Drama sociale “Bardh” sonte në TKK

Kultura February 14, 2018 - 08:33

Në gjysmën e dytë të muajit janar, në intimitetin që ofron skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, regjisori Fatos Berisha dhe ekipi i tij, nisën provat për premierën e parë që sjellë Teatri Kombëtar i Kosovës për vitin 2018.

Bëhet fjalë për shfaqjen “Bardh”, një tekst i autorit kroat Dubravko Mihanoviç. Kjo shfaqje jepet premierë sonte (më 14 shkurt), ndërsa reprizat e para vijnë më datat 23 dhe 24 të këtij muaji. “Bardh” është një dramë që prekë temat sociale dhe fatet e njerëzve të mbetur në margjinat e shoqërisë.

Për gazetën “Zëri”, regjisori Fatos Berisha tregon se shfaqja ka dialog minimal mes dy personazheve, të cilët sjellin raportin mësues – nxënës. Sipas tij, përmes këtij dialogu, sado minimal, kuptohet bota dhe rutina e këtyre dy personazheve.

“Drama ‘Bardh’ e dramaturgut kroat Dubravko Mihanoviç, është një tregim me dialog minimal ndërmjet dy personazheve, të cilët janë mjeshtri dhe ndihmësi i tij që lyejnë me ngjyrë muret e një banese. Ata tentojnë të krijojnë një lloj komunikimi, duke filluar bisedën me temat e përgjithshme, futbolli, telashet familjare, për t’u futur ngadalë në përkufizime për hapësirën që i rrethon dhe botën e tyre. Me dialog minimal dhe jopretencioz, kuptojmë rutinën e jetës së tyre, përcjellim një afrim të dy personazheve, një ngjashmëri të tyre duke tentuar të futen në brendësinë e preokupimeve të njëri- tjetrit. Përmes marrëdhënies arketip: mësues-nxënës, e dy njerëzve nga margjinat e shoqërisë, vepra sjell një tregim që trajton probleme ‘të mëdha’ shoqërore-sociale. Bota jashtë dritares, e cila ua tërheq gjithnjë vëmendjen u jep dimension tjetër botës së tyre të mureve që ngjyrosin dhe që duan t’i japin kuptim”, sqaron Berisha.

Me rolet e tyre në këtë shfaqje paraqitën aktorët Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj. E bashkëpunimi me këta të dy nuk është risi për Berishën, meqë bashkë kanë punuar edhe më herët. Prandaj sipas tij, njohja e mirë me njëri-tjetrin i ka kontribuar rrjedhshmërisë së punës për këtë shfaqje.

“Me te dy aktorët kam punuar në dy projekte të ndryshme teatrore në të kaluarën. Me Shpëtim Selmanin kam punuar rishtazi në shfaqjen ‘Armiku i popullit’ në Prizren, ndërsa me Tristan Halilajn kam punuar në shfaqjen ‘Shopping and Fucking’ në TKK, ndaj njohim mirë njëri- tjetrin, gjë që na ka lehtësuar procesin e punës në këtë projekt. Unë e vlerësoj shumë angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e tyre gjatë këtij procesi”, thotë Berisha.

Ai shfaqjen “Bardh” e konsideron si një projekt ndryshe nga ata që i ka punuar më herët.

“Shfaqja ‘Bardh’ ishte një projekt shumë i ndryshëm nga ato që kam punuar në të kaluarën. Çdo shfaqje e re është sfidë e re për mua, dhe përpiqem të bëj më të mirën e mundshme”, thekson Berisha.

Kohët e fundit regjisori Berisha ka punuar disa shfaqje të ndryshme nëpër teatro të ndryshme në qytetet e Kosovës. I pyetur nga Gazeta “Zëri” se si ishte kjo eksperiencë dhe kthimi pas një kohë në TKK, Berisha thotë se kthimi në TKK, por edhe puna në skenën e vogël është një eksperiencë përmbushëse për të si regjisor.

“Zanatit i regjisorit pauzat e mëdha nuk i bëjnë mirë. Kam pasur fat të punoj shfaqje këto vitet e fundit në qytete të ndryshme anembanë Kosovës dhe ka qenë një përvojë shumë e mirë për mua. Në TKK kthehem pas gati tri vitesh, ndërsa në skenën e vogël të TKK punoj për herë të parë. Kam aplikuar në konkursin e hapur për këtë skenë. Është një hapësirë shumë e mirë për projekte të tilla si ky i yni, përkatësisht si shfaqja ‘Bardh’”, vlerëson Berisha.

Drama ‘Bardh’ është shpërblyer në vitin 1998 me çmimin vjetor kroat  të Ministrisë së kulturës së Kroacisë. Përveç se e ka bërë regjinë, Berisha edhe e ka përkthyer tekstin e shfaqjes nga kroatishtja, kurse  për skenografinë dhe kostumet po kujdeset Arben Shala.