Miratohet Koncept Dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve

Kultura January 30, 2018 - 09:18

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, e gjashta me radhë për këtë vit, është miratuar Koncept Dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore.

Ky është një premtim që MKRS u dha aktorëve rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës pas një greve që këta të fundit e nisën.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në ekspozenë e tij tregoi se Koncept Dokumenti ka për qëllim krijimin dhe zhvillimin e politikave kulturore, ambientin dhe mekanizmat e përshtatshëm për promovimin e kulturës, e cila konsiderohet një prej çështjeve më të rëndësishme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: Të diskriminuar karshi sportit

“Pagat dhe gradimi i punonjësve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore janë rregulluar me Rregulloren nr. 05/2011 për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore, rregullore kjo e cila ka bërë një rregullim adekuat dhe meritor, por me kalimin e kohës janë hasur probleme me çështjen e gradimit të punonjësve të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore, në lidhje me gradat joadekuate; statusi dhe pozicionimi jo adekuat profesional; problemi i pagave të ulëta jo konkurruese me rajonin; dhe trajtimi i pabarabartë i punonjësve brenda institucioneve”, tha ministri Gashi.

Ministri Gashi theksoi faktin se me qëllim të adresimit të problemeve dhe përcaktimit të zgjidhjeve të reja, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka marr iniciativën dhe ka hartuar Koncept Dokumentin për të analizuar gjendjen ekzistuese dhe afrimin e zgjidhjeve adekuate për problemet e identifikuara.

Ministri u shpreh se në bazë të analizës që është bërë, ka rezultuar se pagat e ulëta në institucionet kulturore publike të Republikës së Kosovës janë identifikuar si pengesë e madhe në sigurimin e brezit të ardhshëm të profesionistëve të kësaj fushe.

“Me sigurimin e një page bazë konkurruese me rajonin do të kontribuojmë në konkurrencë dhe interesim më të madh të punëtorëve profesionistë të kulturës për angazhim në institucionet publike të kulturës”, tha ministri duke vlerësuar se rishikimi dhe ngritja e pagave aktuale të kësaj kategorie të punonjësve do të jetë veprim kyç për të arritur objektivat e përcaktuara në politikat programore për kulturë e trashëgimi kulturore.

Rikujtojmë që artistët e TKK-së patën kërkuar që paga e tyre të rritet në nivelin e pagave të profesorëve universitarë. /ZËRI/