Debati si prolog i ashpër i një drame

Kultura February 15, 2018 - 10:08

Debati për ruajtjen e objektit të Teatrit Kombëtar të Tiranës, po shpërfaq mungesën elementare të vetëdijes për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, përkatësisht politizimin e madh që ka mbërthyer të gjitha sferat e shoqërisë. Debati është shndërruar në një prolog të një drame, epilogu i së cilës është krejtësisht i paqartë, mbase shumë i frikshëm bazuar në përvojat e kaluara në lidhje me fatin e objekteve të vjetra në Tiranë.

Ndërsa Ministria për Kulturë e Shqipërisë ka vendosur që objekti i vjetër i Teatrit të rrënohet dhe në të të ngrihet një objekt i ri, i ashpër ka qenë reagimi i komunitetit të artistëve, përkatësisht i aktorëve të Teatrit, por jo vetëm i tyre. Ky debat po vazhdon të ndizet edhe më. Në përpjekje për ta shuar këtë debat, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, të mërkurën e 14 shkurtit, ka ftuar në zyrat e saj komunitetin e artistëve, por këta të fundit kanë kërkuar që takimi të mbahet në tempullin e tyre, përkatësisht në objektin e teatrit, i cili edhe është objekt debati. Kështu, sipas gjasave, ky takim edhe nuk do të mbahet. Në anën tjetër reagimet sa vijnë e shtohen nga të gjitha anët, shkruan "Zëri".

Duke vëzhguar me kujdes debatin rreth këtij problemi, veçuam disa nga reagimet e komunitetit të artistëve, të cilët tani janë bërë më të gjallë se kurë në mbrojtje të një vlere të identifikueshme jo vetëm për kryeqendrën shqiptare, por edh për Shqipërinë në përgjithësi. Kështu Bujar Asqeriu, në "Ora News", ka folur me shumë mllef për këtë vendim të Ministrisë së Kulturës. "Këtu është të ulurish", ka thënë Asqeriu, duke kujtuar me mllef e dhembje momentet kur në këto hapësira Roland Trebicka, ashtu me një sëmundje të rëndë, kishte kërkuar një filxhan çaji sall për t'i ngrohur duart. Me dëshpërim ka reaguar edhe aktori i madh shqiptar Robert Ndrenika, i cili ka thënë: “Është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka pasur pikë transparence. Teatri bëhet një herë në 500 vjet. I takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër, një teatër 500-600 vjeçar. “Turbina” ishte qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është për ndonjë fushatë elektorale. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh se çdo bëhet në të”.

E në kuadër të këtyre dilemave të frikshme se çka do të ndërtohet në vend të teatrit aktual, Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja ka reaguar pa ekuivoke dhe me një gjuhë të ashpër shumë, jo vetëm kundër Ministrisë, por edhe kundër Qeverisë: "Kryeministri Edi Rama ka dashur që ta prishë Teatrin Kombëtar që në kohën kur ai ka qenë Ministër i Kulturës, teksa tani arsyeja e vetme se përse kreu i qeverisë kërkon të hedhë në tokë atë monument, është pastërtisht për para" Lubonja këtë e ka thënë në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, ku dhe ka deklaruar se ajo ndërtesë në rastin më të mirë do duhej rikonstruktuar, pasi është një vlerë kulturore e qytetit.

“Unë kam një kohë të gjatë që e njoh këtë problem. Nuk është hera e parë që flitet për prishjen e teatrit, ka qenë një projekt i hershëm teatrit, qysh kur ishte ministër kulture Rama. Ne kemi qenë kundër atëherë, unë kam qenë edhe këshilltar në atë kohë. Pastaj ka pasur një projekt tjetër, kur ishte kryetar Bashkie që donte të prishte teatrin që është një trashëgimi kulturore e Shqipërisë. Dikush mund të thotë që është një ndërtesë e dobët. Është e dobët, por është një ndërtesë me arkitekturën e vet, me historinë e vet që edhe po u rikonstruktua duhet të rrijë ashtu siç është”, ka thënë Lubonja.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, aktori Ndriçim Xhepa, ka thënë: “Duke pasur parasysh kondicionet në të cilat është ndërtuar kjo ndërtesë nga italianët, vitet, që kanë kaluar mbi afatin e ekzistencës së saj, pra, trefishi i kohës, duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re. Dhe vlerat e traditës së këtij institucioni për më shumë se 70 vjet, duhet të ruhen me fanatizëm nëpër arkiva të një teatri serioz sepse kam përshtypjen se nuk jemi aq të respektueshëm dhe dinjitozë në ruajtjen e vlerave të gjeneratave të kaluara, ashtu si ndodh në çdo institucion dinjitoz europian. Janë këto disa probleme, që unë i konstatoj prej shumë vitesh në institucionin ku punoj prej 37 vitesh”.

A do ngrihet një kullë atje ku sot gjendet godina historike e Teatrit Kombëtar, e projektuar nga Gherardio Bosio? Kjo është një nga arsyet që aktorët më me emër në vend janë hedhur në një protestë. Ata pretendojnë se po i përndjekin nga salla e tyre pasi aty Rama dhe Veliaj kanë planifikuar të ndërtojnë një tjetër grataçielë. Nga ana tjetër me gjysmë zëri autoritetet shqiptare mohojnë se godina do të prishet për t’i bërë qejfin tekave të ndonjë oligarku. Po si qëndron e vërteta?

Duke mos pasur asnjë të dhënë përpos paranojës së përligjur të aktorëve Lapsi.al ka bërë një bilanc se si është është vepruar herët e tjera. Se si Rama ka përdorur argumentin e godinave të vjetra, e rindërtimit të tyre, e ruajtjes së fasadës apo justifikime të ndryshme për të prishur monumente të Tiranës historike.

Në bazë të këtyre të dhënave del se frika e artistëve është fare e natyrshme dhe këmbëngulja e tyre për ruajtjen e objektt të Teatrit Kombëtar përbën një luftë kaq të nevojshme në mbrojtje të vlerave të kulturës dhe në kultivimin e një vetëdijeje për to. /ZËRI/