Shtëpia ku mësohet historia

Kultura February 16, 2018 - 08:47

Nëse ka ndonjë ndërtesë që lidhet ngushtë me shtetbërjen e Kosovës, ajo padyshim që është ish-zyra e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, që më vonë u përdor si seli partie, e që sot njihet si muzeu “Shtëpia e Pavarësisë – Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Objekti i cili ndodhet në mes të kompleksit “Qafa” dhe “Pallatit të Rinisë dhe Sporteve”, fare pranë njërit nga restorantet më me zë në kryeqytet, cilësohet tempull i lirisë, pasi në të janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishme nga vitet 1988 deri më 1999.

Muzeu ka një ambient të vogël, prej rreth 50 metrash katror dhe dikur shërbente si zyre e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e më vonë si seli e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në hyrje të muzeut të pret busti i presidentit Ibrahim Rugova, i punuar nga skulptori Ismet Jonuzi. Aty brenda janë të paraqitura në mënyrë kronologjike ngjarjet dhe personalitete të rëndësishme të jetës politike të Kosovës, me theks të veçantë ata të rezistencës së viteve të 90-ta.

Në anën e djathtë të hyrjes në muze, është një tavolinë pune. Mbi tavolinë janë disa dokumente, të cilat janë shkruar me dorë nga presidenti Rugova e disa janë edhe letra të shkruara në kompjuter. Anash janë dy flamuj; njëri nga ta ai i Dardanisë që e kishte propozuar vetë presidenti Ibrahim Rugova si flamur të shtetit të Kosovës. Krahas tavolinës është një karrige e mbështjellë me pëlhurë ngjyrë kafeje, ku është ulur presidenti Rugova.

Shalli i famshëm i Rugovës, dorëshkrime, gazeta e syzet e bashkëpunëtorit të tij, Fehmi Aganit, janë disa nga gjësendet që dihet se vizitorët mund t’i shohin në këtë muze.

Për vite me radhë ky muze u përballë me disa probleme teknike e menaxheriale. Aso kohe, LDK-ja në opozitë, akuzonte Qeverinë e Kosovës për mospërfillje ndaj këtij muzeu që mban emrin e Ibrahim Rugovës.

Në 21 janarin e vitit të 2016, kur u mbush një dekadë nga vdekja e Rugovës, ky muze u rihap për herë të katërt për vizitorë pas renovimit, por pa një ekspozitë të përhershme. Gjatë renovimit objektit iu largua lagështia dhe kundërmimi.

Objekti i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku Rugova si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës mbante konferencat e famshme për shtyp, sot “Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova”, mbrohet me ligj si monument i trashëgimisë kulturore. /Zëri/

A.S