Në ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare

Kultura February 22, 2018 - 10:00

Për nder dhe respekt të kësaj dite, po sjellim në vazhdim një shkrim të Eqrem Çabejt, botuar së pari në “Mësuesi”, 28 mars 1979- 4 prill 1979.

Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Për të dhënë vetëm dy shembuj, po përmendim Irlandën dhe Turqinë. Në Irlandë, menjëherë pas shkëputjes prej Britanisë së Madhe dhe fitimit të pavarësisë, po edhe më parë, gjuhëtarët hapën shkrimet e vjetra, që i kishte mbuluar pluhuri i kohës, dhe qitën në dritë leksema të moçme të gjuhës që s’i njihte më kurrkush, që kishin qenë përdorur disa shekuj, mbase edhe njëmijë vjet më parë, dhe i shtinë në shkollë e në qarkullim, që edhe sot janë në përdorim të përgjithshëm, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në Turqinë qemaliste, në vazhdim të punës që pat nisur më parë, sidomos Sami Frashëri, për pastrimin e gjuhës nga fjalët, shprehjet dhe ndërtimet sintaktike arabe e perse që e kishin mbuluar, me reformën gjuhësore që nisi në vitin 1928, u hulumtuan një varg fjalësh të turqishtes (osmanishtes) së vjetër dhe të disa të tjerave gjuhë turke të Azisë, dhe këto të gjitha dhanë një ndihmesë të madhe në pastrimin e gjuhës dhe pasurimin e saj me lëndë vendi.

Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare. Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin.

Në këtë fushë është punuar me shekuj te ne dhe vazhdon të punohet në këtë drejtim. Po të kundrohet kjo veprimtari më nga afër, shihet se ka këtu një vazhdimësi, një vijë të pandërprerë. Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë veprimtarinë e paraardhësve tanë, njëkohësisht synojmë ndërkaq ta çojmë përpara veprën e tyre dhe ta thellojmë. Në këtë punë nuk do të kufizohemi të zbulojmë fjalë të moçme nëpër shkrime të vjetra, si kanë vepruar për shembull në vendet e përmendura më sipër. Nuk është kjo e vetmja rrugë për ne, sepse plot fjalë janë edhe sot të gjalla në gojë të popullit dhe presin të shtihen në përdorim. Kjo punë ka filluar që me përmendoret e para të shkrimit të gjuhës shqipe. Autorët e vjetër si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë, kanë vepruar  me vetëdije në këtë rrugë.

Puna e autorëve tanë të vjetër në këtë fushë veprimtarie po të hetohet më imtë, shihet se vazhdon më tej dhe gjatë kohës para shekullit të kaluar. Edhe pse përmasat qenë më të vogla, dhe mënyra e punës shpeshherë anonime, vlen të shënohet se nuk ka pasur aty një zbrazëti të plotë në punë të shkrimit e përpunimit të gjuhës. Kjo veprimtari ndërkaq me një gjallëri të re u rimuar tek ne sidomos me shekullin e kaluar, mbasi lëvizja mendore e “shekullit të dritës” (le siècle des lumières), i quajtur gabimisht “iluminizëm”, dhe më vonë e romantizmit, patën zgjuar sidomos ndër popujt e vegjël e të robëruar të Evropës idenë nacionale dhe dashurinë për kulturën popullore, folklorin, gjuhën amtare dhe përpunimin e kultivimin e saj. Njerëzit që vepruan në këto fusha kanë qenë nganjëherë njëkohësisht burra të armës dhe të pendës, luftarë dhe dijetarë e shkrimtarë, ashtu si Pashko Vasa ndër ne. Me një ndjenjë habie shohim ne sot  si një njeri jo i pendës, po i armës, dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema të sferës kuptimore-abstrakte si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri, e të tjera si këto. Mbetet merita e elementit shqiptar të Italisë që i priu Rilindjes Kombëtare të shekullit të kaluar, me çeljen e Kolegjit të Kalabrisë (1732) dhe atij të Palermos në Siqeli (1734), dhe pastaj me vepra historike-gjuhësore, folklorike e letrare, si ato të Nikollë Ketës (1742-1803), Engjëll Mashit e sidomos të Jeronim De Radës, i cili organizoi dhe dy kongrese gjuhësore në Kalabri. Në këtë lëvizje mendore e gjuhësore-letrare në gjysmën e dytë të atij shekulli morën pjesë, si dihet, dhe shkrimtarë e dijetarë shqiptarë të Greqisë, si Panajot Kupitori e Anastas Kullurioti. Nga shkrimtarët e  Shqipërisë, një brez para atyre të Rilindjes, Naum Veqilharxhi është një ndër të parët që u përpoqën të pasuronin gjuhën e shkrimit e ta spastronin nga fjalët e huaja, me fjalë si fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër. Përpara tij Tahir efendiu prej Gjakove përdori më 1835, ndër të tjera, fjalë si folës, mësim, mësues, nxanës, rrëzim. Shkrimtarët e Rilindjes, si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e të tjerë, i hynë në këtë lëmë një pune të madhe edhe me një metodë të re. Kjo metodë ishte: kërkim, përhapje e vënie në qarkullim e fjalëve që ekzistojnë në gjuhë, po që kishin mbetur mënjanë; përdorim i fjalëve të vjetra e të harruara të gjuhës; përdorim shumë i kufizuar i fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja, neologjizmash, si ko­mpozita si rrjedhoja (derivate), pas gjedhes së analogjisë, pra kryesisht pas shembullit të fjalëve të gjalla të ligjërimit popullor e të dialekteve të tij. Ndër këta autorë, Kristoforidhi e pasuroi gjuhën e shkrimit me fjalë si fushatë, hierore “tempull”, jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore. Te Naim Frashëri gjejmë dëgjim, dritare, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdijë, vjershëtor e plot të tjera. I vëllai Samiu, dihet se përveç punës që kreu në lëmin e caqeve (termeve) gjeografike e administrative (lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për “meridian”, kryeministër, qeveritar etj.), ka vënë themelet e terminologjisë gjuhësore e gramatikore, me formime si abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar. Para tij Jani Vreto shtiu në përdorim terme gjuhësore si rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse. Gjejmë tek ai edhe fjalë të gojës popullore përdorur me një mënyrë të re, pa mundur ne sot të ndajmë kurdoherë me saktësi se cili ndër këta tre shkrimtarë është autori i parë i disa fjalëve të caktuara. Puna e pasurimit dhe e pastrimit të gjuhës vijoi e pandërprerë edhe pas periodës së Rilindjes nga ana e një vargu shkrimtarësh, gjuhëtarësh e arsimtarësh të vendit. Zëri