Roman që trajton udhëkryqet e fatit tonë

Kultura February 20, 2018 - 10:32

Isak Ahmeti

Ramadan Haziri,publicist dhe shkrimtar, brenda konstelacionit të sotëm letrar, paraqet një dukuri unikale: një autor që në letrat shqipe shfaqet në moshën më të pjekur dhe njëkohësisht autor i ri me përvojë, por që me veprën e vet letrare si në aspektin stilistik e veçmas atë tematik, ka arritur të imponohet, natyrshëm, në hierarkinë letrare si një ekzemplar narrativ origjinal (Ramadan Musliu). Është ky një prozator, që me veprën e vet letrare, del jashtë çdo klisheu, një dukuri sui generis, që nuk mund të futet brenda asnjë stereotipi të prozës aktuale romanore-konstaton Ramadan Musliu...

Shkrimtari i njohur, Ramadan Haziri , veç tjerash , ka botuar edhe romanin "Udhëkryqet e fatit" , 2012, fq. 233. Siç e thotë edhe vetë titulli ,në këtë roman , që lexohet me një frymë , autori ka shtjelluar udhëkryqet e fatit të njeriut tonë,të Kosovës, nëpër rrjedhë të kohëve. Problematika e trajtuar është mjaft interesante dhe e ndjeshme dhe ka të bëjë me çështjen e konvertimit, përkatësisht të kalimit në fenë islame, me ndërprerjen vajtje-ardhje, me ndërprerjen e marrëdhënieve midis miqësive katolike apo "miqësive të moçme, të cilat i kishin pasur nëpër fshatrat e largëta. Me atë ndërprerje të vajtje-ardhjeve e kishin pasur kurorëzuar këtë farë ndryshimi të besimit të krishterë. Ata aspak nuk e kishin pasur të lehtë diferencimin nga laramanët" (fq.25). Përveç kësaj, autori shtjellon edhe tema dhe nëntema të tjera mjaft interesante dhe aktuale. Në këtë roman, ç' është e vërteta , rrëfehet historia e mistershme e fisit, historia e dhimbshme e Hallës Sofi (gjyshes time nga Papazi, e martuar në Stubëll-vendlindja ime-vër.ime), që është një grua e guximshme , kreshnike, e fortë, e bukur dhe stoike. Përshkrimin e kësaj gruaje autori e ka bërë me një shkathtësi dhe bukuri të rrallë artistike, kështu që figura e saj, pas leximit të romanit në fjalë, të mbetet thellë në kujtesë.
Në roman ka zënë vend meritor edhe tema e shpërnguljeve të dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, zgjidhja e çështjes kombëtare, çështja e lirisë së Kosovës, martirizimi i Shqiptarëve të Malësisë së Karadakut( Stubllës, Vërnakollës , Binçës dhe Terzijajve ) Në roman kemi plot personazhe si bartës të ideve të caktuara, si: Kec Papazi, Halla Sofi (lokja ime-vër.ime), Gjergji ( babai im-vër.ime ), studenti me dy emra Nikollë-Seit , ekonomisti shqiptar, Ilmi Ferizi nga Papazi, Gaspri( i Serreqëve ), vëllau i Gjon Serreqit , i njohur i NDSH-së, të cilin e kishte dënuar me pushkatim pushteti serbosllav, Ndre Marku -martir i Karadakut, Maliq beg Gjinolli , dorë e zgjatur e pushtuesit pesëshekullor, etj. përmes të të cilëve autori përçon ide dhe mesazhe të forta e të qarta që edhe sot e kësaj dite janë mjaft aktuale. Në këtë roman, që lexohet me një frymë, autori në fjalë ka shtruar edhe një pyetje hamletiane: "Vallë , pse papazjanët e bënë konvertimin e besimit nga katolikë në myslimanë?" Në këtë pyetje përgjigjet rrëfimtari, që është vetë autori, Ramadan Haziri: "E kishin bërë nga një domosdoshmëri, e cila kërkonte këtë sakrificë të lartë, këtë ballafaqim me ndërgjegjen e vet. Donin të kishin mundësinë për martesa të brezave  të rinj"(fq.25).
Krejt në fund le të theksojmë se ky roman, përveç vlerave artistike, përmban edhe plot të vërteta historike dhe jetësore. Dhe shi për këtë lexohet me kënaqësi .