“Talia e Flakës” prezanton gjashtë shfaqje

Kultura January 23, 2018 - 09:06

Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, ka nisur të hënën Festivali i dramës shqiptare “Talia e Flakës”, që mbledhë çdo vit në Gjilan trupa teatrore nga shumë vende të hapësirave shqiptare.

Këtë Festival të hënën e hapi Teatri i Gjilanit, i cili dha shfaqjen “Një natë në hotel”, me tekst të Muharrem Shahiqit, me dramatizim të Agush Mulliqit e në regji të Bashkim Ramadanit.

Të martën, në mbrëmjen e dytë do të jepet shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit.

Teatri Shqiptar i Shkupit, në mbrëmjen e tretë të festivalit do të jap shfaqjen “G” të autorit Gjergj Fishta me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushitit.

Regjisori Milto Kutali, i cili më herët kishte realizuar shfaqje edhe në Gjilan, kësaj radhe do të sjellë shfaqjen nga Shqipëria “Rrno për me tregue”, të cilën e pati shkruar At Zef Pllumi.

Teatri nga Prishtina, “Dodona”, do të paraqitet me shfaqjen “Portreti i pakryer”, të autorit Besim Rexhaj, regjinë e së cilës e ka bërë Elmaze Nura.

Festivalin do ta përmbyllë shfaqja “Në dorë të fatit…” e Teatrit “Petro Marko” nga Vlora, tekstin e së cilës e ka bërë Ledian Gjeçi, kurse regjia është e Arben Kumbaros. Të gjitha shfaqjet do të nisin me fillim në ora 19:00.

Pas Festivalit të dramës, në kuadër të “Flakës së janarit” mbahet edhe “Film Flaka”, ku më 27 janar shfaqen në Teatrin e Qytetit disa filma të shkurtër. Anash në “Flakën e janarit” nuk lihen as fëmijët. Për ta organizohet Festivali i këngës për fëmijë “Xixa e flakës”, më 28 janar. Këtë vit ora e madhe letrare “Pena e Flakës” mbahet më 31 janar, në ora 17:00, në sallën e bibliotekës së re në Gjilan, kurse aktivitetet e “Flakës së janarit 2018” përmbyllen më datën 31, me Festivalin e muzikës popullore “Fest Flaka”.

Manifestimi tradicional, shumëkulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018” i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut dhe 50-vjetorit të demonstratave për flamur.

“Përmes vlerave kulturore, ne i nderojmë heronjtë e dëshmorët tanë, të cilët i bëjnë roje lirisë së Kosovës”, është shprehur në hapje të manifestimit kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nën patronatin e së cilit edhe mbahet manifestimi “Flaka e janarit”.

Si çdo vit, në kuadër të “Flakës së janarit” u përkujtua edhe ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova me një akademi përkujtimore në sallën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit. /ZËRI/