Përralla artistike “The Shape of Water 2017”

Kultura February 21, 2018 - 09:19

Gjatë Luftës së Ftohtë, në një ndërtesë sekrete, punojnë dy ndihmëse higjienike; një e zezë dhe një shurdhmemece. Kjo e fundit nisë të hetojë më shumë se çfarë fshihet pas prurjes së re në ndërtesë, për të zbuluar një krijesë ujore, të prangosur, e cila më vonë do të mësohet se i ka merak vezët.

Miqësia formohet në fshehtësi nga mbikëqyrësit e saj, pos njërit që del të ketë planet e tija sekrete në kundërshtim me ato të udhëheqësit të atij laboratori ta quajmë.

Si prodhimet më të mira të Guillermo del Toro, edhe ky film nisë me një narracion përrallor. Gjatë këtij narracioni, përrallore shfaqen edhe muzika, edhe fotografia, edhe vet tregimi. Dhe kjo përrallë nuk ndalet deri në fund. Deri në fund, filmi nuk humb artin shumëdimensional, i cili e bën këtë film një kryevepër artistike. Magjepsëse!

Edhe pjesa teknike e filmit  “The Shape of Water”* është e lustruar me art, dhe çdo nominim e ka të merituar. Më se të merituar. E njëjta vlen edhe për ansamblin e aktorëve.

Sally Hawkins, si një ndihmëse higjienike, memece, pa thënë fjalë, e vetëm duke përdorur mimikën, arrin të bëjë një punë të shkëlqyeshme në portretizimin e karakterit të saj, e mbi të gjitha krijimin e lidhjeve me karakteret tjera – krijesa ujore, kolegia e saj, bashkëbanori i saj. Është një film ku lidhjet ndërmjet karaktereve janë goxha mirë të ndërtuara, ndonëse mund të mbesin në plan të dytë ndaj realizimit teknik të filmit.

Octavia Spencer është një shembull i këtillë. Të ngjan në një nënë, që të rri afër derisa ti vazhdon me jetën, dhe në rast se ndodh diçka e papritur, ajo është aty për të të kapur. Richard Jenkins, si bashkëbanor i Elisës, karakterit të Sally Hawkins, është sikur një botë e ndarë në vete, nga krejt ajo që ndodh në laboratorin sekret. Dhe kjo botë, ndërlidhja që ka në periudha të ndryshme me botën e laboratorit, e bëjnë karakterin e Jenkins ndoshta më të dashurin në film.

Aktrim të shkëlqyeshëm në këtë film ka edhe Michael Shannon si udhëheqës i laboratorit, i cili në një mënyrë është antagonist në këtë film. Është i mahnitshëm.

Qysh në skenën e parë shohim Elisën duke notuar në ujë, për të dalë në apartamentin e saj, i cili për t'u përshtatur me artin e mbushur në film, gjendet mbi një kinema klasike, ku është duke u shfaqur ‘Cleopatra’.

Është një përrallë artistike, ashtu siç të vjetrit do të mund t’i përshkruanin filmat duke na nxitur që të shijojmë realitetin kinse si më i mirë. Përrallat si kjo e Del Toros janë ndër arsyet pse e bëjnë filmin pjesë vitale të jetës tonë.

 

*Filmi “The Shape of Water” i zhanrit fantazi-romancë me regji të Guillermo del Toro ka arritur të marrë trembëdhjetë nominime nga njëzetë a katër kategoritë e akademisë prestigjioze “Oscars” për vitin 2018.

Ky film garon për çmimet: “Filmi më i mirë”, “Regjisori më i mirë”, “Aktorja më e mirë”, ku garon protagonistja Sally Hawkins ,“Aktorja më e mirë në rolin dytësor”, ku përfaqësohet nga Octavia Spencer,“Aktori më i mirë në rolin dytësor” me Richard Jenkins dhe çmimin për “Kinematografi”. Filmi gjithashtu është nominuar edhe në disa kategori teknike, siç janë: çmimin për “Editimin më të mirë”, çmimin për “Muzikën më të mirë”, çmimi për “Dizajnin e produksionit”,“Editimin e zërimit” dhe “Miksimin e zërimit”.

Autori i këtij shkrimi është kritik për film/TV.