Triumfi i Dua Lipës në “Brits Award”

Kultura February 23, 2018 - 08:23

Në ceremoninë “Brit Awards 2018”, mbajtur mbrëmjen e së mërkurës, në Londër të Britanisë së Madhe, ishte këngëtarja nga Prishtina, Dua Lipa, e cila mori vëmendje të jashtëzakonshme.

Përveç performancës që bëri, Lipa u ngjit dy herë në skenë për të marrë dy çmime të rëndësishme. Ajo o shpërblye si “Solo artistja më e mirë në Britani” dhe “Artistja më e mirë debutuese në Britani”.

LEXO EDHE: Zë i ngritur për një dhimbje të madhe

Çmimin e parë, atë për “Solo artisten më të mirë”, Lipa ua dedikoi të gjitha grave, duke folur për fuqizimin e tyre.

“Falënderoj të gjithë që më kanë ndihmuar, miqtë, ekipin dhe familjen time! Gjithashtu edhe çdo grua që ka qenë në këtë skenë para meje dhe që u kanë dhënë vajzave sikur unë, mundësinë për të ëndërruar kaq shumë. Kjo u dedikohet më shumë grave që do të jenë në këtë skenë, do ë fitojnë çmime dhe do të sundojnë në botë”, u shpreh ajo.

Ndërsa kur pranoi çmimin e dytë, atë për “Artisten më të mirë debutuese”, Dua për habinë e të gjithëve mori me vete në skenë edhe motrën e vëllain e saj, Rina dhe Gjin Lipa. Ajo tha se donte magjinë e kësaj skene ta ndante me njerëzit e saj të dashur.

“Ju keni bërë gjithë ëndërrta e mia realitet. Vëllai im dhe motra ime me siguri mendojnë që jam e çmendur që i solla në skenë me mua. Arsyeja që e kam bërë këtë është se më parë ju thashë që të besoni në magji dhe ky është momenti kur kam qenë më së afërmi me magjinë. Prandaj dëshiroj që edhe ata të marrin emocionet nga dora e parë. Ju dua, faleminderit shumë”, u shpreh ajo.

Dua Lipa këtë vit ishte e nominuar në pesë kategori, duke u bërë kështu këngëtarja më e nominuar këtë vit, por edhe solistja e parë grua më e nominuar në historinë e kësaj garë.

Mediumi prestigjioz britanik shkruan se edhe pse nuk e mori çmimin “Albumi më i mirë i vitit në Britani” Dua Lipa, nga një vajzë emigrante arriti në maje të tabelave muzikore.

“Dua Lipa mund të ketë humbur në atë kategori, por pop-këngëtarja kosovare, duke punuar shumë, ka arritur deri në krye të tabelave. Ajo ka emigruar në Londër si adoleshente e duke punuar si modele, derisa e nisi karrierën muzikore. Kënga e saj ‘New Rules’ ka arritur një miliard shikime në YouTube këtë javë, kurse kënga tjetër IDGAF tash e katër javë po qëndron të top-5 këngët”, shkruan The Guardian.

Pjesë e ceremonisë “Brits Award” ishte edhe këngëtarja tjetër e suksesshme kosovare, Rita Ora, e cila fillimisht solli këngën “Anywhere”, për të vazhduar më bashkëpunimin e fundit, të cilin e pati me LiamPayne me këngën “YourSong”. /Zëri/