Filmi “Shok” shfaqet në akademinë “Marubi”

Kultura February 21, 2018 - 09:25

Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, akademia “Marubi”, në bashkëpunimin me Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, do të shfaqin në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, filmin “Shok”.

Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi “Shok” është filmi i parë shqiptar i nominuar ndonjëherë në çmimet Oscar. Filmi “Shok” flet për një ngjarje të vërtetë gjatë luftës në Kosovë, derisa dy shokë vënë në provë shoqërinë e tyre, gjatë luftës për mbijetesë.

“Shok” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa në kohën prej njëzet e një minuta, sa zgjatë gjithsejtë ky film, luajnë edhe aktorët: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Armond Morina, Aurita Agushi, Sunaj Raça, Eni Cani, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi dhe Ardit Tahiri.

Publiku nga Tirana mund ta shohin këtë film këtë të enjte, duke filluar nga ora 19:00, në akademinë “Marubi”.

Rikujtojmë se përveç në “Oscars”, ky film u prezantua edhe në shumë festivale të rëndësishme ndërkombëtare.