Zë i ngritur për një dhimbje të madhe

Kultura February 23, 2018 - 08:19

“Ishim në shpi. Tue hangër darkë. Veç kur thanë ‘Hyn te kojshitë. Hyn e po i marrin burra e djem të ri”, kështu nis tregimi “Fëllanzat” i publicistit e gjuhëtarit Gazmend Bërlajolli, i cili në fakt flet për gratë dhe është një tregim i luftës së fundit në Kosovë.  

Bërlajolli pasi përktheu librin me rrëfimet dhe kujtimet e grave të mbijetuara prej torturës, gjatë luftës së fundit në Kosovë, me titull “Unë dua të dëgjohem”, nuk arriti t’i rezistojë tundimit të shkruante një tregim të vetin, frymëzuar nga ky libër.

Tregimi i tij i titulluar “Fëllënzat”, karakterizohet nga një strukturë e veçantë. Ngjarja që ky tregim sjellë nuk ka vetëm një rrëfimtar. Ajo vjen në dy vija rrëfimi. Është e njëjta histori që vjen nga dy perspektiva të ndryshme por, që lidhen aq natyrshëm njëra me tjetrën. 

Bërlajolli ka zgjedhur të tregojë historinë e dy motrave, të cilat duke folur secila për përjetimin e veta gërshetohen dhe i japin tregimit një epilog të vetëm.

Një lexues i kujdesshëm e kapë në fillim këtë teknikë të shkrimtarit dhe pastaj lehtazi çdo informacion merr kuptim dhe zë vendin e vet. Ngjarja hapet me sulmet e para të ushtrisë serbe dhe përfundon tek pas luftës, atëherë kur çdo gjë që ka ndodhur tashmë dihet nga të gjithë dhe viktimat veçse po përballën me pasojat e stigmatizimit.

Lirisht mund të themi se tregimi “Fëllanzat” i Bërlajollit, është e kundërta e asaj narrative me të cilën jemi mësuar që nga pas lufta në Kosovë, ku i shkruhet biografive të heronjve nëpërmjet hiperbolizimeve. 

“Fëllanzat” në këtë rast bëhen zëri dhe emri i atyre numrave dhe shifrave që ndryshojnë nga hulumtimi në hulumtim, i të gjitha viktimave, atyre që mbijetuan edhe atyre që nuk ia dolën. Themi nuk ja dolëm, sepse dihet që pas çlirimit shumë prej tyre në fakt nuk u ndjenë kurrë kështu - të çliruara, dhe vendosën t’i japin fund jetës. Ky element theksohet edhe në këtë tregim. 

“Dhetë herë pata shkue me kcye në atë bunar. Cka me jetue ma? Veç kur ja ndijsha zanin nanës u kthejsha”, thotë një nga personazhet.
Tregimi pasqyron edhe ankthin e grave për përballjen me burrat.

Fajësimi dhe mospranimi vjen si një dhunim i dytë, sepse gjithçka që ndodhë më pas në fakt e dyfishon dhimbjen. 

Autori e thotë troç padrejtësinë që iu bë këtyre grave ndër vite. Ai nuk e fsheh e as nuk e zbeh mënyrën se si mentaliteti dhe normat tona shoqërore i vranë për së dyti ato. 

Ky tregim mund të interpretohet edhe si një thirrje që e ardhmja nuk duhet të ndërtohet mbi heshtjen e viktimave. 

Tregimi i dy motrave, të cilin e sjellë Bërlajolli, mund të themi lirisht se u takon të gjitha familjeve që patën një histori të tillë. Sepse ky rrëfim i kalon kornizat e dy personazheve, ndërsa bëhet përfaqësues i secilës prej tyre.

Thjeshtë për arsye se trumbeton faktin që turpi nuk është i atyre, dhe se faji u takon të gjithëve, përveç atyre.

“Fëllanëzat” është rrëfimi i grave në “gjuhën e popullit”, sepse s’do të ishte e pranueshme ndryshe gjuha e tregimeve të tilla, që vijnë nga gra të ndodhura në çdo anë, qytet e fshat të Kosovës.

Ky tregim hapet dhe mbyllet me tekstin e këngës së vjetër shqipe, që titullohet “Fërfëlloj fëllënza në ujë”, nga poeti e kompozitori Muharrem Gurra, kënduar në origjinal nga Fitnete Rexha.

Sikur historia e grave nuk është mjaftueshëm e dhimbshme, teksti i kësaj këngë ndërfutet dhe të jehon në vesh gjatë leximit, më dhimbshëm se çdo version i kësaj këngë që mund të jetë kënduar ndonjëherë. 

“Fërfëlloj fëllenza në ujë/ Fëllënzo, fëllënzo/ Dil prej ujit mos dalsh kurrë/ Fëllënzo, fëllënzo/ Ty bre unë ty nuk të ngas/ sall për flokësh të përkas/ Të të shoh a je e bardh/ a je e ëmbël por si dardhë”.

Për fund, “Fëllanzat” është provë se si ajo që ndodhi në këtë shoqëri, jo më larg se dy dekada më parë, zë vend dhe dokumentohet përmes letërsisë. Përpos gjuhës shqipe, tregimi “Fëllënzat” është përkthyer edhe në anglisht dhe është botuar nga organizata “Integra”.