Mes ëndrrës dhe realitetit kosovar

Kultura February 13, 2018 - 09:10

Me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës, mbrëmjen e së dielës, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, në Prishtinë, u hapë ekspozita me fotografi “Midis ëndrrës dhe realitetit”, e artistes Eliza Hoxha.

Artistja multimediale ka zgjedhur që të bëhet pjesë e kremtes së 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, përmes kësaj ekspozite që përfshinë nëntëmbëdhjetë fotografi, e që prek katër pika kyçe të historisë së re të Kosovës.

Ekspozita sjellë imazhe të viteve të 90’ta, për të vazhduar me kohën e luftës dhe periudhën kur kemi qenë refugjatë, deri te çlirimi dhe pavarësia. Për këtë artistja ka një shpjegim të thjeshtë.

“Për mua shteti i Kosovës nuk ka lindur më 2008. Vetëm është zyrtarizuar më 2008, prandaj kjo ekspozitë nuk sjellë vetëm momente të dhjetëvjetëshit sa është Kosova shtet, por sjellë momente të ndryshme, të përpjekjeve të njerëzve të ndryshëm, për atë që ne sot e gëzojmë, e që është shteti i Kosovës”, tha Eliza për "Zërin".

Në katalogun e kësaj ekspozite thuhet se vitet e 90’ta janë përjashtim, protestë, dhunë, vdekje, dhimbje, mungesë, pamundësi, mjegull, përpjekje, paralelizëm, mobilizim, solidarizim, ëndërr, dëshirë, vullnet, mision e qëllim.

E të gjitha këto i pasqyron ekspozita “Midis ëndrrës dhe realitetit”, nisur nga parulla e famshme në protesta me fjalët e shkrimtarit Ali Podrmija: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, apo thirrjet për paqe me dy gishta të ngritur lartë dhe parullat “UÇK”.

Image

 

Historia është në fotografitë e syve të fëmijëve në kampet e refugjatëve në Stenkovec të Maqedonisë, por edhe liria pasqyrohet në fotografitë e çlirimit, me fëmijë që u hidhen në qaf ushtarëve.

Pjesë e realitetit të Kosovës së pasluftës janë edhe të zhdukurit, apo viktimat e dhunës seksuale. Ata përmes fotografive zënë vend në ekspozitën e artistes Hoxha e kjo nuk është hera e parë, sepse ajo numëron disa projekte ku ka shtjelluar këto problematika. Kujtojmë videoprojektet “Për ata që (s’) janë” apo “Heshtja e kangës”.

Në hapje të kësaj ekspozite, Hoxha foli për vitet 90’të, rrugëtimin deri te pavarësia por edhe diversitetin, që sipas saj duhet ta karakterizojë Kosovën si shtet.

“Kosova e vuan një gjë shumë të rëndësishme që është përjashtimi, sepse ne akoma s’jemi mësuar ta kuptojmë tjetrin, pavarësisht bindjeve dhe perceptimeve të tjera që mund t’i ketë, të identitetit tjetër dhe grupacioneve të tjera që u përkasin. Këtë sfidë e shoh jo vetëm prej kur Kosova është shtet, por është më e theksuar tashmë që nga puna e flamurit e te çështja se ‘A je më shumë kosovar apo shqiptar?’ e deri te rrëfimet më banale që shpesh i dëgjojmë edhe në sferën publike”, u shpreh Eliza ndër të tjera, duke thënë se bukura e asaj çfarë është Kosova sot, është shumëllojshmëria dhe se ne duhet ta hapim mendjen dhe zemrën për këtë.

Duke u ndërlidhur me debatet e fundit në opinionin publik, për festimin e 10-vjetorit dhe çështjen e flamurit, Eliza theksoi se si popull kemi ditur të gëzojmë dhe festojmë edhe në ditë shumë më të vështira.

“Rreth kremtimit të Pavarësisë së Kosovës, kam dëgjuar shumë që thonë se nuk kemi nevojë të festojmë dhe s’kemi arsye që të festojmë pasi që kemi shumë probleme. Kjo është e vërtetë, por unë mendoj që ne kemi festuar gjithmonë, edhe në momentet kur kemi qenë edhe më keq, edhe më vështirë bile, madje edhe atëherë kur as nuk na është lejuar të këndojmë në gjuhën tonë. Prandaj është absurde të thuash që në përvjetorin e shtetit të Kosovës nuk duhet të festojmë dhe ta gëzojmë shtetin e Kosovës”, shtoi Eliza.

Për fund, Hoxha tha se Kosovën duhet ta shohim si një fëmijë 10 vjeçar, të cilit secili prej nesh duhet t’i japim shumë dashuri dhe ta mësojmë t’i bëjë gjërat më së miri.

“Shteti i Kosovës është vetëm 10 vjeç dhe është njëlloj si të presim prej një fëmije 10 vjeçar të dijë t’i bëjë krejt gjërat mirë. Ne duhet ta ndihmojmë në këtë proces, jo vetëm ata që janë në Qeveri, të thirrur për ta shtyrë përpara këtë proces, por secili në mënyrën tonë t’i japim pak më shumë dashuri. Kosovës i mungon dashuria për vendin. Nuk ka rëndësi flamuri, nuk ka rëndësi as himni, nuk kanë rëndësi fare këto tjerat, derisa ne nuk i japim dashuri vendit tonë, e nëse i japim dashni, çdo petk ka kuptim, pastaj, qoftë flamuri i ri apo flamuri kombëtar që e kemi me veti”, përfundoi kështu ajo.

Punën e artistës Hoxha e vlerësoi lartë skulptori dhe artisti Luan Mulliqi, i cili tha se guximi i saj për t'u marrë me temat e ndjeshme të historisë tonë është për t'u admiruar.

“Eliza është shembull tipik i asaj që ne shpesh e përmendim në art, themi se ‘Arti është një pasqyrë e shoqërisë në të cilën jetojmë ndërsa artisti është zëdhënës shpirtëror i asaj shoqërie’. Kjo është një ekspozitë me koncept të veçantë, për shkak se i ka rrënjët para shumë viteve”, tha Mulliqi.

Rikujtojmë se Eliza Hoxha është kuratore e Pavionit të Kosovës në Bienalen e Venedikut për Arkitekturë sivjet. /ZËRI/