“Kujtimet nga Himalaja” në Muzeun e Kosovës

Kultura February 03, 2018 - 12:58

Në vigjilje të përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Kosovës, Muzeu i Kosovës hapi dyert për një ekspozitë që pasqyron rrugëtimin e një vajze të guximshme të Kosovës.

Bëhet fjalë për Uta Ibrahimi, alpinisten e cila muaj më parë ngjiti majën më të lartë të tokës, Everest, duke u bërë kështu shqiptarja e parë që mbërrinë atje. Rrugëtimin e saj Uta ka zgjedhur ta ndajë me të tjerët përmes ekspozitës së saj të parë personale, të cilën e ka titulluar “Kujtime nga Himalaja”.

Kjo ekspozitë u hap në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës mbrëmjen e se enjtes dhe numri i atyre që ishin të interesuar për të mësuar më shumë për rrugëtimin e Utës ishte i madh. Alpinistja ka zgjedhur që përmes fotografive të shkrepura gjatë udhëtimit, kartolinave, bluzave dhe pajisjeve të saj të flas para miqve, dashamirëve e vizitorëve për eksperiencën në Everest.

Në ekspozitën “Kujtime nga Himalaja” e gjithë ngjitja drejt majës më të lartë të tokës prezantohet përmes njëmbëdhjetë fotografive të ekspozuara në muret e Lapidariumit.

Në to shihet Uta e buzëqeshur, që nga pamja e kampit bazë në Everest, në kampet e tjera, akullnaja e deri tek mbërritja e majës. Përveç kësaj, ajo në këtë ekspozitë solli edhe rrobat, tendat e pajisjet që e kishin shoqëruar gjatë ngjitjes.

Me vete në Himalaje Uta kishte edhe flamurin shtetëror të Kosovës dhe flamurin kombëtar të Shqipërisë. Vetëm dy muaj e ndajnë nga synimi që këta flamuj t’i ngreh edhe para 12 majave të tjera. Këtë vit ajo synon ta arrijë majën e katërt më të lartë në botë, majën Lhotce (8516), për të vazhduar në muajt e verës në majën më të rrezikshme të botës, në majën K2 (7,221m). Për t’i arritur këto Uta ka lansuar kampanjën “14 Majat e Himalajeve’’, dhe brendin ‘’Utalaya Himalaya’’, ku përmes platformës Kosova Ideas, të gjithë mund të kontribuojnë me donacione për të përkrahur ekspeditat e saj në të ardhmen.

Para se t’i përkushtohej alpinizmit dhe ngjitjes në male, vajza me prejardhje nga Gjilani punonte si eksperte e marketingut, fushë në të cilën ka edhe një diplomë universitare.