Themelohet Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore

Kultura February 07, 2018 - 08:43

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, më në fund, themelon Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.

Ky organ inspektues i MKRS-së është përcaktuar sipas ligjit për trashëgiminë dhe sot është bërë konkretizimi i tij.

Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, aktin zyrtar të konkretizimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e vlerësoi si një përmbyllje të suksesshme të një politike të trashëgimisë pas një periudhe të gjatë të procedurave dhe pengesave të ndryshme administrative.

“Për mua është një moment i veçantë, e pse jo edhe moment krenarie, që sot përmes kësaj konference po e bëjmë të njohur për publikun konstituimin e inspektoratit të trashëgimisë kulturore, detyrim ky ligjor i papërmbushur për shumë vite. Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore që dalin si rezultat i legjislacionit në fuqi, rrjedhimisht ligjit për trashëgimi kulturore, si dhe në kuadër të përmbushjes së prioriteteve që kam vënë para vetes për vitin 2018, ku ruajta dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore përbëjnë një dimension të veçantë, kam ndërmarr të gjitha veprimet e duhura zyrtare dhe institucionale që të bëhet themelimi i inspektoratit të trashëgimisë kulturore”, tha ministri Gashi.

Inspektorati do të jetë një adresë edhe për ekspertët e trashëgimisë dhe krerët e institucioneve qendrore të trashëgimisë kulturore për të realizuar kontrollin dhe paraqitur parregullsitë evidente. Gjithashtu, ky organ do të jetë një mekanizëm, i cili do të shërbejë si instrument për parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturore.

“Inspektorati është shumë i nevojshëm për fushën e trashëgimisë dhe pavarësisht vonesave do të jetë i mirëpritur për ekspertët dhe institucionet e trashëgimisë në tërë territorin e Kosovës”, u shpreh ministri duke shtuar se ministria e ka funksionalizuar këtë organ edhe me kapacitete të nevojshme njerëzore dhe është në fazën e përfundimit edhe të infrastrukturës ligjore e fizike.

“Zyrtarët përgjegjës që kanë marrë detyrën, kanë përgatitjen e duhur profesionale, integritetin moral dhe intelektual si dhe duke qenë i vetëdijshëm se këta zyrtarë shtetërorë kanë para vetës shumë punë, kërkoj prej tyre angazhim maksimal në detyrën që kanë marrë, që me guxim, besnikëri dhe syçeltësi të jenë gardianë të mbrojtjes së të kaluarës sonë”, tha për fund ministri.

A.S.