Rikthehet fuqishëm ylli i kinematografisë shqiptare Ilir Tafa me një serial të ri ballkanik

Kultura February 22, 2018 - 16:36

Të hënën, më 26 shkurt 2018, në Sarajevë do të bie kllapa e parë e xhirimeve të serialit më të ri “Konak kod Hilmije”, në të cilin në rolin kryesor do të paraqitet aktori i madh kosovar, Ilir Tafa.

Siç merret vesh xhirimet do të zgjasin disa vjet dhe do të realizohen në Sarajevë, Zagreb, Podgoricë, ndërsa e tërë ngjarja do të jetë e zhvendosur në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Në rolet kryesore, krahas Ilir Tafës, do të paraqiten edhe aktorët Emir Hadzihafizbegovic nga Sarajeva e Tarik Filipovic nga Zagrebi. Projekti do të mbledhë rreth vetes edhe aktorë nga të gjitha regjionet e ish Jugosllavisë, ndërsa flitet se pjesë e serialit do të jetë edhe superylli jugosllav Lepa Brena.

Fjala është për një projekt humoristik, ndërsa do të jetë një nga realizimet më të veçanta të produksionit të mirënjohur FIST, me skenar të Fedja Isovic dhe nën regjinë e Elmir Jukic.

Aktori Ilir Tafa është shprehur i entuziazumuar për rolin e ri, ndërsa ka thënë se ky do të jetë një rol sfidues duke pasur parasysh ekipin e angazhuar, por edhe investimin e bërë në këtë projekt të madh duke u nisur nga kostumografia, skenografia dhe gjithçka tjetër që përcjell realizimin e tij.