Tema e dashurisë tek Dritëro Agolli dhe Pablo Neruda

Kultura January 24, 2018 - 10:15

Agolli dhe Neruda dashurinë e shohin si një dukuri të detyrueshme në jetën e njeriut. Dashuria ndaj femrës në vargun e Dritëro Agollit shfaqet përmes një ekspresionizmi të drejtpërdrejtë, gjuhe të thjeshtë pa komplikime si dhe me një emocionalitet të veçantë.

Dashuria në poezinë e këtij autori shfaqet në domene të ndryshme, herë-herë paraqitet si dashuri e pastër ndaj gruas, herë si dashuri rinore e ndonjëherë me motive tjera, ku dashuria pavarësisht që nuk është në plan të parë.

Poeti përmes figuracionit arrin që temën e dashurisë ta bëjë mjet për ta paraqitur botën subjektive të tij, duke shkruar poezi për gruan, dashuritë rinore, trishtimet, raportin mashkull-femër etj. Te Pablo Neruda dashuria është nevojë e pakontestueshme, ajo është universale që e bën njeriun të vuajë, sakrifikojë dhe të bëjë çmenduria të shumta për hir të saj.

Neruda e bën dashurinë që të shkrihet në vargun e tij, të bëhet mjeti kryesor i poetit, i cili me anë të emocionalitetit të përhershëm gërsheton elemente të shumta për ta pasqyruar ndjenjën e dashurisë ndaj femrës. Poezia e Nerudës ka ton të ëmbël lirik dhe të dhembshëm me elemente të vetmisë, trishtimit, erotikës dhe një pasion të fuqishëm që arrin gjer në ekstazë. Te Neruda ashtu si edhe te Agolli, objektet dhe dukuritë pamore janë konkrete dhe të qarta.Image

Të dy e idealizojnë figurën e femrës gjer në adhurim. Poezia lirike e dashurisë së Nerudës përmban forma të ndryshme të paraqitjes së dashurisë. Në veçanti, Neruda i kushton rëndësi të madhe trupit të femrës, gjymtyrëve, si sytë, duart, këmbët, buzët, lëkura, gjoksi, puthja etj. Rëndësi të veçantë kanë edhe imazhet e natyrës, si paraqitja e diellit, zogjve, tokës, muzgu, gjethet, valët, fushat, shiu, uji etj. Edhe te Agolli nuk mungojnë tiparet fizike të femrës si duart, sytë, gjoksi, buzët etj.. Pasioni i Nerudës pasqyrohet përmes përshkrimeve të gjymtyrëve të femrës që realizohet shpesh përmes një shkak- pasoje.

Ato kanë rëndësi të madhe për poetin, ngase në këto poezi bashkohen dy trupa në një të vetme. Ky është pasioni që bën të harrohen të gjitha gjërat tjera duke lënë që të triumfojë dashuria e madhe. Përmes një gradacioni, Neruda në poezitë e tij të dashurisë rendit pjesë të ndryshme të trupit të femrës, duke bërë që një prekje e duarve apo të këmbëve të femrës të shkaktojë te autori një moment hyjnor të cilën mund ta shkaktojë vetëm dashuria.

Ashtu si te Neruda, edhe te Agolli pasioni shndërrohet në një kult, duke u bërë një nga çështjet kryesore të çlirimit të tyre shpirtëror. Uni lirik shpërthen përmes një universaliteti që e bën të bukurën, në këtë rast femrën dhe trupin e saj një gjë hyjnore për të cilën poetët janë të gatshëm të trishtohen e të vuajnë gjer në pafundësi. Neruda në shumicën e poezive të tij gërsheton pasionin me trishtimin, me mundimet e dashurisë nga të cilat kërkon një lloj çlirimi dhe triumfi të dashurisë së tij personale. Herë këtë e paraqet si nevojë emocionale, por ndodh kur këtë e lidh tërësisht me elementin fiziologjik, pra fizik, të nevojave fizike që lidhen me dëshirën fizike për të qenë bashkë dy trupa.

Kjo jepet me paraqitje lakuriqe të trupit të femrës siç ndodh rëndom në shumicën e vargjeve erotike të poetit dhe në përgjithësi në poezitë e tij që kanë për temë erotiken apo në disa raste shkon edhe më larg gjer në paraqitjet pornografike. Dashuria e Nerudës ushqehet nga dashuria e femrës ndaj tij.

Poezia e të dy poetëve në shumicën e rasteve bazohet në fakte dhe situata konkrete që burim frymëzimi kanë një person real nga jeta e autorit. Malli dhe trishtimi janë elemente të përbashkëta që i gjejmë në poezitë e Nerudës dhe Agollit. Këtu mund të ceket edhe gërshetimi i peizazheve apo fenomeneve të ndryshme kohore si nata, dielli, hëna, deti, shiu etj. që jo pak kanë ndikim në ecurinë e shkrimit të të dy autorëve gjersa thurin vargje dashurie.

Një dallim mes dy autorëve që duhet cekur është elementi erotik që te Neruda na del më i theksuar se te Agolli, kjo edhe për faktin që Neruda posedon një bagazh më të madh të poezive të dashurisë dhe forca e dashurisë së tij në varg shkon shumë larg, në një pasion të thellë duke u bërë pikë kyçe në lirikën e tij të dashurisë. Nëse shikojmë në biografitë e të dy poetëve shohim se jo pak vargje të tyre u janë kushtuar bashkëshorteve të tyre.

Dritëro Agolli i kushton shumë vargje bashkëshortes së tij, Sadijes kurse në anën tjetër Pablo Neruda shumë poezi të tij ia kushton gruas së tij, Matilda Urrutias, që njëherësh ka qenë bashkëshortja e tij e tretë. Pjesa e madhe e krijimtarisë së Nerudës i kushtohet pikërisht Matildës. Neruda dashurinë për Matildën e shfaq shumë qartë dhe pastër edhe në vargjet e tij.

Vargjet kushtuar asaj janë të përshkruara nga një patos i thellë emocional në të cilat vargje nuk mungojnë atributet e trupit, epitetet, metaforat dhe lavdet që Neruda ia bën asaj.

Nerudën e veçon një karakteristikë e tillë që ai rrëfehet para gruas në vargjet e tij. Ky është një lloj rrëfimi i sinqertë, i drejtpërdrejtë me një emocionalitet të thellë që buron nga një shpirt poetik tek i cili vlon ndjenja e dashurisë dhe primare është pikërisht kjo, të qenurit i dashuruar dhe të qenit pranë gruas të cilin ai e do gjer në adhurim.

Te Agolli nuk kemi përshkrim aq erotik të gruas bashkëshorte, mirëpo kemi një dashuri të thellë e cila zbulohet përmes një poetike të sinqertë të cilën Agolli e zbulon me anë të muzikalitetit të vargut të tij duke përshkruar në detaje ecurinë e një çasti, të një raporti mashkull-femër që pavarësisht situatave të ndryshme jetësore gjejnë bashkimin për ta mbajtur gjallë dashurinë e tyre.

Veron Dobroshi