Largohet reklama mbi muralin te “Sllovenia Sport”

Kultura February 09, 2018 - 08:39

Të mërkurën u raportua se në rrugën Agim Ramadani, në Prishtinë, saktësisht në lokacionin që njihet si “Sllovenia Sport”, murali i punuar vite më parë në atë ndërtesë, ishte mbuluar me një reklamë.

Duke qenë se ky mural është simbol i kësaj ane dhe është pamja me të cilën identifikohet kjo lagje, që të bie menjëherë në sy kur vije nga lagja “Velania” në qendër të qytetit, reagimet e banorëve nuk munguan.

Për këtë arsye kompania “Coca-Cola” e pa të arsyeshme ta largojë menjëherë brenda ditës reklamën e vendosur aty.

“Si një kompani që promovon vlera pozitive, sistemi ‘Coca-Cola’ në asnjë moment nuk kishte për qëllim të mbulojë artin mural në ndërtesën e ish-Slovenia Sport ose të neglizhojë trashëgiminë e qytetit të Prishtinës. Duke pasur parasysh reagimet e banorëve, ne kemi vendosur të heqim billboardin tonë i cili tashmë është larguar. Jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të komunitetit lokal dhe ju sigurojmë se planifikojmë të mbështesim shumë iniciativa të fokusuara në filantropinë artistike të komunitetit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Për mbulimin e muralit kishte reaguar edhe artistja që kishte punuar muralin Fitore Berisha, duke e quajtur të papranueshëm mbulimin e artit.

“Ky gjest është i papranueshëm. Kjo nuk është hera e parë që i shkatërrojnë muralet. Çfarë shoqërie që nuk e respekton artin”, ka thënë Berisha ndër të tjera.

Rikujtojmë se kohët e fundit u raportua për disa mbulime me reklama të punimeve artistike në hapësirat publike të Prishtinës. Një rast i tillë ishte ai në rrugën “B”, kur punimet e artistëve vendorë e ndërkombëtarë filluan të mbuloheshin me reklama të kompanive të ndryshme.