Dashtë zoti që e sotmja të mos jetë vdekjeprurëse!

Kultura February 03, 2018 - 08:57

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë, profesorin e Fakultetit të Arteve, dramaturgun dhe regjisorin e njohur Fadil Hysaj, i cili u bë edhe arkitekt i ndërtimit të fshatit kulturor në Kukaj, ku edhe ka themeluar festivalin tashmë tradicional "Etnofest"

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Cili është motivi i vërtetë i kësaj që bej? Kush më shtyn? Kjo është pyetje, e cila më përcjell çdo herë kur bëj diçka për të cilën shpenzoj më shumë energji sesa për punë tjera të zakonshme. Dhe rrallë më ndodhë të kuptoj saktësisht cila është shtysa e vërtetë….

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Prishtinë - Kukaj- Prishtinë. Me Prishtinën më lidhë më shumë puna që bëj në fakultet me studentë dhe ndonjëherë ndonjë ngjarje kulturore, përkundër që nuk më shkakton më atë energjinë ngazllyese të ngjarjes… Ndërsa udhëtimi dhe qëndrimi më i gjatë në Kukaj më përmbush më shumë. Ndjej se jam pjesë e një mrekullie të qëndrueshme mes asaj që të ofron natyra, dielli, shiu, pema, guri, druri dhe gjithçka tjetër që unë mundohem të bëj atje, pa e cenuar baraspeshën ekzistuese mes këtyre faktorëve.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

"1001 netë". Ky libër më lidhë me një pjesë të jetës kur “gëlltisja” libra … Ka qenë kohë e adoloshencës kur ekzaltohesha nga librat dhe I përjetoja ato me emocione, të cilat me kohë janë zbeh… Ky libër më ka ofruar shkallën më të lartë të delirit gjatë leximit dhe më ka lidhur përjetësisht me letërsinë. Pastaj kanë ardhur autorë të tjerë të kalibrit të Dostojevskit e Kafkës, të cilët pos kënaqësisë në lexim me kanë ofruar edhe dhembje e reflektime metafizik. Po edhe tani si në kohën e adoloshencës vazhdoj të besoj më shumë në librin, i cili ka në vete një rrëfim me bërthamë shpërthyese brenda.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Ndjej se jetoj mes epokash ku asgjë nuk është e qëndrueshme. Si në një vrimë të zezë kozmike, e cila përpinë pamëshirshëm gjithçka. Por kjo ka edhe anën e vet të mirë. Humb rrënohet apo kalbëzohet çdo gjë pa identitet të qëndrueshëm. Të jesh i dëshpëruar me këtë gjendje nuk është më ndonjë lajm. Kjo gjendje tashmë ka përfshi shumicën e shoqërisë në të cilën jetojmë. Ajo që pëson më së shumti në këto rrethana është pjesa identitare e etnosit tonë, e cila ka qenë viktima e parë e kësaj krize. Edhe nëse flasim për një individ, i cili nuk ka indentitet, kjo nënkupton se kemi të bëjmë me një njeri pa vlera e lere më për një popull si i yni, i cili në këto rrethana, pos degradimit moral ka pësuar me së shumti edhe degradim identitar… Sot është shumë vështirë të përshkruash identitetin e një shqiptari bashkëkohor; si sillet ai, në çfarë kauze beson dhe cili është konstitucioni i tij moral, social e psikologjik…

 

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

 

Në një kohë akulturimi kur janë ngatërruar vlerat e qëndrueshme kulturore me trendet ditore, të cilat udhëhiqen nga klane mediokrish, që preokupim të vetëm kanë si te qëndrojnë më gjatë në “pushtet” dhe t’ia pamundësojnë klanit tjetër të bëjë diçka, pak mund të flitet për ndonjë trend zhvillimi të qëndrueshëm kulturor. Në rrethana si këto është vështirë të ndodhin arritje me vlera kulturore. Por mendoj se, pos tjerash, kjo gjendje është edhe pasojë e shkatërrimit të elitave kulturore që zakonisht ndodhin ne shoqëritë në tranzicion. Kultura lulëzon vetëm në shoqëri të konsoliduara, ku mund të krijohen eliat. Kanë ndodhur lulëzime kulturore edhe në periudha të brishta dhe kaotike, kur elitat kanë qenë pjesë e rebelimeve revolucionare( por jo të karakterit komunist) dhe pasojë e kësaj kemi pasur ndryshime epokash në art e letërsi. Mjafton të kujtojmë dadaistët italianë, surrealistët spanjollë e francezë, ekspresionistët gjermanë e gjeni të ndryshëm në arte figurative, muzike e letërsi. Vepra të mëdha kanë ndodhur edhe në shoqëri diktatoriale, siç kemi rastin me librat e Kadaresë në Shqipëri, por edhe me nje numër të konsiderueshëm poetësh si Azem Shkreli, Ali Podrimja e shume të tjerë. Kishte edhe artistë tjerë në lëmi e zhanre tjera që shënuan epokën e tyre me vepra te qëndrueshme. Mbetet te shohim a mund t’i mbijetojnë kohës së sotme vrastare pjesa më e madhe tyre.

 

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

 

Unë nuk jam nostalgjik i së kaluarës, sepse besoj në progres edhe atëherë kur çdo gjë duket me keq se në të kaluarën. Por nëse do të shikoja nga një distancë e ftohtë, lehtë do të konstatoja se gjatë viteve te shtatëdhjeta dhe pjesërisht gjate viteve te tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta kishte klimë më të avancuar dhe me të shëndoshë kulturore. Kishte elitë më të konsoliduar. Vitet 90-ta kanë qenë këngë mjellme e këtij brezi. Ky brez beri atë që diti dhe mundi në lëvizjen politike për pavarësi e pas kësaj me çlirimin e Kosovës u shpërbë si brez. Edhën njerëz tjerë pa kritere për asgjë dhe asgjësuan shumëçka nga ajo që mund të mbijetonte. Kur e shoh nga kjo distancë më duket sikur ajo kohë ka tretë diku larg dhe shpejt mund të përpihet nga harresa, Por unë ende besoj se e ardhmja është gjithnjë një mundësi më e madhe për të bërë diçka më të mirë se ajo që kemi bërë ne në të kaluarën. Edhe kur kalon nëpër tragjedi dhe rrënoja e ardhmja sjell mundësi të reja. Nga e kaluara mund të mbijetojë si vlerë vetëm ajo që përmban në vete diçka të qëndrueshme. Kjo ku jemi sot, dëshiroj të besoj se është e përkohshme dhe sëmundje kalimtare. Dashtë zoti të mos jetë vdekjeprurëse.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura “Darka e fundit” e Leonardo da Vinçit, kënga “Lakrimosa” nga “Rekvijemi “ i Mozartit. Poema “Toka e djerre”, e T. S. Eliotit, filmi “Pema e jetës” e Terenc Malikut. Këto janë vepra arti, të cilave sa herë iu kthehem më ofrojnë edhe diçka më shumë se herëve tjera...