A jam unë delja e zezë!?

Kultura February 24, 2018 - 09:06

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", kësaj radhe prezantojmë artistin Driton Selmani (1987). Driton Selmani është artist vizuel. Kohë më parë, me vendosjen tek rrethi, në hyrje të Prishtinës, të flamurit që shënon pozitën jashtë lojës, Selmani performoi në mënyrën më të mirë, ndërsa u kap nga policia dhe, për këtë vepër shumë domenthënëse, u dënua me gjobë! Në përgjithësi kërkimi i tij artistik është në një 'nismë eksperimentale' të vazhdueshme dhe ka një lidhje të ngushtë me kompleksitetin e ndodhur në identitetin e tij kulturor.

Ai përdor një gamë të gjerë të burimeve personale, historike, sociale dhe politike, për të ndërtuar hapësira të reja të "dyshimit", si mjet për të shpalosur një gjuhë të ndjeshme dhe të drejtpërdrejtë, duke e bërë këtë bazën e krijimeve të veprave të tija, të cilat sfidojnë si publikun ashtu edhe pozicionimin e tyre. Selmani ka përfunduar studimet master në Artet Bashkëkohore në The Arts University Bournemouth në Angli. Jeton dhe punon në Prishtinë dhe Doganaj të Kaçanikut.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

A jam unë delja e zezë!? Pse beson në mrekulli? Pse i kapë merimangat e i le të lira? Pse realiteti im ka dyzet këmbë e dyzet duar? Pse mbjell fara borziloku? Pse kaq shume normativa...

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Më pëlqejnë mëngjeset e hershme, ka diçka të shenjtë në to, e ndjej dhe i kërkoj çdo ditë. Bëj gati djalin për kopsht, shkoj në studio, pi një, dy, tre espresso... Pastaj filloj vrapimin paralel me trurin tim. Shkruaj, skicoj, ruaj shënime. Ka kohë që kam nisur një ditar vizual – një vizatim në ditë. Në pamundësi të fjalëve shkarravis. Hulumtoj vende që nuk shërbejnë mish. Takoj miq, debatojmë, shpesh ashpër. Hidhërohem, pajtohem, ju dërgoj zemra virtuale. Mbyll studion me 20 open tabs në Google chrome. Kthehem në shtëpi, kënaqem me Pepa Pig, bashkë me Herën dhe Lekën. Në mbrëmje fillon beteja për gjumë. Nëse e fitoj këtë luftë të përditshme, me pëlqen të pi një gotë verë dhe të dëgjoj Tame Impala në Gramafon, përderisa i shoh nga dritarja shtresat e smogut të parkohen njëra mbi tjetrën mbi qiellin e Prishtinës, si jorganët në dollap.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Ka shumë libra që më kanë bërë të ndërroj kurs në navigim dhe e kam të vështirë me i selektu, por autobiografia e Malkolm X, sipas Alex Haley është e veçantë. Ka diçka që më ka bërë të mendoj fuqinë njerëzore, si dhe transofrmimin e zemërimit në burim energjie. Orhan Pamuk, për frikën dhe shpresën e humbur në veprat e tij. Srdjan Valjarevië për humorin në romanin Komo, Poezitë e Rumi’t për dozën e Opiumit dhe çelësat për dyert e misterit, Kenzaburë ëe, për përzierjen mjeshtërore të së vërtetës me imagjinatën, kujtimit dhe fiksionit.

Por mbi te gjitha është një njeri që ka ndjeshmëri të jashtëzakonshme për të knock-out-uar  realitetit rrethues, ai është Shpëtim Selmani, me nji ‘Toolbox’ të jashtezakonshem.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Nuk e kam këtë ndjesi! Ndoshta për shkak se kam krijuar imunitet ndaj kësaj ndjenje.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Kur e shoh me lentat e shkurtpamësisë, me duket shumë politike, kur e shoh më larg notojnë vetëm ngjarjet të përnjimendta. Nuk shoh ndonjë paralele të zhvillimit të saj më mirë se zhvillimet tjera të rëndësishme për shoqëritë në tranzicion.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ishte me diell, sot ka rënë shi, nesër do jetë ndryshe, pa dyshim!

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Ndoshta Vizatimin e fshirë të De Kooning nga Robert Rauschenberg, nuk e di pse, por poezia “Style is the answer to everything” nga Bukowski më kthen në humor të mirë,  In Rainbows: From The Basement – Radiohead, Dogtooth nga Yorgos Lanthimos…