Muzika shqiptare përfaqësohet në Vjenë me kuartetin e kompozitorit Valton Beqiri

Kultura February 09, 2018 - 11:22

E inicuar në njërin nga kryeqytetet europiane, Vjenë, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit për Integrime Evropiane të Ministrisë së Punëve të jashtme të Austrisë, në kuadër të Javës se kulturës Austriake dhe asaj shqiptare, u mbajt koncerti i titulluar “Classical Music from Albania”. Qëllimi kryesor i këtij manifestimi ishte rizbulimi i të përbashkëtave kulturore të dy vendeve mike në kuadër të muzikës artistike e cila sot mbetet përfaqësuesja më e mirë e identitetit kulturor, shkruan zeri.info.

Njëri nga dy kompozitorët e vetëm shqiptarë të prezantuar me anë të krijimtarisë në këtë natë koncertale ishte kompozitori i mirënjohur Valton Beqiri, si dhe kompozitori Gjon Simoni. Që të dy u prezantuan me kuartetet e tyre harkore të interpretuara nga (ansambli) kuarteti harkor i Radio Televizionit Shqiptar. Në vazhdën e manifestimeve kulturore në Evropë e më gjerë, muzika artistike shqiptare pikërisht me anë të krijimtarisë së kompozitorëve të saj, në këtë rast të kompozitorit Valton Beqiri, evidenton edhe një herë nivelin e lartë profesional e kulturor që mbart ajo në vete.

Kjo nuk është ndër veprat e para apo të rralla të Beqirit e cila gjen prezantimin e saj në ndonjë shtet europian, por është nga veprat e radhës e cila po reprezenton muzikën shqiptare në botë.

E rëndësishme të cilësohet është se në këtë koncert u interpretuan edhe kuartete të kompozitorit të njohur botëror Dmitry Shostakovich.

Muzika artistike shqiptare edhe pse ende në rrethana jo të volitshme sa i përket kultivimit të saj, sot më shumë së kurrë po gjen prezantim jashtë kufijve të shtetit shqiptar, si motivim për punë të mëtutjeshme për krijuesit e kultivuesit e saj. Zëri

 

Image