Eugent Bushpepa prezantohet në Amsterdam

Kultura January 25, 2018 - 09:22

Triumfi në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar e bëri Eugent Bushpepën përfaqësues të shtetit shqiptar në festivalin e këngës evropiane, “Eurovizion”, që mbahet çdo vit në muajin maj.

E në këtë fillimvit Bushpepa ka nisur ta promovojë këngën e tij konkurruese. Këngëtari shqiptar, që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në “Eurovizion”, ka konfirmuar pjesëmarrjen në “Eurovision in Concert” në Amsterdam, shkruan "Zëri".

“Eurovision in Concert” mbahet çdo vit, ndërsa në të marrin pjesë këngëtarët që do të këndojnë në Eurovizion.

Bushpepa do të jetë i pranishëm në koncertin e datës 14 prill në AFAS Live në Amsterdam. Ky është edhe koncerti më i madh jashtë “Eurovizionit”, por me këngëtarë të këtij festivali. Kjo është mundësia e parë e këngëtarit Eugent Bushpepa që të afrohet me adhuruesit e tij nga tërë Evropa.

Eugenti është i pari këngëtar që ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë organizim. Bushpepa në dhjetor të 2017-tës e fitoi Festivalin e Këngës në TVSH, me këngën “Mall” dhe kësisoj do të provojë të sjellë rezultat të mirë për Shqipërinë në “Eurovizion”.

“Eurovision” in Concert ditëve në vazhdim do t'i bëjë publik edhe emrat e këngëtarëve tjerë që do të jenë pjesë e koncertit. Ende nuk dihet se në cilat vende Bushpepa do të udhëtojë për të promovuar këngën e tij përfaqësuese.

Rikujtojmë se sivjet festivali “Eurovizion” do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë. Ky festival udhëton gjithmonë në shtetin fitues të edicionit paraprak.

Eugent Bushpepa, që njihet ndryshe edhe thjeshtë si Gent Bushpepa, ka nisur të këndojë në moshë të re.  Në vitin 2006 ai iu bashkua televizionit “Top Chanel” si këngëtar. Bushpepa njihet si këngëtar dhe admirues i muzikës rok. Një nga këngët e tij që bëri më së shumti jehon është “Maska e madhështisë”, teksti i së cilës është një kritikë ndaj sistemit politik.

Shqipëria ka disa vite që prezantohet në festivalin e këngës evropiane, megjithatë prezantimi me këngëtaren kosovare, Rona Nishliu, e cila zuri vendin e pestë në vitin 2012, vazhdon të mbetet suksesi më i madh i shtetit shqiptar në këtë festival.