Kosova ''Pa mure'' përmes baletit për 10-vjetor

Kultura February 08, 2018 - 08:57

Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, këtë te enjte, është rezervuar për shfaqjen “Pa mure”, përkatësisht për premierën e parë të Baletit të Kosovës për vitin 2018. 

Por megjithatë ka diçka që e bën edhe më të veçantë këtë shfaqje, që po vihet në skenë në vigjilje të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. “Pa mure” është shfaqja e parë që vjen si prodhim i Trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës, sepse koreografinë e saj e ka përgatitur një anëtare e kësaj trupe, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Balerina Teuta Krasniqi ka marrë përsipër t’ju prijë kolegëve të saj për të vënë në skenë një shfaqje që portretizon gjendjen aktuale në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe, sa kanë punuar për këtë shfaqje, ajo ka pasur përkrahjen e plotë të drejtorit të Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, asistentit të saj, balerinit Kreshnik Musolli si dhe gjithë Trupës së Baletit.

Kur e takuam në ambientet e TKK-së, dy ditë para shfaqjes, teksa po përgatiteshin për provat gjenerale, balerina dhe tashmë koreografja Krasniqi, nuk e fshihte entuziazmin për këtë projekt. Të njëjtën energji e reflektonin edhe e gjitha Trupa e Baletit, nisur nga Sead Vuniqi dhe Aulonë Nuhiu që sjellin rolet kryesore.

Koreografja Krasniqi thotë për Zërin se është mungesa e liberalizimit të vizave fakti që e ka inspiruar atë për ta realizuar këtë koreografi, në prag të dekadës së parë të pavarësisë së vendit.

Ajo është një balerinë rezidente e Trupës Kombëtare të Baletit prej shumë vitesh, në anën tjetër është një e re, studentë e ekonomisë, që bashkëndjenë me gjithë moshatarët e saj të izoluar në shtetin më të ri të Evropës dhe këtë shqetësim ka vendosur ta paraqes ashtu siç di më së miri, përmes artit e vallëzimit.

“Në fillim ishte pak e frikshme kur mendova të nisi këtë projekt, duke qenë se është hera e parë për mua në rolin e koreografes, por edhe pse tema është një temë aktuale. Megjithatë, kolegët ma kanë bërë punën me të lehtë duke qenë shumë bashkëpunues dhe e kanë pritur tepër mirë këtë ide dhe shfaqje”, tregon Teuta.

Pra “Kosova pas 18 vitesh, shtet apo geto?”, është pyetja që shtron shfaqja e baletit “Pa mure”.

Përmes lëvizjeve të vallëzimit mëtohet të tregohet kufizimi i qytetarëve të Kosovës dhe vështirësitë e të rinjve, të cilët e kanë shumë të vështirë të gjendën në këtë shoqëri që po përjeton një tranzicion të gjatë.

“Inspirimin e kam marrë nga gjërat të cilat i kam kaluar edhe vetë. Siç dihet ne gjithmonë si popull kemi pasur vështirësi që kur e mbaj mend unë. Gjithë këto sfida, të cilat i kemi kaluar unë i kam quajtur mure. Ka ardhur një kohë kur ne e kemi fituar pavarësinë, mirëpo prapë se prapë kemi ngecur brenda disa mureve, të cilat nuk po na lejojnë që të lëvizim lirshëm, dhe këtë e shoh unë si problem”, shpjegoi Krasniqi.

Ndonëse vet është ngjitur në skenën e TKK-së për rreth 40 premiera me Trupën e Baletit, shfaqjen e saj planifikon që të paktën në premierë dhe në reprizat e para ta shikojë nga ulëset e publikut.

“Unë nuk do të vallëzojë në premierë dhe të paktën në reprizën e parë. Dua të ulëm dhe ta shikoj nga jashtë se si po del”, tregon ajo.

Tutje Krasniqi theksoi se shpreson që mesazhi që kjo shfaqje synon të përcjellë të mbërrijë në vesh të duhur.

“Ne shpesh herë dalim në protesta, reagojmë e diskutojmë për problemet që na preokupojnë por shpresoj që njëmend kjo shfaqje të përçojë një mesazh dhe të krijojë një efekt tek ata që mund të bëjnë diçka në këtë drejtim”, shprehet Teuta.

Në anën tjetër, drejtori i Baletit të Kosovës Ahmet Brahimaj, në konferencën e mbajtur për media para premierës theksoi se kjo shfaqje është shumë e rëndësishme pikërisht për faktin se Teuta Krasniqi është edhe koreografja e parë grua e cila ka bërë një koreografi të plotë në Kosovë.

“Gjithë shfaqja është një realizmi i joni dhe kjo ka rëndësi shumë për baletin. Teuta ka filluar e para dhe ajo edhe e meriton një gjë të tillë. Që nga ky vit kemi filluar që t'u japim mundësinë edhe njerëzve tanë pasi që ata e kanë edhe eksperiencën e duhur dhe kanë edhe imagjinatë që është e rëndësishme. Kurse në fund të viti e kemi një premierë tjetër ku koreografinë ia kemi besuar balerinit Sinan Kajtazi”, u shpreh ai duke theksuar se Trupa e Baletit ka mjaft punë këtë vit edhe për shkak të shfaqjeve të shumta që do të ketë edhe jashtë vendit.

Në shfaqjen “Pa mure” do të paraqitën balerinët Aulonë Nuhiu, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Luljeta Ademi, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Muhamet Bikliqi, Sinan Kajtazi, Abetare Hyseni, Leonora Rexhepi, Behie Murtezi, Mimoza Bytyqi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Mërgime Morina, Vlora Prizreni, Liridon Mziu dhe Ilir Krasniqi. /ZËRI/