Barry White, zëri i magjishëm

Kultura January 29, 2018 - 10:27

Këtë javë, në rubrikën e gazetës "Zëri",  “Rrëfej përmes muzikës”, prezantojmë kompozitoren Dafina Zeqiri-Nushi.

Për “Zërin” muzikantja në duart e së cilës kanë kaluar shumë vepra muzikore, dallon dhjetë këngë, të cilat për një arsye apo tjetër i pëlqen më shumë.

“Është mjaft e vështirë të ndash disa këngë nga një numër i madh i këngëve që janë të mrekullueshme. Pasi që jam vetë krijuese e di mjaft mirë se sa vështirë është të kompozohet një vepër, një këngë. Shkruaj dhe kam studiuar muzikën klasike dhe normalisht pesha e asaj muzike është e pazëvendësueshme”, shprehet Dafina.

Ajo thekson se është përpjekur të zgjedhë këngë që kanë kuptim dhe zhvillim orkestral të veçantë.

“Në përzgjedhjen e këngëve, kam veçuar këngë të zhanreve të ndryshme që i kam dëgjuar, dëgjoj dhe vazhdoj t'i dëgjojë mjaft. Këngë që kanë kuptim në tekst, që më emocionojnë, relaksojnë, mbi të gjitha që kanë një zhvillim orkestral ku kanë një veçanti në ngjyra që krijojnë imagjinatë tek dëgjuesi. Renditjen e kam bërë ashtu siç është natyra e jetës me tregime të ndryshme, ku mbizotëron dashuria” përfundon kështu ajo.

Joni Mitchell - Both Sides Now (Versioni  live i vitit 2000)

Këngë që kur e kam dëgjuar për herë të parë jam rrëqethur nga madhështia që ka në vete. Këngë e shkruar nga vetë këngëtarja, me një tregim modern të dashurisë. Ky version që e kam cekë është përpunim i Vince Mendoza, orkestrim i shkëlqyer me ngjyra moderne, luajtur nga një orkestër gjigante që e ka bërë të veçantë dhe mjaft melankolike.

The Cure- Lullaby

Një këngë mjaft interesantë, ku përshkruan frikë që përcjell pothuajse çdokënd. Kënga shpreh anën emocionale dhe gjendjen shpirtërore që e ka pasur këngëtari në kohën e caktuar, përkatësisht halucinacionet. E kam veçuar si këndim dhe atmosferë të veçantë që krijon pothuajse në gjithë këngët. Janë grup interesant!

Christina Pluhar- One charming night

Improvisations on Henry Purcell, shkruar nga një kompozitor i madh anglez i periudhës së barokut, marrë nga opera "Mbretëresha zanë", një komedi dasmore e William Shakespeare. Këngëtarja e ka përpunuar me një version mjaft dinamik, xhaz të lehtë mbi atë muzikë barokien, pa e humbur fare karakterin e kohës kur është shkruar. Është melodi e hareshme dhe sa herë që e dëgjoj më disponon dhe madje më bën edhe të vallëzoj.

Barry White - Practice What You Preach

Këngëtar i preferuar i imi. Të gjitha këngët e tij i adhuroj dhe i dëgjoj përherë. Këtu e kam pasur vështirë të caktoj një këngë, pasi që i adhuroj gjitha këngët e tij. Ngjyra e zërit të tij është e magjishme dhe mënyra se si ka kënduar me aq lehtësi dhe me këngë kushtuar ndjenjave të dashurisë. Këngëtar i preferuar.

Dalida & Alain Delon - Paroles, paroles

Do të ishte e mangët lista pa një këngë franceze. Edhe pse origjinali është kënduar nga dyshja italiane Mina and Alberto Lupo, versioni francez më ka tërhequr më tepër ndoshta shkaku i gjuhës frënge. Fjalë, fjalë, fjalë kur nuk beson një femër kur pranon komentin " je e bukur".

Sting- Lost without you

Është një këngëtar që CD-në e tij e dëgjoj përherë në veturë kur udhëtoj. Teksti është ajo që e bënë këngën më të afërt me dëgjuesin. Kjo këngë ka tekst të zhvilluar vazhdimisht, ku i këndohet dashurisë, luftës, xhelozisë, obsesionit, tregim ky i marrë nga Mbreti David dhe Bathsheba.

Radiohead - Paranoid Android

Alternativ, art rock që është një ndër këngët më të zhvilluara të këtij zhanri. Ka ndërrime të shpeshta të masave, tempit, ritmit, një shtrirje vokale e gjerë e vokalistit. Momentin kur kam dëgjuar zhvillimin vetëm harmonik koral në mes të këngës më është dukur sikur po hapet qielli dhe po fluturoj mbi te. Është magjike!

Nat King Cole ( vers. Cecile Bredie ) - The Autumn Leaves

Këngëtari më i mirë  dhe më kreativ  me shumë hite të njohura. Edhe pse është origjinali i këngës në gjuhën frënge, ky këngëtar e ka përvetësuar dhe zhvilluar në zhanrin xhaz aq bukur sa e ka bërë versionin të njohur botërisht. Po ashtu kam cekë edhe versionin e kënduar nga Cecile Bredie, që vlen të dëgjohet në ditët e vjeshtës së bukur.

403 – Ëndërra

Këngë kosovare me një tekst dhe një domethënie shumë reale dhe të veçantë. Ëndrrat janë pjesë e pandarë e jetës sonë. Unë mendoj se ëndrrat janë shpresë e jetës ku realizon atë që nuk e ke, sheh atë që të mungon, je me krahë dhe fluturon. Ka shumë për t'u folur për këtë këngë, për filozofinë e saj, por thënë shkurt jemi me fat që një këngëtar yni na ka kushtuar gjithëve një këngë me një veprim më të mirë të jetës.

Alison Moyet - Dido's Lament When I am Laid in Earth

Kam përzgjedhur në fund arien marrë nga opera "Dido dhe Eneu", të kompozitorit Henry Purcell, histori e thjeshtë dhe e trishtuar, kushtuar dashurisë që nga pikëllimi dhe mashtrimet vdes Dido duke vajtuar. Version mjaf prekës është i këngëtares Alison Moyet, me një ngjyrë mjaft karakteristike të zërit dhe aranzhim karakteristik. Më ka prekur shumë kur e kam dëgjuar. /ZËRI/