Në Galerinë e Ministrisë “Frymëmarrje në Gardh”

Kultura January 23, 2018 - 12:27

Në këtë fillimvit, Galeria e Ministrisë së Kulturës, në Prishtinë, hapë dyert për një ekspozitë personale, e cila do të prezantohet për publikun sonte, më 23 janar.

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita “Frymëmarrje në Gardh” e artistit Mentor Berisha. Kuratori i kësaj ekspozite është profesor Fadil Hysa.

“Mentor Berisha është piktor dhe skulptor i brezit të ri të artistëve figurativë të Kosovës, i cili kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri. Në pikturat e tij mund të shohim imazhe nga e kaluara jonë, e cila rrezikon të tretet në harresë, por fatmirësisht, ndonjëherë rrallë, si në këtë rast, ato ri-gjejnë rrugën e kthimit në kohën tonë përmes laboratorit krijues të artistit”, thotë kuratori, thuhet në komunikatën dërguar për media.

Rikujtojmë se “Frymëmarrje në Gardh” hapet sonte, më 23 janar, me fillim nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ekspozita mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe drejtohet nga Dhurata Ramosaj Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturë.