Të diskriminuar karshi sportit

Kultura January 30, 2018 - 09:13

Në bazë të ligjit për sponsorizime, saktësisht nenit të 12 të tij, atyre që përkrahin aktivitete sportive u njihet 30% zbritje nga tatimi në fitim, kurse sipas po këtij ligji të tjerëve që përkrahin aktivitetet kulturore u njihet 20% zbritje nga tatimi në fitim.

Organizatorët e aktiviteteve kulturore dhe krijuesit po e shohin si diskriminuese këtë qasje.

Sipas tyre ky dallim do të ndikojë që sponsorët, duke pasur më shumë leverdi, të anojnë më shumë kah aktivitetet sportive.

Për gazetën "Zëri", këshilltari i ministrit Gashi, Samir Hoxha, thotë se gjatë gjithë procesit të hartimit të Projektligjit për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, MKRS ka konsultuar të gjithë akterët. Dallimin në përqindje ai e quan "favorizim të lehtë ndaj sportit".

"Ministria e Kulturës gjatë gjithë procesit të hartimit të Projektligjit për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konsultuar të gjithë akteret e mundshëm dhe pas procedurave të rregullta e ka proceduar Projektligjin në Qeveri. Në projektligjin e dërguar nga Ministria në Qeveri ka qenë 20% edhe për kulturën, edhe për rininë, edhe për sportin, pastaj në komisionin parlamentar për kulturë, në Kuvendin e Kosovës, është konsultuar prapë Projektligji dhe nga aty ka dal propozimi që në fushën e Sportit zbritja nga tatimi në fitim të lejohet në 30%. Në fakt ky ligj bënë një favorizim të lehtë të sporti por që edhe kultura dhe rinia do të përfitojnë nga përqindja e liruar për këto dy fusha. Ne besojmë shumë që ky ligj do të ndikojë direkt në përmirësimin e cilësisë në sport dhe njëkohësisht do të ndikojë edhe te kultura dhe rinia, të cilat për ne si Ministri janë të pandashme", deklaroi Hoxha.

Duke folur për Zërin, regjisori Ismet Sjarina konsideron se këto dy pika, ajo e sponsorizimit të sportit dhe ajo e kulturës, duhet të sinkronizohen në mënyrë që të mos ketë diskriminim.

“Pika 2 e nenit 12 është problematike në këtë ligj, ngase nxit diskriminim të projekteve kulturore karshi projekteve sportive. Mendoj që kjo pikë duhet sa më parë të sinkronizohet me pikën 1 të nenit të njëjtë, duke i vënë kështu në kushte të barabarta projektet e fushave të ndryshme dhe pastaj sponsorët mund të përcaktohen se ku është interesi i tyre për investime”, thotë Sjarina.

Sipas regjisorit, duke qenë se sporti gëzon përkrahje mediale më të madhe se kultura, kjo do të ishte një “goditje e dytë” për këtë të fundit, e mbështetur me ligj.

“Unë ende nuk e kam të qartë se si hartuesit e këtij ligji kanë ardhur deri te një përfundim i tillë dhe cila ka qenë arsyeja, por kjo dëmton shumë artistët dhe projektet e tyre dhe orienton ndoshta edhe pa qëllim sponsorët që ata të mbështesin projektet sportive para atyre artistike. Mos të harrojmë se sporti edhe ashtu ka mbulushmëri më të lartë mediale dhe kjo do të ishte një goditje e dytë për kulturën dhe artistët, por kësaj radhe e mbështetur edhe me ligj”, përfundon kështu Sjarina, duke shtuar se një grup artistësh tashmë po diskutojnë format dhe modalitetet se si të bëjnë presion që kjo pikë të ndryshohet.

Aktori dhe producenti Fatmir Spahiu konsideron se krejt kjo është rezultat i pakujdesisë dhe mosprezencës së njerëzve të artit në grupet punuese apo edhe në debatet publike që mund të jenë organizuar.

“Mendoj që është një e padrejtë që ka ardhur nga padituria dhe nga mosprezenca e njerëzve të artit në grupe punuese. Besoj që nuk kanë qenë të ftuar e as të informuar në debate publike nëse ato kanë ekzistuar, por mendoj që me urgjencë nëpërmes amandamentimit mundet të rregullohet kjo gjë. Mendoj që dikush aty ka thënë që ‘Hajt jepjani këtyre të kulturës nja 20 % se boll i kanë’, natyrisht duke mos e ditur që kulturë është edhe filmi, ku sponsorët mund të kenë interes e ku vlerat e sponsorimit mund të shkojnë në miliona nga korporata te ndryshme. Unë mendoj që kjo mund të përmirësohet lehtësisht nëse ka vullnet”, thotë Spahiu për GazetënZëri.

Drejtoresha e “DokuFest”-it, Nita Deda, deklaron përZërin se ky festival e mirëpret iniciativën e MKRS-së me këtë ligj, por i pakuptueshëm duket dallimi mes kulturës e sportit.

“‘DokuFest’ i gëzohet ligjit për sponsorizim dhe iniciativës së MKRS që të krijohen kushte më të volitshme për mbështetjen e kulturës dhe sportit dhe njëherazi fton bizneset që të përkrahin këto dy fusha që vazhdimisht kanë konfirmuar që janë ambasadorët kryesore për prezantimin e vendit tonë si tregim suksesi në botë. Nuk e kuptoj logjiken pas favorizimit me përqindje të sportit karshi kulturës dhe nuk më duket dallim i drejtë”, thekson Deda.

Edhe sipas producentit Yll Uka, ky dallim është i papranueshëm dhe diskriminues.

“Rregullorja për sponsorizim të sportit dhe kulturës është tejet diskriminues ndaj kulturës dhe njëkohësisht e papranueshëm për komunitetin artistik. Ka qenë shumë befasues ky ligj/rregullore për ne, mirëpo ne nuk do ta pranojmë këtë vendim të MKRS. Do të ankohemi dhe protestojmë kundër kësaj rregullore deri në ndryshimin e saj. Nuk jam i sigurt nëse MKRS po mban anë ka sporti, mirëpo nuk ka kurrfarë arsye të ndahet sporti prej kulturës definitvisht duhet me qenë të rëndësishme si sporti ashtu dhe kultura! Kjo ndikon shumë në tërheqjen e sponsorëve nga kultura në sport edhe me këtë rregullore lirisht mund të them që na kanë pamundësuar ta shfrytëzojmë këtë ligj dhe për momentin këtë ligj mund ta shfrytëzojnë vetëm njerëzit e sportit për këtë arsye ne do ta luftojmë këtë deri në barazimin e përqindjes” tha Uka për Zërin, duke shtuar se si komunitet artistik i kanë shprehur brengat e tyre përmes shoqatës së producentëve dhe se do të insistojnë në plotësimin e kërkesave të tyre.

Për të njëjtën çështje pati reaguar ashpër javë më parë edhe regjisori Fatos Berisha.

“Thënë më shqip, sponsorët e ardhshëm kanë më shumë hesap të sponsorojnë sportin se sa kulturën, sepse u zbritet më shumë nga tatimi në fitim. Kjo goditje do të jetë gozhda e fundit mbi kapakun e arkivolit të kulturës së Kosovës”, ishte shprehur ai. /ZËRI/