Fati i një familje kosovare shkon në “Berlinale”

Kultura February 02, 2018 - 08:40

Aktorja Arbnesha Grabovci – Nixha, sivjet do të shkelë në tapetin e një prej festivaleve më të mëdha të filmit në botë.

Kjo pasi që filmi “Kiem Holijanda”, ku ajo luan, do të prezantohet në edicionin e 68-të të “Berlinales”.

Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Nixha tregon më shumë për filmin me produksion holandez, por që prezanton një histori kosovare.

Aty ajo paraqitet në rolin e nënës së protagonistëve, që janë aktorët Florist dhe Andi Bajgora.

Arbnesha flet edhe për përgatitjet për “Berlinale” si dhe bashkëpunimin me regjisoren Sarah Veltmeyer.

Zëri: Së fundi keni marrë ftesë për të qenë pjesë e “Berlinales”, ku do të jepet premierë filmi “Kiem Holijanda”, pjesë e ekipit të së cilit jeni edhe ju, si e vlerësoni pjesëmarrjen në këtë festival prestigjioz dhe si e pranuat lajmin?

Patjetër që e vlerësoj në nivel të lartë po aq sa është edhe festivali i Berlinales, si një ndër festivalet më të mëdha në botë. Po ashtu vlerësoj posaçërisht që një ngjarje dhe fati i një familje kosovare po prezantohet në mesin e shumë filmave botërorë dhe çdo herë duke e pasur në mendje që je përfaqësues i një shteti shumë të vogël, siç është Kosova.

Zëri: Dihet tashmë se në këtë film ju paraqiteni në një nga rolet kryesore, na tregoni pak më shumë për subjektin e filmit “Kiem Holijanda” dhe rolin tuaj.

Po, roli im në këtë film është i nënës. Është rol shumë specifik, ku përfaqëson një grua të fortë shqiptare-kosovare. Një nënë vetë ushqyese me dy djem dhe vjehrrën e saj. Ndërsa burri i saj është i zhdukur. Për mbijetesë, me djemtë e saj, së bashku dërgojnë dhe shesin qumësht në qytet

Zëri: Si ishte bashkëpunimi me regjisoren Sarah Veltmeyer dhe produksionin holandez?

Bashkëpunimi ishte thjesht perfekt. Dallimi në mes të regjisorëve të jashtëm dhe regjisorëve tanë (jo me profesionalizëm) është sjellja dhe hapësira e aktrimit. Jo për të gjithë regjisorët tanë vlen kjo që dua të them, por një pjesë e regjisorëve tanë janë të obsesionuar me teknikën, ku unë mendoj se gabimi më i madh është që aktori luan në këtë rast për teknikën e jo për rrethanën përkatëse të dramës, gjë që do të duhej të ishte e kundërta.

Teknika duhet të jetë në dispozicion të aktorit. Sa i përket Sarës, kam një storje të vogël me të. Ajo kërkonte një nënë për djemtë në filmin e saj dhe kishte pa disa filma të mi dhe si fytyrë i kisha pëlqyer. Asaj i kishin thënë se unë nuk shkoja në audicione (gjë që është e vërtetë). Por kureshtja e saj ishte shumë e madhe dhe, së paku, ajo kishte dëshirë të më takonte për kafe.

Kështu ndërmjet regjisores Valmira Hyseni u takuam dhe që në fillim më tha “Të lutem bëhu nëna e Andit dhe Floristit”. Unë pranova dhe çdo gjë shkoi si ishte më së miri me prova dhe me xhirime.

Zëri: Ftesën për Gjermani tashmë e keni marrë, por procedurat për vizë i keni filluar? Pyesim, duke marrë parasysh se izolimi i Kosovës është problem që po penalizon vazhdimisht edhe komunitetin artistik.

Fatmirësisht nuk e kam këtë problem pasi që kam nënshtetësi britaneze. Por është turp që në këtë shekull të merremi me këtë fenomen. Edhe pse thirremi në atë që vitet, shekulli janë në anën shqiptare, do me thënë koha po punon për ne, këtë gjë politikanët tanë nuk po e shohin, përderisa Floristi e Andi po presin për vizë dhe nuk dihet a do t'i marrin ato për pjesëmarrje në Berlinale.

Si duket veç komuniteti artistik u tregua më i mençur dhe shfrytëzoi çdo ofertë duke prezantuar Kosovën në shumë festivale të ndryshme botërore.

Zëri: Megjithatë, shumë projekte filmike, me produksion kosovar, viteve të fundit kanë depërtuar në festivale ndërkombëtare dhe kanë arritur të vlerësohen. Si e shihni ju kinematografinë kosovare në këtë periudhë?
Vlerësoj shumë dhe me admirim punën e palodhur të artistëve, sepse ata po e arrijnë këtë gjë si të pavarur. Për këtë gjë institucionet përkatëse duhet të bëjnë me shumë e jo ti marrin meritat e lëvdatat e punës artistike.

Zëri: Aktualisht, sipas jush cila është sfida më e madhe e komunitetit artistik në Kosovë?
Ka shumë sfida, por mbi të gjitha është mbijetesa. Një aktor duhet të bëjë shumë punë për të arritur atë që dëshiron ta bëjë më shumë se çdo gjë ( në këtë rast të aktroj).

Zëri: Publiku ju ka parë juve në skenë të teatrit e në film, komuniteti artistik ju njeh edhe si mësuese aktrimi, e ju jeni sprovuar edhe në regji, por ku e ndjeni vetën më rehat?

Po, unë jam pjesë e skenës së filmit, jam sprovuar edhe në regji (edhe masterin e kam përfunduar në regji), mbi të gjitha unë jam profesoreshë e aktrimit dhe këtë të fundit nuk e ndërroj me asgjë. Karriera ime universitare është ajo që më kompleton. Po ashtu edhe studentët e mi, kryesisht sukseset e tyre më përmbushin më shumë se çdo gjë tjetër.