Šerbedëija nuk i plotëson kushtet të luajë heroin tonë për shkak të moshës që ka dhe në pamje vizuele mendoj se del shumë jo reale. Ja për shembull një aktor shumë i mirë, që mua po më bie në mend tash është Avni Dalipi”, ka shkruar Saqipi.

Po të martën, siç njofton portali b92, Rade Sherbexhija ka refuzuar të luajë rolin e komandantit legjendar Adem Jashari. Sipas këtij portali të njohur serb, Sherbexhija ka refuzuar të luajë këtë rol me motivin se "nëse ai pranon të luajë rolin në filmin për Adem Jasharin, atëherë e gjithë bota do ta pranojë Adem Jasharin"

Në anën tjetër regjisori Ben Apolloni mendon se fakti që kanë kaluar 20 vite dhe një film për Jasharët nuk është realizuar, nuk do të thotë se duhet ta bëjmë një të tillë me nxitim.

“Një film për familjen legjendare të Jasharëve është vështirë ta bësh. Kanë kaluar 20 vite prej se ata hynë në legjendë dhe besoj që do të duhen edhe 20 vite e më shumë që ne të bëhemi gati që të bëjmë një film si duhet për ta. Bëmat e tyre nuk vjetrohen asnjëherë dhe ne nuk kemi nevojë të ngutemi për këtë që të bëjmë film shkel e shko. Ata duhet trajtuar me respekt, me dije, shije dhe nga artistë me përvojë”, thotë Apolloni për “Zërin”.

Tutje, sa i përket realizimit të figurës së Adem Jasharit, Apolloni thekson se është shumë e rëndësishme që skenari i këtij filmi të shkruhet me kujdes.

“Adem Jasharin duhet ta luajë një aktor i mirë, por mbi të gjitha skenarin për filmin që do ta ketë subjekt jetën e tij dhe të familjes Jashari duhet ta shkruajë dikush që vërtet di të shkruajë. Natyrisht duhet që edhe regjisori të ketë tru e zemër. Vërtet me familjen Jashari duhet të kemi kujdes, sepse sakrifica e tyre është madhështore”, përfundon kështu Apolloni.

Sipas producentit dhe aktorit Shkumbin Istrefi, tema të tilla si ajo e familjes Jashari, duhet domosdo të trajtohen vetëm nga filmbërës që kanë arritur të marrin gjatë karrierës së tyre çmim Oscars.

“Janë disa tema që në kinematografi duhet të trajtohen vetëm nga skenaristë dhe regjisorë që së paku e kanë nga një Oscars pas vetës. Ne e kemi një temë të tillë, me përmasa të tragjedive heroike antike”, shkruan Istrefi.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, regjisori Kryeziu thotë se nuk i pengojnë reagimet e tilla dhe se pikërisht kjo është liria për të cilën është luftuar.

“Njerëzit janë të ndryshëm dhe kanë lirinë të shprehin mendimin e tyre, nganjëherë edhe mendimin e mbrapsht. Për këtë të drejtë lirie ka luftuar edhe heroi ynë legjendar, për të cilin po punojmë filmin”, tha Kryeziu.

I pyetur se a ka diçka konkrete nga ky projekt i përfolur tash e sa kohë, Kryeziu deklaroi se shpreson që gjatë këtij viti të fillojnë edhe punimet teknike.

Rikujtojmë se disa filma të realizuar në Kosovë dhe që për tematikë kanë luftën e fundit, kanë arritur të realizohen dhe prezantohen denjësisht edhe nëpër festivale të ndryshme në botë, përfshi këtu edhe filmin “Shok” që arriti edhe të nominohej për “Oscars”. Zëri